26 Janar 2018

Institucioni I Avokatit Të Popullit Do Të Monitorojë Tubimin E Nesërm Në Kryeqytet


INSTITUCIONI I AVOKATIT TË POPULLIT DO TË MONITOROJË TUBIMIN E NESËRM NË KRYEQYTET

 

Avokati i Popullit bën të ditur se ekipe të specializuara të këtij institucioni do të monitorojnë me kujdes protestën e paralajmëruar për t'u zhvilluar në kryeqytet ditën e nesërme, 27 janar 2018.

Stafi i Avokatit të Popullit do të jetë në terren për të vëzhguar zbatimin e ligjit Nr.8773, datë 23.4.2001 "për Tubimet", respektimin e kompetencave të forcave të ruajtjes së rendit dhe mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Avokati i Popullit vlerëson se e drejta e qytetarëve shqiptarë për t'u tubuar dhe protestuar paqësisht është një e drejtë themelore, demokratike dhe e garantuar me ligj.

Institucioni u bën thirrje qytetarëve si edhe autoriteteve të policisë që të zbatojnë ligjin, të respektojnë të drejtat e çdo individi si dhe të kryejnë misionin e tyre qetësisht dhe me qytetari.