15 Dhjetor 2023

Fjala E Plotë E Avokates Së Popullit, Znj. Erinda Ballanca Në Konferencën Vjetore 2023


Fjala e plotë e Avokates së Popullit, znj. Erinda Ballanca në Konferencën Vjetore 2023

E nderuar Znj. Felaj, Zëvendëskryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

 

E nderuar Znj. Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë

 

I nderuar Z. Manja, Ministër i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë

 

E nderuar Znj. Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri

 

E nderuar Znj. Giulia Re, Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri Zonja dhe zotërinj,

 

Të nderuar të ftuar dhe bashkëpunëtorë,

 

Faleminderit që na nderoni me pjesëmarrjen tuaj sot. Për ata që nuk e dinë, e që janë këtu për herë të parë, ka një traditë tashmë që institucioni i Avokatit të Popullit të organizojë një event për të reflektuar mbi evoluimin ta e të drejtave të njeriut në Shqipëri përgjatë një viti kalendarik.

 

 

Si Avokate e Popullit të Shqipërisë, është nder dhe përgjegjësi të adresoj sot fjalën time në këtë konferencë e cila shënjohet nga dy momente kryesore, – 75 vjetori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe një çerek shekulli i miratimit të Kushtetutës së Shqipërisë.

 

25 vite më parë si një rishtare në fushën e të drejtës, e magjepsur nga e drejta kushtetuese mendoja se miratimi i kushtetutës do të krijonte një realitet të ri të padiskutuar ku të drejtat kushtetuese do të mund të zbatoheshin drejtpërdrejtë e pa asnjë mëdyshje. Pasioni dhe besimi me fanatizëm në forcën e ndryshimit që karakterizonte në atë kohë brezin tonë, ishte i formësuar edhe nga bindja se përqafimi edhe në Shqipëri, jo veç në mënyrë deklarative por edhe materiale nëpërmjet miratimit të Kushtetutës, së parimeve të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut apo Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut  do të ishte arritja në destinacionin e një realiteti demokratik apo përkatësie në botën ku të drejtat e njeriut ishin në qendër e jo në skaj të realitetit shoqëror apo shtetëror.

 

Naivitet apo jo? I strukturuar…do të thoja, madje në formën klasike të tij…, por më lejoni të them aspak i qortueshëm…!

 

E njëjta frymë, pasion, e besim por edhe vendosmëri ka qenë vullnet për t’i thënë kurrë më tmerreve të luftrave botërore ndihet edhe në çdo rrjesht të Deklaratës Universale të të Drejtave të njeriut. Dallimi është se ndërsa etërit e deklaratës e kanë pasur të qartë se deklarata ishte vetëm fillimi i një rrugëtimi, ne e kemi besuar atë si standard të arritur. Për këtë mjafton të shihen të dy preambulat e teksteve, preambulës së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

 

Thënë kjo, ka edhe një arsye tjetër përse do të doja përulësisht të lexonim përsëri e përsëri këto akte gurëthemeli!!! Ato sjellin e përçojnë te ne eksperiencën, përjetimin dhe përvuajtjen e shumë shekujve dhe shumë jetëve të humbura, ndaj çdo gërmë është thesar përvoje, drithërimë pamundësie por edhe udhërrëfyes përparimi. Ato na mësojnë se nuk kemi qenë më të mirë, se bota e njerëzimi është përballur me barbari të medha dhe se konflikti domosdoshmërisht cënon përparimin shoqëror.  

 

Bota vitet e fundit është përballur me sfida madhore, përshkallëzimi i konflikteve dhe luftërat janë kthyer përsëri në rendin e ditës, si një e keqe ulëritëse. Përparimi i arritur me shumë përpjekje dhe energji e devocion duket sikur shpërbëhet në sekondë e duhet t’ia nisim përsëri nga e para. Ne do ja nisim nga e para sigurisht për çdo realitet në lufte dhe do të përpiqemi pa pushim për çdo realitet tjetër që të mos kemi regres por vetëm progres. Dështimi i disave duhet të jetë mësim për të tjerët, se vetëm duke pasur në qendër të rrugëtimit shtetëror e shoqëror të drejtat e njeriut, mund të jetojmë në një botë më të drejtë e më të mirë çdo ditë, për më shumë njerëz.

 

Pak ditë më parë Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese organizuan një konferencë për përkujtimin e 25 vjetorit të Kushtetutës dhe aty pati mjaft prezantime e punë që reflektuan për arritjet e sfidat këtyre 25 viteve në Shqipëri, por edhe sfidat e të drejtave kushtetuese në kohët që jetojme. Midis shumë mesazheve të rëndësishme, për qëllim të diskutimit të sotëm, do të doja të veçoja një kuotë nga fjala e Prof. Dr. Matej Açetto, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë.  Ndërsa evokonte rolin e Gjykatave Kushtetuese për të qenë gardiane të të drejtave në kohë të krizave, ai tha: Të drejtat e njeriut janë të shkruara në Kushtetutë për kohët e vështira! 

Përtej rëndësisë dhe vërtetësisë së pamohueshme të kësaj deklarate, ne si njerëz që jetojmë me dhe për të drejtat e njeriut, mendoj se duhet të formësojmë jo pak punën tonë për arritur qëllimet e premtimin që iu bë njerëzimit mbarë 75 vite më parë.

 

Sigurisht që ndër vite, natyra dhe kuptimi i të drejtave të njeriut kanë avancuar. Identifikimi dhe ravijëzimi i të drejtave të reja, apo formësimi i shumë të drejtave social-ekonomike kanë sjellë nevojën për të hedhur përseri sytë tek parashikimet kushtetuese dhe për të parë nëse ato kalojnë testin e përputhshmërisë me realitetin bashkëkohor të të drejtave të njeriut.

 

Ka jo pak studiues dhe konstitucionalistë që kanë hedhur idenë e nevojës së rishikimit të katalogut të të drejtave në Kushtetutën e Shqipërisë.

 

Sfidat dhe kompleksitetet e shekullit të 21-të kërkojnë një rivlerësim të kuadrit tonë kushtetues për të siguruar që ai të jetë i përshtatshëm, i përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës.

 

Përfshirja e objektivave sociale në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë,  ë një tjetër kapitull, në atë të të drejtave efektive është sot që flasim një nevojë e domosdoshme. Të drejtat e brezave të ardhshëm janë një temë që diskutohet shumë në realitetet tona. Të drejtat efektive mjedisore, problematikat e të drejtave të njeriut, përparimi teknologjik, të gjitha këto janë të drejta që duhet të vihen në Kushtetutë në kapitullin e duhur në mënyrë që të kenë më tej edhe garancinë e duhur.

 

Katalogu i ri i të drejtave të njeriut duhet ë mbrojë grupet vulnerabël, që askush të mos mbetet prapa në rrugën drejt përparimit.

 

Si Avokate e Popullit, jam e përkushtuar për ta nxitur këtë dialog dhe për të siguruar që zërat e njerëzve që dëgjohen në këtë diskurs, të jenë sa më të fortë.

 

Të mundohemi që të avancojmë në këtë cështje e cila vetëm mirë mund t’i bëj realitetit tonë. 

 

Sigurisht që pjesa më e madhe e jona mendon se e njeh Kushtetutën, sigurisht qe pjesa më e madhe e jona mendon se e ka lexuar Kushtetutën, por ajo që unë kërkoj nga ju sot është që ta lexoni dhe ta rishikoni herë pas here. Sa herë e lexojmë aq më shumë e kuptojmë çfarë kemi pasur perceptim të gabuar dhe çfarë perceptimi të ri mund të kemi. Kjo sepse Kushtetuta është një mekanizëm i gjallë dhe unë jam tek ata njerëz që mendojnë se Kushtetuta është një instrument i gjallë, ta jetojmë përditë, të kuptojmë ku janë kompetencat tona, ku janë të drejtat tona dhe të kuptojmë nga këto kompetenca dhe të drejtat e të tretëve, që mund të mos na pëlqejnë, por janë aty dhe duhet t’i zbatojmë dhe t’i garantojmë. Duhet të mundohemi të jemi proporcional dhe të përkorë, të drejtë dhe të përshtatshëm për të bërë më të mirën. Jo vetëm sepse mundemi por sepse është gjëja më e mirë për t’u bërë jo vetëm për veten tonë por edhe për të tjerët. 

 

Premtimi për liri, barazi e drejtësi për të tërë duhet bërë e përjetuar si një realitet jetësor!

 

Gjatë detyrës time si Avokate e Popullit kam patur mundësinë të reflektoj në dy jubile të rëndësishëm të Kushtetutës së vendit, 20 dhe 25 vjetorin e saj dhe sot në mënyrë thelbësore, ndërsa reflektoj mbi këtë rrugëtim, më duhet të pranoj rolin shumë të rëndësishëm të mekanizmave garantues të Kushtetutës në formësimin e peizazhit të të drejtave të njeriut në Shqipëri.

 

Gjykata Kushtetuese dhe vizioni i anëtareve saj është thelbësor në zbatimin efektiv të këtyre të drejtave. Mendoj se ndërsa 5 vite më parë ne kishim një gjykatë në tkurrje, sot kemi një realitet tjetër.

 

Personalisht mendoj se çdokush e kuptoi pamjaftueshmërinë e Kushtetutës në vetvete pa garantin e saj, Gjykaten Kushtetuese përsa gjykata nuk kishte kuorum e vendimmarrje. 

 

Fuqizimi i mekanizmave garantues, duhet të jetë mision i çdo aktori shoqëror por mbi të gjitha i shoqërisë civile dhe vetë gjykatës. Sigurisht me përshtatshmëri dhe lexim të përkorë të Kushtetutës, në frymë dhe gërmë.

 

Këto janë mësime që duhet të na çojnë të gjithëve përpara të krijojmë një realitet më të mirë për të drejtat, duke u dhënë atyre rëndësinë e duhur, duke i deklaruar ato në Kushtetutë dhe duke i ruajtur çdo ditë si “sytë e ballit”, për të mos u gjetur pa shpëtim në ditët e këqija.

 

Të fillojmë një kapitull tjetër të rrugëtimit të Shqipërisë për të drejtat e njeriut me një përkushtim të palëkundur ndaj progresit, drejtësisë dhe parimeve të qëndrueshme që na bashkojnë në një komunitet global.