1 Dhjetor 2023

Ndikimet E Inteligjencës Artificiale Në Drejtim Të Të Drejtave Të Njeriut, Ikdnj-Të Nga E Gjithë Evropa Së Bashku Në Një Takim Analizues


Ndikimet e Inteligjencës Artificiale në drejtim të të drejtave të njeriut, IKDNJ-të nga e gjithë Evropa së bashku në një takim analizues

Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut nga e gjithë Evropa, janë mbledhur sëbashku në një takim, ku janë evindetuar ndikimet e shumëanshme të Inteligjencës Artificiale, veçanërisht në drejtim të të drejtave të njeriut.

 

Ky takim i cili u zhvillua në Ljubljanë (Slloveni), është një iniciativë e Rrjetit Evropian të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut, për të diskutuar mbi sfidat e pritshme në aspekte të ndryshme të shoqërisë, në kuadër të përdorimit gjithnjë e në rritje të teknologjive të Inteligjencës Artificiale.

 

Gjatë një sesioni diskutimesh ku Avokatja e Popullit kishte nje rol mjaft aktiv, u theksua rëndësia e këtij takimi dhe ndër të tjera znj. Ballanca deklaroi se :- “Ndërkohë që jemi dëshmitarë të përparimeve të shpejta të Inteligjencës Artificiale është thelbësore që Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut të angazhohen në mënyrë proaktive, për të kuptuar dhe adresuar ndërlidhjet e mundshme të të drejtave të njeriut me këto zhvillime të shpejta. Në këtë kuptim duhet të sigurojmë që Inteligjenca Artificiale të përputhet me parimet e të drejtave të njeriut dhe institucionet tona duhet të kontribuojnë në zhvillimin e një kuadri multisektorial solid, që i mbron këto të drejta në epokën e Inteligjencës Artificiale”

 

Tipologjia ndërvepruese e formatit të këtij takimi evidentoi se kryqëzimi i Inteligjencës Artificiale dhe i të drejtave të njeriut është një fushë kritike, që pritet të ketë zhvillime komplekse ndaj dhe kërkon një konsideratë të kujdesshme.

 

Avokati i Popullit vlerëson se zhvillimi i vrullshëm që po merr inteligjenca artificiale si dhe përdorimi i ndjeshëm i saj, që pritet të rritet gjatë dekadës së ardhshme duhet që të bashkojë në nisma bashkëpunuese dhe multidisiplinare, qeveritë, zhvilluesit e teknologjisë, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare.  

 

Në këtë kuadër është thelbësore hartimi i udhëzimeve etike dhe rregulloreve që i japin përparësi parimeve të të drejtave të njeriut, nën ndikimin e teknologjive të Inteligjencës Artificiale.