18 Nëntor 2025

Delegacioni I Kongresit Të Autoriteteve Vendore Dhe Rajonale Vizitë Monitorimi Në Institucionin E Avokatit Të Popullit


Delegacioni i Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale vizitë monitorimi në Institucionin e Avokatit të Popullit

Institucioni i Avokatit të Popullit mirëpriti sot një vizitë monitorimi nga Delegacioni i Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale, zhvilluar në kuadër të vlerësimit të përmbushjes së angazhimeve të vendeve anëtare ndaj Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore. Vizita synoi të shkëmbejë eksperienca, të kuptojë sfidat aktuale dhe të vlerësojë nivelin e bashkëpunimit midis institucioneve të pavarura dhe autoriteteve vendore në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit – znj. Erinda Meli, Komisionere për Seksionin e Administratës Qendrore, Pushtetit Vendor dhe Palëve të Treta, z. Fatbardh Zenelaj, Sekretar i Përgjithshëm, dhe z. Alket Jaupi, Ndihmëskomisioner i Seksionit të Administratës – diskutuan me raportuesit e Kongresit, z. Anders Knape dhe z. Sören Schumacher, si dhe me përfaqësuesen e Sekretariatit të Kongresit, znj. Svitlana Pereverten, dhe ekspertin e pavarur të Kartës, Prof. Zoltán Szente.

Biseda u fokusua te roli i institucionit në marrëdhëniet me pushtetin vendor, duke u ndalur te çështjet që prekin drejtpërdrejt qytetarët: ankesat më të shpeshta në nivel lokal, rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe pjesëmarrja e qytetarëve – veçanërisht e atyre që i përkasin pakicave kombëtare – në jetën publike dhe politike në nivel lokal.

Delegacioni u njoh gjithashtu me risitë kryesore të draft-ligjit të ri “Për Avokatin e Popullit”, i cili ndodhet në proces konsultimi publik. Ndryshimet e propozuara synojnë forcimin e mandatit të institucionit, zgjerimin e mbikëqyrjes edhe në sektorin privat dhe përmirësimin e funksionimit të seksioneve, të mbështetur nga një strukturë buxhetore më efikase.

Takimi shërbeu si një mundësi e rëndësishme për të thelluar bashkëpunimin dhe për të forcuar rolin e autoriteteve vendore në garantimin e të drejtave të njeriut në çdo komunitet.