27 Qershor 2025

Komiteti Shqiptar I Helsinkit Zhvillon Tryezën E Diskutimit “Përtej Monitorimit: Drejt Një Reforme Zgjedhore Gjithëpërfshirëse Për Integritetin E Zgjedhjeve Në Shqipëri”


Komiteti Shqiptar i Helsinkit zhvillon tryezën e diskutimit  “Përtej monitorimit: Drejt një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, mori pjesë në tryezën e diskutimit me temë “Përtej monitorimit: Drejt një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”, të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Ky aktivitet bëri bashkë aktorë të shumtë institucionalë dhe të shoqërisë civile për të reflektuar mbi problematikat e proceseve zgjedhore dhe për të ndarë qëndrime konkrete për të ardhmen.

Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit u ndal te zgjedhjet e 11 majit dhe vështirësitë e konstatuara, duke theksuar se aksesueshmëria në qendrat e votimit mbetet e pandryshuar prej të paktën tre zgjedhjesh, pavarësisht takimeve të vazhdueshme me institucionet përgjegjëse.

Më tej ajo theksoi se në 8 vitet e fundit nuk është reflektuar ndryshim mendësie.

“Vijojmë të kemi një qasje përçarëse dhe të kultivojmë idenë se “fituesi i merr të gjitha”. Nëse kjo frymë nuk ndryshon, zgjedhjet do të vazhdojnë të jenë të vështira për të përfaqësuar vullnetin e vërtetë të qytetarëve dhe gjuha e përdorur do të mbetet gjithmonë konfliktuale”, u shpreh znj. Ballanca.

Avokatja e Popullit falenderoi shoqërinë civile për aktivizmin e treguar pavarësisht tkurrjes së fondeve dhe hapësirës për t’u organizuar në jetën publike.