Iepv "Ali Demi", Zhvillohet Aktiviteti "Terapia E Artit"
Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, ishte e pranishme në IEVP “Ali Demi” për të marrë pjesë në aktivitetin "Terapia e Artit".
Ky aktivitet ishte i konceptuar në formën e një ekspozite me punime kreative të realizuara nga gratë dhe vajzat që ndodhen në kushtet e privimit të lirisë.
Znj. Ballanca theksoi se rëndësia e këtij aktiviteti qëndron në promovimin e artit si një formë terapie dhe rehabilitimi për personat e privuar nga liria, duke u ofruar këtyre grave dhe vajzave një mundësi për shprehje kreative dhe përmirësim të mirëqenies psikologjike.
Sipas Avokates së Popullit, aktiviteti nxjerr në pah rëndësinë e mbështetjes së iniciativave që synojnë integrimin social dhe zhvillimin personal të të burgosurve.
Aktivitete të tilla kreative ndikojnë pozitivisht në respektimin e të drejtave të njeriut në këto institucione duke krijuar një mjedis që promovon dinjitetin dhe mirëqenien e individëve të privuar nga liria.
Përmes angazhimit në aktivitete artistike, të burgosurit kanë mundësinë të zhvillojnë aftësi të reja, të përmirësojnë vetëvlerësimin, duke kontribuar kështu në procesin e rehabilitimit dhe risocializimit të tyre.