10 Dhjetor 2023

Dita Ndërkombëtare Të Të Drejtave Të Njeriut, Avokati I Popullit Apelon Për Më Shumë Angazhim Dhe Veprime Konkrete


Dita Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Avokati i Popullit apelon për më shumë angazhim dhe veprime konkrete

Sot, le të reflektojmë dhe të përballemi me realitetet brenda kuadrit të të drejtave të njeriut në Shqipëri, ndërsa analizojmë rrugëtimin e Shqipërisë drejt drejtësisë, barazisë dhe dinjitetit për të gjithë.

 

 

Në ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në rolin tim si Avokate e Popullit, nuk mund të mos theksoj domosdoshmërinë e një reflektimi gjithëpërfshirës mbi sfidat aktuale.

 

 

Shqipëria ka bërë hapa të qenësishme, megjithatë ne duhet jo vetëm të evidentojmë arritjet, por të kemi guximin për t'u përballur me dështimet dhe të zotohemi e të marrim hapa korrektues menjëherë.

 

 

Kjo ditë duhet të jetë dhe duhet të ndihet për këdo si një katalizator për ndryshimin, një moment ku ne angazhohemi kolektivisht për të adresuar shkaqet rrënjësore të shkeljeve të të drejtave të njeriut, për të shkuar përtej retorikës dhe për të siguruar që kornizat tona ligjore dhe shoqërore të mbrojnë dhe fuqizojnë vërtet çdo qytetar.

 

 

Angazhimi ynë ndaj të drejtave të njeriut duhet të matet me veprimet konkrete që ndërmarrim për të hequr barrierat, për të përforcuar zërat e margjinalizuar dhe për të korrigjuar padrejtësitë sistematike.