23 Gusht 2024

Mesazh I Ap Në Ditën Evropiane Të Përkujtimit Për Viktimat E Regjimeve Totalitare


Mesazh i AP në Ditën Evropiane të Përkujtimit për Viktimat e Regjimeve Totalitare

Për Shqipërinë, Dita Evropiane e Përkujtimit për Viktimat e Regjimeve Totalitare është një moment i rëndësishëm për të reflektuar mbi të kaluarën e dhimbshme dhe për të nderuar kujtimin e atyre që vuajtën dhe humbën jetën nën regjimin totalitar komunist.

 

Në një periudhë kur të drejtat politike ishin të mohuara dhe të drejtat e tjera formale ishin të kufizuara, mijëra shqiptarë u përballën me persekutim politik, burgosje arbitrare, tortura çnjerëzore, internime dhe forma të tjera të dhunës sistematike. Autocensura dhe propaganda ekstreme ishin gjithashtu forma të rënda të përçudnimit njerëzor, duke e bërë jetën e përditshme të mbushur me frikë dhe represion.

 

Kjo ditë përkujtimore na kujton nevojën për të mos harruar kurrë ato krime dhe për të siguruar drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre. Njëkohësisht, ajo shërben si një mundësi për të edukuar brezat e rinj mbi rëndësinë e lirisë, demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut, për të ndërtuar një shoqëri ku dinjiteti njerëzor dhe e drejta për të jetuar të lirë janë të garantuara për të gjithë.

 

Duke përkujtuar këtë ditë, ne angazhohemi si shoqëri të refuzojmë çdo formë të autoritarizmit dhe të punojmë së bashku për një të ardhme më të drejtë.