15 Dhjetor 2023

Mbahet Konferenca Vjetore 2023 E Avokatit Të Popullit


Mbahet Konferenca Vjetore 2023 e Avokatit të Popullit

Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim me Zyrën e Koordinatorit të Përhershëm të OKB-së në Shqipëri organizoi Konferencën Vjetore me temë “75-Vjetori i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut dhe 25-Vjetori i Kushtetutës së Shqipërisë: Evolucioni i të drejtave të njeriut në Shqipëri”.

 

Konferencën në nisjen e saj e përshëndetën autoritete të larta shtetërore sikurse Znj. Ermonela Felaj, Zëvendëskryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;

 

Znj. Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë;

 

Z. Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë; si dhe përfaqësuese të organizatave ndërkombëtare në vendin tonë si

 

Znj. Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe Znj. Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, ku u vlerësua puna dhe roli institucional i Avokatit të Popullit.

 

Në fjalën e saj në hapjen e kësaj konference ndër të tjera, Avokatja e Popullit, znj Erinda Ballanca theksoi se ndër vite, natyra dhe kuptimi i të drejtave të njeriut kanë avancuar.

 

“Përfshirja e objektivave sociale në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në një tjetër kapitull, në atë të të drejtave efektive është sot që flasim një nevojë e domosdoshme. Të drejtat e brezave të ardhshëm janë një temë që diskutohet shumë në realitetet tona. Të drejtat efektive mjedisore, problematikat e të drejtave të njeriut, përparimi teknologjik, të gjitha këto janë të drejta që duhet të vihen në Kushtetutë në kapitullin e duhur në mënyrë që të kenë më tej edhe garancinë e duhur.

 

Katalogu i ri i të drejtave të njeriut duhet ë mbrojë grupet vulnerabël, që askush të mos mbetet prapa në rrugën drejt përparimit.

 

Si Avokate e Popullit, jam e përkushtuar për ta nxitur këtë dialog dhe për të siguruar që zërat e njerëzve që dëgjohen në këtë diskurs, të jenë sa më të fortë. Të mundohemi që të avancojmë në këtë cështje e cila vetëm mirë mund t’i bëj realitetit tonë.”” u shpreh znj. Ballanca.

 

Më tej, e konceptuar në dy panele me përfaqësues dhe drejtues të institucioneve qëndrore shtetërore dhe ekspertë të fushës së të drejtave të njeriut, konferenca vijoi me diskutime, analiza dhe prezantime mbi zhvillimin dhe sfidat e të drejtave të njeriut në Shqipëri, duke pasur si pikë fokale 75-vjetorin e Deklaratës Universale dhe 25-vjetorin e Kushtetutës.

 

Institucioni i Avokatit të Popullit falënderon të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në këtë ngjarje të rëndësishme dhe shpreh angazhimin për vazhdimin e dialogut në të ardhmen.