Në Librazhd, Qytetarët Kërkojnë Ndërhyrjen E Avokatit Të Popullit Për Pronat, Arsimin, Të Drejtat E Personave Me Aftësi Të Kufizuara Dhe Mbrojtjen Sociale
Avokati i Popullit vijon punën në terren, duke shkuar pranë qytetarëve për të dëgjuar drejtpërdrejt shqetësimet e tyre, për të identifikuar problematikat që cenojnë të drejtat e tyre dhe për t'i orientuar drejt zgjidhjeve ligjore.
Këtë të hënë, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit zhvilluan një takim me banorë të Librazhdit, ku në fokus ishte dëgjimi i problematikave të komunitetit dhe evidentimi i rasteve që kërkojnë vëmendjen dhe ndërhyrjen e institucioneve publike.
Komisioneret Vilma Shurdha dhe Alma Faskaj, së bashku me nënkryetarin e Bashkisë Librazhd, Enver Shkurti, zhvilluan biseda të drejtpërdrejta me qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve arsimore dhe autoriteteve vendore.
Gjatë takimit, qytetarët ngritën një sërë shqetësimesh që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme dhe ushtrimin e të drejtave të tyre:
Problemet e pronësisë, me kërkesa për ndërhyrje dhe zgjidhje të problematikave të mbartura ndër vite.
Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht moszbatimi i legjislacionit për nxitjen e punësimit, vështirësitë në rimbursimin e biletave të transportit, si dhe garantimi i aksesit në arsim për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Mbrojtja e fëmijëve në mjedisin digjital, respektimi i privatësisë së tyre gjatë publikimit të rasteve në internet dhe parandalimi i informacioneve të rreme që mund të çojnë në viktimizimin dhe riviktimizimin e tyre.
Shërbimet për të moshuarit, me nevojën për zgjerimin e gamës së shërbimeve dhe mbështetjes për këtë kategori.
Mbrojtja e viktimave të dhunës në familje, përmes ngritjes së një qendre emergjence në Librazhd, që do të ofronte strehim dhe mbështetje për personat në situata rreziku.
Turi kombëtar do të vijojë në bashki të tjera të vendit, me synimin që Avokati i Popullit të jetë i pranishëm aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për mbështetje dhe mbrojtje institucionale.
Ndalesa e radhës: Kamëz, më 2 dhjetor, ora 11:00.