Fjala E Plotë E Avokates Së Popullit Në Konferencën Ndërkombëtare – “Forcimi I Mirëqeverisjes Në Kohë Sfiduese: Roli I Ombudsmanit”

I nderuar Gjyqtar Emeritus Joseph Zammit McKeon,
I nderuar Z. Kryetar i Kuvendit,
I nderuar Avokat i Popullit Evropian,
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm i Komisionit të Venecias,
Kolegë të nderuar, Zonja dhe Zotërinj,
Së pari, më lejoni të shpreh falenderimet e mia për mikpritësin tonë, Avokatin e Popullit Parlamentar të Maltës dhe ekipin e tij, në këtë përvjetor të 30-të të themelimit të ketij institucioni.
Falenderimet dhe mirënjohja ime shkojnë përtejkësaj ngjarjeje. Gjatë viteve, Avokati i Popullit i Maltës është bërë një pikë referimi ndërkombëtare, jo vetëm për udhëheqjen e tij brenda vendit, por edhe për kontributin e jashtëzakonshëm në aspektin ndërkombëtar të punës sonë, veçanërisht në kuadër të Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut. Duke qene vetë në këtë funksion prej më shumë se tetë vitesh, jam dëshmitare e rritjes së vazhdueshme të ndikimit dhe reputacionit të këtij institucioni në forumet ndërkombëtare. Kjo nuk është një arritje e lehtë; përkundrazi, kërkon shumë punë, përkushtim, udhëheqje dhe madje sakrifica për t’u konsideruar si pikë referimi midis homologëve në rrjetet ndërkombëtare. Për këtë arsye, përgëzime të dyfishta për këtë përvjetor dhe për reputacionin e padiskutueshëm.
Nga ana tjetër, është një privilegj i veçantë të mbaj këtë fjalë hapëse në krah të personaliteteve të nderuara mbi një temë gjithnjë aktuale: “Promovimi i mirëqeverisjes në kohëra sfiduese: Roli i Avokatit të Popullit”. Për shumë prej nesh që ishim këtu edhe dy vite më parë, duke diskutuar mbi një temë të ngjashme, është e qartë se kemi kaluar nga tema e atëhershme (“E drejta për mirëadministrim: Mit, Aspiratë apo Realitet?”) drejt promovimit të mirëqeverisjes në kohëra sfiduese.
Kjo tregon se të gjitha dilemat tona lidhur me mitin dhe aspiratën janë tejkaluar, pasi kemi njohur nevojën për administrimin e mirë si një realitet të nevojshëm për qytetarët tanë dhe i kemi dhënë vetes tonë rolin për ta mbrojtur dhe forcuar, edhe në kohë të vështira.
Duke e njohur mirë administrimin si një realitet, është e rëndësishme të theksojmë rolin e jashtëzakonshëm dhe kontributin që ka luajtur Karta Evropiane e të Drejtave Themelore, e cila e ka njohur mirëadministrimin si një të drejtë e njeriut. Pavarësisht karakterit rajonal apo, thënë ndryshe, vlefshmërisë formale të kufizuar, vetëm në Bashkimin Evropian, ndikimi që kjo dispozitë ka pasur në konceptimin dhe zbatimin praktik të mirëadministrimit është i pakontestueshëm.
Më pak entuziast është momenti për të reflektuar jo vetëm mbi administrimin e mirë, por edhe mbi konceptin më të gjerë të sundimit të ligjit në vetvete. Këto dy koncepte nuk janë linja paralele që ecin veçmas, sundimi i ligjit përbën themelin, ndërsa mirëadministrimi është shprehja e gjallë e tij në ndërveprimin e përditshëm midis shtetit dhe qytetarit. Aty ku dobësohet sundimi i ligjit, edhe mirëadministrimi dobësohet; dhe atje ku mirëadministrimi dështon, premtimi për sundimin e ligjit mbetet i paplotësuar. Detyra jonë si avokatë të popullit është t’i mbajmë këto parime të bashkuara, duke siguruar që ligjshmëria të mos mbetet vetem në letër, por të zbatohet realisht në çdo vendimmarrje administrative që ndikon në jetën e qytetarëve.
Duke u nisur nga kjo, dua të ndaj me ju disa nga gjetjet më të fundit mbi gjendjen e sundimit të ligjit në Evropë. Në analizën e fundit të Profesor Laurent Pech mbi regresin e sundimit të ligjit (e paraqitur në seancën dëgjimore të Komitetit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut (PACE) mbi “Përditësimin e Listës së Kontrollit për Sundimin e Ligjit të Komisionit të Venecias”, Paris, 8 Shtator 2025), theksohet se që nga viti 2016 rreth 77% e vendeve të analizuara kanë përjetuar një regres në sundimin e ligjit. Studimet e përditësuara e quajnë këtë proces “regres i sundimit të ligjit”. Kjo është prirje globale që duhet marrë seriozisht si sinjal paralajmërues edhe në punën tonë si avokatë të popullit.
Ngjarjet e fundit, si lufta në Ukrainë dhe konflikti në Gaza tregojnë qartë se konfliktet e armatosura dhe dhuna mund të përshpejtojnë regresin në sundimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut, përmes sulmeve ndaj civilëve, zhvendosjeve masive, dobësimit të garancive gjyqësore dhe normalizimit të pushtetit në situata emergjence. Këto kriza na kujtojnë se kur tronditet arkitektura bazë e ligjshmërisë, mbrojtja e të drejtave bie në nivele alarmante. Në të njëjtën kohë, çdo hap i besueshëm drejt uljes së tensioneve dhe një procesi paqeje të qëndrueshme në Gaza është një zhvillim i mirë; nëse mbështetet me akses të pakushtëzuar humanitar dhe llogaridhënie të vërtetë, mund të ketë një ndikim pozitiv të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Për institucionet e Avokatit të Popullit, edhe kur konflikte të tilla shtrihen përtej juridiksionit tonë formal, ato venë në provë qëndrueshmërinë e brendshme dhe besimin publik, duke theksuar arsyen se pse vigjilenca jonë, pavarësia dhe këmbëngulja për ligjshmëri nuk duhet të lëkunden.
Pikërisht këtu hyn roli ynë si avokatë të popullit. Ne jemi ura lidhëse midis qytetarëve dhe administratës, por sot duhet të jemi edhe pasqyra e sistemit. Ne kemi në dispozicion instrumente të fuqishme për diagnostifikim dhe veprim. Lista e Kontrollit për Sundimin e Ligjit e Komisionit të Venecias është standardi ynë i artë: një grup çështjesh dhe treguesish që mbulojnë ligjshmërinë, sigurinë juridike, parandalimin e abuzimit me pushtetin, barazinë para ligjit/ mosdiskriminimin, dhe aksesin në drejtësi, që janë në zemër të kësaj liste. Ky instrument u miratua në sesionin e 106-të të Komisionit (11–12 Mars 2016) dhe u konceptua pikërisht për të bërë të mundur matjen dhe krahasimin e sundimit të ligjit. Ndoshta, tani është momenti që versioni i perditesuar i kësaj liste të përfshijë edhe si standard zbatimin e Parimeve të Venecias edhe për institucionet e Avokatit të Popullit.
Megjithatë, sot nuk mjafton të matim vetëm ligjin “në letër”. Ne duhet të matim edhe hendekun midis ligjit në letër dhe ligjit në praktikë, qasja që tashmë po propozohet për përditësimin e Listës së Kontrollit: duke integruar mësimet nga Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (CJEU) dhe Gjykata Evropiane të të Drejtave të Njeriut (ECHR) mbi regresin e sundimit të ligjit, duke shtruar pyetje për taktikat autoritare në legjislacion dhe përdorimin e kompetencave në situata emergjence, dhe mbi të gjitha, duke kapur zhvillimet jo-ligjore që minojnë standardet, nga presionet politike deri te fushatat denigruese ndaj gjyqtarëve.
Në thelb, mirëadministrimi nuk është një rregull teknik, por përfaqëson premtimin moral të shtetit ndaj qytetarëve të tij. Ne, si avokatë të popullit, duhet ta shndërrojmë këtë premtim në një të drejtë të plotë, të zbatueshme dhe të matshme. Nuk duhet të lejojmë që heshtja, vonesat dhe mungesa e arsyetimit të bëhen normë. Ne duhet të mbrojmë jo vetëm “kuadrin ligjor”, por edhe përvojën konkrete të qytetarëve, në sportelin e shërbimit, në portalin digjital, perpara autoritetit rregullator dhe në sallën e gjyqit.
Le të përdorim këtë konferencë për të dalë me një angazhim të thjeshtë, por të fortë: nga parimet te rezultatet. Të masim, të publikojmë, të korrigjojmë, të këmbëngulim. Vetëm në këtë mënyrë mund të rindërtojmë besimin, gurthemelin e një demokracie funksionale.