28 Nëntor 2024

28 Nëntori, Mesazhi I Avokates Së Popullit Me Rastin E Festës Kombëtare


28 Nëntori, Mesazhi i Avokates së Popullit me rastin e festës kombëtare

 

28 Nëntori është dita që na kujton guximin dhe vizionin e të parëve tanë për të shpallur pavarësinë, për të ngritur flamurin e lirisë dhe për të mbrojtur dinjitetin e një kombi me zemër të madhe.

Sot, ndërsa nderojmë këtë trashëgimi të vyer, le të kujtojmë se amaneti i të parëve kërkon nga ne të vazhdojmë punën për një Shqipëri ku drejtësia, barazia dhe dinjiteti njerëzor mbizotërojnë. Çdo ditë është një mundësi për të ndërtuar një shoqëri që reflekton idealet e pavarësisë dhe vlerat e flamurit tonë.

Në emër të Institucionit të Avokatit të Popullit, ju uroj nga zemra Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë!

T’i ruajmë dhe të forcojmë vlerat që na bashkojnë si komb, duke i transmetuar ato të pastra dhe të pasuruara tek brezat e ardhshëm. Të kujdesemi që ata të trashëgojnë jo vetëm një atdhe të lirë, por edhe një frymë të fortë solidariteti, uniteti dhe krenarie kombëtare.