Kosovë, Endrit Shabani U Takua Me Homologun, Naim Qelaj: Forcojmë Bashkëpunimin Për Mbrojtjen E Të Drejtave Të Njeriut
Gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Endrit Shabani u prit nga homologu, Naim Qelaj.
Ky takim shënon një hap tjetër konkret në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe lartësimit të standardeve të të drejtave të njeriut në të dy vendet tona.
Me z. Qelaj u nda i njëjti vullnet për të thelluar bashkëpunimin ndërinstitucional, sidomos me shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira për trajtimin me shpejtësi dhe sukses të ankesave të qytetarëve.
Liritë themelore mund të mbrohen më mirë nëse punojmë me strategji të përbashkëta për promovimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe Kosovë.
Nënvizuam thirrjen se institucionet e Avokatit të Popullit duhet të ruajnë pavarësinë institucionale, të rrisin rolin mbikëqyrës si një shtyllë e demokracisë.
Z. Qelaj e shoqëroi z. Shabani në të tjera takime produktive me drejtuesit e lartë të institucioneve në Kosovë.
Vazhdojmë përpjekjet e përbashkëta që qytetarët tanë të ndjehen të përfaqësuar dhe të mbrojtur përballë institucioneve shtetërore.