10 Korrik 2026

Endrit Shabani Në Vlorë, Avokati I Popullit Vendos Institucionet Përballë Qytetarëve


Endrit Shabani në Vlorë, Avokati i Popullit vendos institucionet përballë qytetarëve

Avokati i Popullit, Endrit Shabani, zhvilloi sot në Vlorë një forum të hapur dialogu, ku qytetarët ngritën shqetësimet e tyre në një komunikim me përfaqësuesit e pushtetit vendor, institucioneve qeveritare dhe drejtuesit e Gjykatës e Prokurorisë së Vlorës.

Diskutimet u dominuan nga çështja e pronave dhe vendimi për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës drejt Tiranës, që i detyron qytetarët vlonjatë të udhëtojnë për dosjet e tyre.

Shqetësim u ngrit edhe nga familjet e tregtarëve që po zhvendosen nga projektet e rikonstruksionit pa garanci ligjore për t’u rikthyer, si dhe për integrimin e pakicave rome dhe egjiptiane e nevojën për më shumë shërbime sociale për personat me aftësi të kufizuara.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Shabani deklaroi:

“Të drejtat e pronësisë nuk janë thjesht numra në kartela e regjistra kadastralë. Pas çdo prone të bllokuar nga konfliktet e pronësisë fshihet mundi, historia dhe sakrifica e një familjeje.”

Në përfundim, Shabani u kërkoi të gjitha institucioneve pjesëmarrëse të caktojnë pika kontakti të dedikuara për ankesat e qytetarëve të Vlorës, që çdo çështje të marrë përgjigje të shpejtë dhe të bazuar në ligj.