16 Shkurt 2026

Avokati I Popullit Endrit Shabani Zgjidhet President I Shoqatës Së Ombudsmanëve Të Mesdheut (Aom) Me Votë Unanime Nga Bordi Drejtues


AVOKATI I POPULLIT ENDRIT SHABANI ZGJIDHET PRESIDENT I SHOQATËS SË OMBUDSMANËVE TË MESDHEUT (AOM) ME VOTË UNANIME NGA BORDI DREJTUES

AVOKATI I POPULLIT ENDRIT SHABANI ZGJIDHET PRESIDENT I SHOQATËS SË OMBUDSMANËVE TË MESDHEUT (AOM) ME VOTË UNANIME NGA BORDI DREJTUES

Institucioni i Avokatit të Popullit njofton se Bordi Drejtues i Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM), organizatë rajonale që bashkon institucionet e të drejtave të njeriut të pellgut të Mesdheut, ka votuar zyrtarisht për t'i besuar drejtimin e organizatës Avokatit të Popullit të Shqipërisë, Z. Endrit Shabani. Në procesin e votimit morën pjesë të gjithë anëtarët e Bordit Drejtues, i cili konfirmoi mbështetjen unanime për kandidaturën e Z. Shabani.

Shoqata e Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM), e themeluar në vitin 2008 në Marsejë, është një rrjet strategjik që bashkon institucionet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut nga Europa, Afrika dhe Azia. Me misionin kryesor promovimin e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe paqes sociale, kjo organizatë shërben si një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet vendeve të pellgut të Mesdheut. Përzgjedhja e Avokatit të Popullit të Shqipërisë në krye të kësaj shoqate vjen si vijimësi e një kontributi aktiv të institucionit tonë ndër vite, i cili ka mbajtur role drejtuese dhe presidencën gjatë mandateve 2014-2016 dhe 2016-2019.

Me marrjen e kësaj detyre, Avokati i Popullit rikonfirmon angazhimin për të forcuar zërin dhe pavarësinë e institucioneve homologe dhe për të siguruar respektimin e të drejtave të qytetarëve përballë pushtetit ekzekutiv në tre kontinente, në një kohë kur sfidat e llogaridhënies administrative dhe mbrojtja e lirive civile mbeten prioritete globale.

Gjithashtu, kjo platformë do të shërbejë si një urë komunikimi dhe mbrojtjeje për të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë, punojnë apo studiojnë në vendet e rajonit të Mesdheut. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me institucionet homologe anëtare të AOM-it, Avokati i Popullit do të ketë mundësi të ndërmjetësojë dhe të asistojë më efektivisht në rastet kur të drejtat e bashkëatdhetarëve tanë cenohen nga autoritetet vendase në këto shtete. Ky rrjet ndërkombëtar garanton që zëri i qytetarëve shqiptarë të dëgjohet dhe mbrohet kudo ku shtrihet mandati i kësaj shoqate.