Mesazhi I Avokates Së Popullit, Znj. Erinda Ballanca Në Kuadër Të 25-Vjetorit Te Kushtetutës Së Shqipërisë.
E nderuar të isha sot pjesëmarrëse në aktivitetin jubilar me rastin e 25-vjetorit
të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, “25 VJET TË KUSHTETUTËS SHQIPTARE”.
Në këtë 25-vjetor të Kushtetutës së Shqipërisë, vlen të përkujtojmë rrugën tonë drejt demokracisë, por jo vetëm. Sot gjithashtu duhet të reflektojmë mbi përmbushjen e idealeve të saj, vlerave dhe parimeve themelore që padyshim janë garanci për një shoqërie më të fortë, më të drejtë dhe më demokratike.
Njëkohësisht ky jubile duhet të na rikujtojë se Kushtetuta është akti themeltar i shtetit tonë që ka përcaktuar edhe rrugën tonë të përbashkët drejt prosperitetit të shoqërisë dhe drejtësisë sociale.
Për të përforcuar edhe më tej përkushtimin ndaj të drejtave themelore dhe vlerave evropiane, në këtë 25 vjetor të Kushtetutës, Avokati i Popullit sjell në vëmendje nevojën për harmonizimin e Kushtetutës tonë me Kartën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Njohja e këtyre të drejtave të reja, të cilat do të pasqyrojnë standardet dhe aspiratat bashkëkohore, padyshim që do ta forcojnë kuadrin tonë kushtetues, duke siguruar që ai të rezonojë me parimet që na bashkojnë në komunitetin evropian.
Avokati i Popullit, si një institucion i dedikuar në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të secilit qytetar, inkurajon ata që të vazhdojnë të kenë besim në vlerat demokratike dhe të angazhohen në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe solidare.
Të mos harrojmë! Kushtetuta nuk është thjesht një dokument ligjor; aty janë mishëruar vlerat më larta shoqërore dhe është plani i idealeve të një kombi; një dëshmi e përkushtimit të popullit shqiptar për drejtësi dhe liri.