2 Mars 2018

Kontribut I Rrjetit Evropian Të Institucioneve Kombëtare Për Të Drejtat E Njeriut Në Projekt Deklaratën E Kopenhagenit


Kontribut i Rrjetit Evropian të Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut në Projekt Deklaratën e Kopenhagenit

                                                                            

ENNHRI, Rrjeti Europian i Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut, është një organizatë e përbërë nga 42 Institucione Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (NHRI) nga vende të rajonit të Këshillit të Evropës. ENNHRI është rrjeti i vetëm i NHRI-ve në të gjithë Evropën.

NHRI-të janë organe shtetërore, të pavarura nga qeveria, me një mandat të gjerë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut. Funksionet e tyre përfshijnë monitorimin, hulumtimin, këshillimin e qeverisë dhe parlamentit, raportimin tek organet ndërkombëtare të traktateve, trajtimin e ankesave, dhënien e ndihmës ligjore, edukimin për të drejtat e njeriut, trajnimin dhe forcimin e ndërgjegjësimit. Një nga funksionet e tyre kryesore është sigurimi i përputhshmërisë së ligjeve dhe praktikave kombëtare me traktatet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke përfshirë edhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Si urë lidhëse mes autoriteteve kombëtare dhe shoqërisë civile, NHRI-të kanë një këndvështrim unik të nevojave dhe sfidave në zbatimin e standardeve të të drejtave të njeriut brenda një vendi, si dhe autoritetin dhe mandatin për t'u angazhuar me palët shtetërore. Për këtë arsye, NHRI-të kanë pozicionin ideal për të këshilluar shtetet në drejtim të respektimit efektiv të vendimeve dhe për të siguruar informacion dhe pikëpamje të pavarur për Komitetin e Ministrave.

ENNHRI mirëpret çdo iniciativë që synon përmirësimin e mbrojtjes dhe promovimit thelbësor të të drejtave të njeriut në nivel evropian dhe që përforcon efikasitetin e sistemit të Konventës në respektimin e të drejtave themelore. Në të njëjtën kohë, ENNHRI vë në dukje se sistemi i Konventës ka pësuar një sërë reformash vitet e fundit, shumë prej të cilave ende nuk kanë pasur kohë për efekt të plotë në Gjykatë.

Prandaj, ENNHRI është fuqimisht kundër ndërmarrjes së hapave që mund të çojnë në një situatë ku vetëm gjykatat gjykojnë rastet më të jashtëzakonshme. ENNHRI beson fort se çdo proces tjetër i nevojshëm reformash do të mbajë ndikimin politik larg nga Gjykata dhe nuk do të ndikojë negativisht në të drejtën e ankimit individual. Për këtë arsye, ENNHRI mirëpret pikat e Draft-Deklaratës që konfirmojnë respektin për pavarësinë e Gjykatës dhe karakterin detyrues të vendimeve të saj; dhe ripohojnë të drejtën e ankimit individual.

ENNHRI konsideron se shumica e çështjeve me të cilat përballet Gjykata rrjedhin nga zbatimi i vonuar ose joefektiv i Konventës në nivel kombëtar, kështu, në vend të fokusit në ndonjë aspekt të veçantë të procedurës së Gjykatës, duhet të bëhen përpjekje më të forta nga Komiteti i Ministrave për të garantuar ekzekutimin e menjëhershëm të vendimeve në mënyrë që të eliminohet nevoja për ankime të përsëritura. Gjithashtu, thelbësore për efektivitetin e sistemit të Konventës është edhe përgjegjësia e shteteve për zbatimin e saj në nivel kombëtar.

Projekt-Deklarata përmban elemente që janë problematike dhe ENNHRI konsideron se disa aspekte të propozimit do të kenë nevojë për analizë shumë të kujdesshme për shkak të rrezikut që paraqesin për funksionimin e duhur të pavarur të Gjykatës.

Këto përfshijnë çështjet e mëposhtme:

  1. Zbatimi kombëtar i Konventës është një koncept i rëndësishëm, siç përcaktohet në Deklaratën e Brukselit. Megjithatë, pavarësisht pranimit të përgjegjësisë së përbashkët midis Shteteve Palë dhe Gjykatës, Projekt-Deklarata i referohet rolit parësor të Shteteve Palë, që zhvlerëson rolin e rëndësishëm të Gjykatës në zhvillimin e interpretimit të Konventës, që në fund të fundit i takon vetëm Gjykatës;
  2. Roli i Gjykatës kuptohet si mbikëqyrës dhe jo subsidiar; prova nëse Gjykata duhet të gjejë shkelje në çdo rast nuk janë "rrethanat më të jashtëzakonshme". Çdo propozim që do ta privonte Gjykatën nga juridiksioni aktual për të vlerësuar në çdo rast proporcionalitetin do të minonte në masë të madhe pozitën, pavarësinë dhe autoritetin e saj;
  3. Qëllimi për të kufizuar shqyrtimin nga Gjykata të rasteve që kanë të bëjnë me azilin dhe emigracionin është një përpjekje krejtësisht e papranueshme për të kufizuar pavarësinë e Gjykatës dhe duhet të fshihet në tërësi;
  4. Theksi në rritjen e dialogut ndërmjet Shteteve dhe Gjykatës rrezikon të inkurajojë ndikimin politik në proceset e Gjykatës. Lejimi i qeverive për të këshilluar Gjykatën në interpretimin e Konventës, për të kërkuar konsensus në nivel kombëtar në zhvillimet e praktikës gjyqësore, ose për të kufizuar fuqinë e Gjykatës në interpretimin në zhvillim të Konventës, do të politizonte procesin gjyqësor;
  5. Kërkesat për interpretim "të arsyeshëm, të kujdesshëm dhe të balancuar", në mungesë të garancive të fuqishme të pavarësisë së Gjykatës, mund të zvogëlojnë kapacitetin e Gjykatës për të vazhduar zhvillimin e jurisprudencës së Konventës në përputhje me parimet e veta të interpretimit; dhe
  6. Çdo propozim për të rritur numrin e ndërhyrjeve të palëve të treta nga Shtetet Palë nuk do të zvogëlojë ngarkesën e punës të Gjykatës; megjithatë, në rast se kjo pranohet, duhet të shoqërohet me masa që lehtësojnë ndërhyrjen më të shpeshtë të NHRI-ve dhe aktorëve të shoqërisë civile.

NHRI-t janë pajisur ligjërisht me mandat për të këshilluar ekzekutivin dhe legjislativin e shtetit në zbatimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ato mund t’i drejtohen edhe gjykates lidhur me probleme te tilla. Përmes mandateve të tyre të promovimit, shpesh ato kryejnë funksione edukative dhe ndërgjegjësuese, që mund të inkurajojnë zbatimin e ketyre standardeve. Ndërhyrjet e palëve të treta shpesh përdoren nga NHRI-të për të informuar Gjykatën mbi zhvillimet e rëndësishme në nivel kombëtar dhe për ta ndihmuar atë me ekspertizë kombëtare, kuadrin ligjor ndërkombëtar dhe jurisprudencën. Kështu, NHRI-të janë aktorë të rënësishëm për zbatimin e vendimeve të Gjykatës.

ENNHRI mirëpret njohjen e NHRI-ve si aktorë të rëndësishëm në zbatimin efektiv kombëtar të Konventës dhe u bën thirrje shteteve, nëse nuk e kanë bërë, të marrin në konsideratë ngritjen e një institucioni të pavarur kombëtar për të drejtat e njeriut në përputhje me parimet e Parisit të OKB-së. Megjithatë, vëren me keqardhje që pavarësisht nga kërkesat e Deklaratave të Brighton dhe Brukselit, përparimi ka qenë i ngadalshëm. Gjashtë (6) shtete palë të Këshillit të Evropës nuk kanë krijuar ende NHRI; madje edhe midis atyre të ngritura, dymbëdhjetë (12) nuk janë në përputhje të plotë me Parimet e Parisit të OKB-së dhe disa nuk financohen në mënyrë adekuate për të kryer në mënyrë efektive funksionet e tyre. Përveç kësaj, NHRI-të duhet të përfshihet shumë më tepër në ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës, duke përfshirë edhe Rregullën 9 të Komitetit të Ministrave për mbikëqyrjen e ekzekutimit të vendimeve dhe të kushteve të zgjidhjeve me mirëkuptim.

ENNHRI i kushton vëmendje marrëdhënieve të ngushta dhe bashkëpunimit të gjatë me Këshillin e Evropës dhe pret që të punojë më tej me Departamentin e Ekzekutimit të Vendimeve, CDDH, Regjistrin e Gjykatës, Komisionerin dhe aktorët e tjerë për forcimin e zbatimit të standardeve të Konventës dhe gëzimin e të drejtat e njeriut në të gjithë Evropën.

 

Rreth ENNHRI-t

ENNHRI përbëhet nga 42 Institucione Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (NHRI) nga e gjithë Europa. Ajo punon për të rritur promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në të gjithë Evropën. NHRI-të janë organe të pavarura me mandat të gjerë shtetëror për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut. Ata janë një element kyç i një kuadri të fuqishëm dhe efektiv kombëtar, rajonal dhe global të të drejtave të njeriut. NHRI-të janë akredituar duke iu referuar standardeve ndërkombëtare, parimeve të Parisit të OKB-së, për të siguruar pavarësinë, pluralizmin, paanshmërinë dhe llogaridhënien e tyre. ENNHRI mbështet NHRI-të në të gjithë Evropën, duke përfshirë krijimin dhe akreditimin, shkëmbimin e praktikave të mira, ngritjen e kapaciteteve dhe angazhimin me mekanizmat rajonalë të të drejtave të njeriut.