25 Prill 2021

Njoftim Mbi Ndjekjen E Procesit Zgjedhor Nga Institucioni I Avokatit Të Popullit


Njoftim Mbi ndjekjen e procesit zgjedhor nga institucioni i Avokatit të Popullit

Avokati i Popullit si një institucion i pavarur Kushtetues, ka si shtylla kryesore të veprimtarisë së tij, mbrojtjen, parandalimin e shkeljeve dhe promovimin e të drejtave dhe lirive të ligjshme të individit. Në këtë kuadër, ushtrimi efektiv i të drejtës së votës në një proces zgjedhor, ka qënë dhe është në fokus të veprimtarisë sonë, gjatë proceseve zgjedhore në vend.
Lidhur me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që do të zhvillohen në datë 25 prill 2021, institucioni ynw ka ndërmarrë disa veprimtari, ku do të veçonim: dërgimin e disa Rekomandimeve institucioneve të ndryshme shtetëror, bashkëhartimin dhe diskutimin e Kodit të Etikës për partitë poltike; monitorime në terren në lidhje me vëzhgimin e përshtatshmërisë dhe aksesit të ambjenteve që do të shërbejnë si qendra votimi, etj.
Po kështu ne parashikojmë të monitorojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qendra të ndryshme votimi në të gjithë Shqipërinë, për të verifikuar vetëm disa elementë të respektimit të ushtrimit efektiv të të drejtës së votës në këtë proces zgjedhor, si psh parashikimet e Kodit Zgjedhor në lidhje me infrastrukturën e qendrave të votimit për përshtatshmërinë e tyre me akses të lehtësuar për personat me aftësi të kufizuar, apo për personat e verbër; zbatimin në praktikë të nenit 108 të këtij Kodi; etj.). Edhe Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Dënimit të egër, Çnjerëzor ose Poshtërues, si pjesë e strukturës së institucionit të Avokatit të Popullit, do të monitorojë procesin e votimit, në datë 25 Prill 2021, në disa institucione të ekzekutimit të vendimeve penale.
Për sa i përket ditës së votimit (datë 25 prill 2021), institucioni i Avokatit të Popullit, së bashku me stafin e Zyrave Rajonale (në qytetet Shkodër, Vlorë, Berat, Sarandë, Dropull, Kukës dhe Pogradec), do të jetë i hapur dhe në dispozicion të qytetarëve, gjatë gjithë orarit zyrtar të votimeve.
Për çdo ankesë, shqetësim, vërejtje, apo propozim që është objekt i punës së institucionit tonë, ju mund të na kontaktoni me:
- telefon: + 355 68 90 34 648, 08001111;
- e-mail: ap@avokatipopullit.gov.al;
- aplikacioni Avokati i Popullit;
- adresë postare: Bulv. «Zhan D’Ark», nr. 2. Tiranë – Shqipëri.
Me dëshirën që ky proces zgjedhor të zhvillohet në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, ju ftojmë të gjithëve të ushtroni të drejtën tuaj të votës, duke respektuar legjislacionin përkatës.
Avokati i Popullit