22 Mars 2019

Fjala E Avokates Se Popullit Ne Side Eventin E Dcaf Gjate Forumit Rajonal Te Un Ece


FJALA E AVOKATES SE POPULLIT NE SIDE EVENTIN E DCAF GJATE FORUMIT RAJONAL TE UN ECE

Të nderuar kolegë, pjesëmarrës në forumin rajonal të UN ECE!

Të dashur të pranishëm në këtë event.

Së pari jam e impresionuar nga kujdesi që agjencitë e Kombeve të Bashkuara i kushtojnë bashkëpunimit me Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe nga vlerësimi që ato tregojnë për rolin që këto institucione luajnë për t’i ndihmuar vendet tona të ecin në rrugën e realizimit të objektivave globalë.

Objektivat 16.6 dhe 16.7 shprehin zotimin e vendeve tona për të zhvilluar institucione të efektshme, të përgjegjshme dhe transparente në të gjitha nivelet, si dhe për të garantuar vendimmarrje reaguese, përfshirëse, pjesëmarrëse dhe përfaqësuese në të gjitha nivelet.
Po flasim pra për tekstilin që përbën mirëqeverisjen. Po flasim për një zbritje në nivel molekular në thellësitë e asaj substance e cila e bën demokracinë të jetë demokraci. E sigurisht këtu, kur bie fjala për vende si Shqipëria të cilat synojnë t’i bashkohen familjes së madhe të demokracive perëndimore, kemi parasysh një operacion të madh kombëtar për të cilin të gjitha institucionet duhet të shkëlqejnë me maksimumin e performancës së vet.
Mes këtyre institucioneve prej të cilave kërkohet performancë e shkëlqyer është edhe institucioni i Avokatit të Popullit, i cili është një institucion i pavarur kushtetues, që mban edhe rolin e institucionit kryesor kombëtar të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Por fillimisht, le të shohim sfondin e marrdhënies midis Shqipërisë dhe objektivave globalë.
Në shtator të vitit 2015, Shqipëria miratoi SDG, së bashku me të gjitha shtetet e tjerë anëtarë të Kombeve të Bashkuara. 
Në fillim të vitit 2016, qeveria miratoi Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Europian për periudhën 2015-2020. 
Këto ngjarje i paraprinë Programit të Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara 2017-2021 të cilin qeveria e nënshkroi në tetor 2016 me të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Shqipëri.
Për të plotësuar kuadrin ligjor, në dhjetor 2017 Parlamenti i Shqipërisë miratoi Rezolutën: “Për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të agjendës 2030 të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara”.
Mund të konstatojmë pra se Shqipëria zyrtarisht jo vetëm që ka shprehur vullnetin për plotësimin e të gjithë SDG-ve, por edhe ka hedhur hapa për ta shoqëruar këtë angazhim me dokumenta ligjorë të cilët presin vetëm të zbatohen.
Nuk ka veprimtari të institucionit të Ombudsman-it të Shqipërisë e cila në thelb nuk frymëzohet nga një ose disa SDG për të cilat vendi ynë ka marrë angazhim.
Çdo fundviti institucioni ynë organizon një konferencë kombëtare me fokus gjendjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Shqipëri. Kjo konferencë dhe tematikat e saj në vite, të cilat vazhdimisht u referohen çështjeve të mirëqeverisjes dhe të drejtave të njeriut, gëzon një reputacion të konsiderueshëm në vend dhe merret për referencë nga një mori organizatash vendore e ndërkombëtare me veprim në Shqipëri, nga institucione shtetërore e agjenci të ndryshme. Në dhjetor 2016, me mbështetjen e zyrës së Kombeve të Bashkuara në Tiranë, organizuam konferencen me temën “Ndërthurja e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të drejtave të njeriut – synimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe roli i institucioneve të të drejtave të njeriut në implementimin e tyre”. 
Konferenca trajtoi imtësisht të 17 SDG duke angazhuar një numër ekspertësh të fushës, përfaqësues të institucioneve shtetërore, përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar, si dhe të shoqërisë civile. Konferenca konkludoi me disa Rekomandime për Qeverinë dhe Parlamentin, për zbatimin e Axhendës 2030 dhe vlerësohet se ka shërbyer si një udhërrëfyes për kuadrin ligjor që miratoi më pas qeveria dhe parlamenti në lidhje me SDG-të.

Konferenca e mësipërme e AP vinte pas pjesëmarrjes së institucionit tonë në Konferencën e 12-të të Komitetit Ndërkombëtar Koordinues të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (ICC-Aktualisht GANNHRI), me temë “The Sustainable Development Goals: What Role for National Human Rights Institutions?” mbajtur në Merida, Jukatan - Meksikë, më 8-10 tetor 2015. Në këtë conference u miratua edhe Deklarata e Meridës “Mbi rolin e institucioneve të të drejtave të njeriut në Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm”, e cila theksonte rolin specifik në procesin e zbatimit dhe monitorimit të Axhendës 2030, që kanë institucionet e Ombudsmanit, si një nga aktorët kryesorë të angazhuar në mbrojtje dhe respektim të të drejtave të njeriut, të cilat përbëjnë edhe bazën e konceptimit të SDG-ve.

Duke qenë siç e përmenda, institucioni kryesor kombëtar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ne të Avokatit të Popullit në Shqipëri, i kemi të qarta detyrat tona.
Prej nesh varet monitorimi i vazhdueshëm i të drejtave të njeriut, duke siguruar në çdo rast respektimin e tyre nga çdo institucion, bazuar në 17 SDG-të.
Gjithashtu ne duhet të sigurohemi për integrimin në mënyrë të qartë të 17 SDG-ve në plane veprimi, raporte dhe dokumente të tjera, bazuar në referenca të qarta ndaj këtyre objektivave, të prodhuara nga zyra e Avokatit të Popullit (Publikimi i këtyre raporteve do të shërbejë për të nxitur shtetin në zbatimin e Axhendës 2030);
Roli ynë mbetet thelbësor për nxitjen e strukturave përkatëse shtetërore, për promovimin e SDG-ve, si dhe nxitjen e institucioneve shtetërore, NGO-ve dhe biznesit privat, që të integrojë në planet dhe veprimtarinë e tyre 17 SDG-të.

Por jo vetëm kaq. Detyrë për institucionin tonë mbetet që të garantojë bashkëpunimin e ngushtë me të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në zbatimin e Axhendës 2030; të ndihmojë për hartimin e një metodologjie të qartë monitorimi mbi zbatimin e 17 Objektivave, e cila do të shërbejë si bazë për të monitoruar cilësinë e hartimit, zbatimit dhe raportimit të politikave nga ana e qeverisë si dhe të forcojë bashkëpunimin me institucione të tjera që prodhojnë dhe grumbullojnë të dhëna statistikore përfshirë Institutin e Statistikave, Akademinë e Shkencave dhe Organizata të shoqërisë civile.

Dua të kthehem sërish tek SDG 16.6 dhe 16.7, të cilat janë edhe fokusi i këtij eventi. 
Në Shqipëri ka një sërë institucionesh që merren (ose me saktë duhet të merren) me zbatimin e detyrimeve që lindin nga këto objektiva. Duke pasur parasysh veprimtarine e DCAF e cila kryesisht është e fokusuar tek institucionet e sigurisë, unë do të ndalesha shkurtimisht tek forcat e armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe tek sistemi ynë gjyqësor.
Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë duhet thënë se edhe pse të vogla në numër, paraqesin një nga institucionet për të cilat ka më pak vërejtje në kuadrin e plotësimit të objektivit 16.6 mbi zhvillimin e institucioneve efektive, të përgjegjshme dhe transparente në çdo nivel dhe objektivit 16.7 mbi vendimmarrjen efikase, përfshirëse, pjesëmarrëse dhe përfaqësuese në të gjitha nivelet. 
Forcat e Armatosura të Shqipërisë jo vetëm që kanë kaluar prej kohësh nën kontroll civil, por ato janë anëtare qysh prej vitit 2009 në NATO duke adoptuar të njëjtat standarde të efektivitetit, përgjegjësisë, transparencës si edhe forcat e tjera anëtare në këtë Aleancë, si dhe të njëjtat standarde vendimmarrjeje si partnerët e tjerë.
Gjithashtu Forcat e Armatosura shqiptare kanë dhënë kontributin e tyre jo vetëm në operacione luftarake (Afganistan e Irak), por edhe në misione monitorimi, si përshembull patrullimi në ujërat e Detit Egje (ndërmjet Turqisë dhe Greqisë) në kuadër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Nëse shohim kompatibilitetin e sistemit gjyqësor shqiptar me objektivat 16.6 dhe 16.7, shohim se ai përballet me sfida të mëdha.
Pa u zgjatur dua t’ju informoj se prej vitit 2016 në Shqipëri është duke u kryer një nga reformat më të mëdha të ndërmarra ndonjëherë.
Në aspektin ligjor është amenduar Kushtetuta dhe është miratuar një paketë prej 20 ligjesh, ndërsa në praktike ka nisur procesi i Vettingut, i cili nënkupton kalimin e të gjithe gjyqtareve dhe prokuroreve ne detyre në një process të imtësishëm verifikimi të veprimtarive dhe të të ardhurave të tyre.
Mund t’ju them se deri tani, kur procesi është në fillimet e tij, janë larguar rreth 12 % e gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit dhe si rezultat Shqipëria ka humbur stafin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykata e Lartë është pjesërisht funksionale (punon me ¼ e kapacitetit), ndërkohë që vështirësi po shfaqen edhe në Gjykatat e Apelit.
Është një proces mjaft kompleks, unë nuk do të futem në detaje, por për ta lidhur me temën tonë, mund të them me shqetësim se në planet e hartuara për këtë Reformë, nuk përmenden në mënyrë eksplicite angazhimet e marra në kuadrin e SDG-ve.
Gjatë përgatitjes së këtij diskutimi, konsultova edhe nivelin e zbatimit te SDG-ve (veçanërisht atyre 16.6 dhe 16.7 dhe më rezultoi se zbatimi i SDG-ve për vitin 2018, nuk ishte ai që ne institucionet e Ombudsmanëve do të dëshironim.
Po kështu edhe në një nga klasifikimet, rezultonte se Shqipëria ishte një ndër vendet e fundit në zbatimin e SDG-ve, gjë që tregon se edhe ne si insititucion kombëtar i Ombudsmanit duhet të shtojmë përpjekjet tona. 
E mbyll me këto nota vetë kriticizmi këtë prezantim duke shprehur besimin se vetëm duke qenë maksimalisht kërkues ndaj vetes dhe funksionit që secili prej nesh kryen në kontekstin e vet lokal apo kombëtar, ne do të arrijmë më në fund të plotësojmë puzzle-n e madh global të objektivave të Axhendës 2030. Ne sot luftojmë me pjesëzat e tij e nuk mund ta shohim pikturën e madhe. Por kjo nuk duhet të na ndalojë ne të ëndërrojmë se ai përmban premtimin e një të ardhmeje të mrekullueshme për fëmijët tanë.
Faleminderit.