Endrit Shabani Shkon Në Shkup Dhe Del Në Krah Të Studentëve: Garantimi I Gjuhës Shqipe Është E Drejtë Kushtetuese
Pas vizitës në Kosovë, Avokati i Popullit i Shqipërisë, z. Endrit Shabani, dhe homologu i tij, z. Naim Qelaj, zhvilluan një takim zyrtar në Shkup me Avokatin e Popullit të Maqedonisë së Veriut, z. Faton Selami.
Në takim u diskutua për protestat e fundit të studentëve shqiptarë dhe për garantimin e përdorimit të gjuhës shqipe në arsimin e lartë.
Në cilësinë e Avokatit të Popullit dhe Presidentit të Organizatës së Avokatëve të Mesdheut (AOM), z. Shabani kërkoi që kërkesat e studentëve të mos trajtohen si një problematikë rutinë administrative. Ai e vendosi çështjen në kontekstin e saj historik dhe ligjor, si një shtyllë thelbësore të shtetit të së drejtës.
"Marrëveshja e Ohrit nuk ishte thjesht një instrument për të ndalur një konflikt, por një kontratë e re sociale për të ndërtuar një shtet të përbashkët e pluralist,"- u shpreh z. Shabani.
"Njohja e gjuhës është respektim i ekzistencës dhe i të drejtës për t'u përfaqësuar në hapësirën publike. Procedurat administrative dhe vullnetet politike të momentit nuk mund të mbivendosen mbi të drejtat e fituara dhe të ushtruara prej vitesh. Garantimi i kësaj të drejte është test për stabilitetin rajonal dhe kusht themelor për integrimin evropian të shoqërive tona,"-tha Avokati i Popullit i Shqipërisë.
Nga ana e tij, Avokati i Popullit i RMV, z. Selami informoi se institucioni që ai drejton ka nisur një hetim me iniciativën e tij dhe e ka ngritur problemin e ligjit të gjuhëve pranë instancave më të larta shtetërore. Ai u shpreh optimist për një zgjidhje të shpejtë e pozitive, e cila do t'u mundësojë studentëve shqiptarë dhënien e provimeve të profesionit në gjuhën amtare.
Gjithashtu, z. Selami informoi se po përgatitet një raport i veçantë mbi përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike.
Në përfundim të takimit, të tre krerët e institucioneve u angazhuan për një koordinim të ngushtë në monitorimin dhe mbrojtjen e lirive të njeriut në rajon, si pjesë e pandashme e vlerave europiane.