25 Qershor 2024

Dita Portokalli E Muajit Qershor, Dedikuar Grave Diplomate


Dita portokalli e Muajit Qershor, dedikuar grave diplomate

Dita Ndërkombëtare e Gruas në Diplomaci solli një vëmendje të merituar për gratë shqiptare, të cilat kanë treguar lidership, përkushtim dhe forcë të jashtëzakonshme në përfaqësimin dhe promovimin e vlerave të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

 

Ndaj sot, datën 25 të muajit, Ditën Portokalli, Avokati i Popullit ia dedikon këtyre grave të guximshme dhe të përkushtuara, si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të nderuar punën e tyre.

 

Kjo ditë na kujton rëndësinë e barazisë gjinore dhe diversitetit në shumë sfera të jetës, sikurse dhe në diplomaci, duke theksuar nevojën për të siguruar që gratë të kenë mundësi të barabarta për të kontribuar dhe për të udhëhequr në nivel global.

 

Referuar botimit të INSTAT “Burra dhe gra në Shqipëri”, shifrat tregojnë se për vitin 2021, pjesëmarrja e grave në misionet diplomatike rezulton të jetë: 30.8% gra Ambasadore, 66,7% Ministre Fuqiplotë, 46,2% Ministre Këshilltare, 56,5% Këshilltare, 63,6% Sekretare të Para, 59% Sekretare të Dyta dhe 50% Sekretare të Treta.  

 

Rrugëtimi për të njohur forcën dhe potencialin e grave kalon nëpërmjet kuotave, por ato vijojnë të mbeten kufizuese nëse vlerësojmë kontributin real të grave në shoqëri. Forca dhe potenciali i grave për të qenë aty ku merren vendimet e rëndësishme janë thelbësore për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë.

 

Prej 2008 kemi një Ligj “Për Barazinë Gjinore në shoqëri”,  i cili përcakton detyrimin ligjor të përfaqësimit të barabartë, ndërsa prej dhjetorit 2023, Qeveria Shqiptare ka miratuar një Plan Veprimi për Zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara “Për gruan, paqen dhe sigurinë”, 2023-2027, ku një sërë masash janë përcaktuar për rritjen e përfaqësimit të grave në vendimmarrje dhe diplomaci dhe po kështu po zbaton Strategjinë Kombëtare e Barazisë Gjinore 2021-2030. Avokati i Popullit po ndjek zbatimin e kësaj strategjie dhe i ka kërkuar autoriteteve përgjegjëse të shtojnë përpjekjet për arritjen e objektivave të kësaj strategjie.

 

Le të jemi më pranues ndaj kontributit të grave në çdo fushë, le të inkurajojmë po kështu vajzat e reja për të qenë diplomatet dhe ambasadoret e paqes sot dhe në të ardhmen! ‎