Bruksel-Avokati I Popullit, Në Një Intervistë Për Euronews Albania Mbi Raportimin Në B.E, Aktualitetin Dhe Sfidat E Institucionit
Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, në një intervistë për Euronews Albania, ndau detaje mbi raportimin e tij në institucionet e BE-së. Fokusi i diskutimeve ishin sfidat kritike të të drejtave të njeriut në Shqipëri: çështja e pronave, zvarritja e proceseve gjyqësore dhe numri i lartë i të paraburgosurve, me theks të veçantë te personat me aftësi të kufizuara dhe ata me probleme të shëndetit mendor.
Lidhur me të drejtën e tubimit dhe veprimet e policisë, Avokati deklaroi:
"Nuk ka protestë që nuk monitorohet nga institucioni. Po hetohen protokollet e përdorimit të gazit lotsjellës dhe forcës në tubime, dhe i kemi kërkuar policisë protokolle të qarta se kush e jep urdhrin e përdorimit."
Gjithashtu, ai informoi se ekipet e Avokatit të Popullit kanë zbritur menjëherë në terren për të trajtuar ankesat pronësore të banorëve në Durrës dhe Rrjoll, çështje të cilat mbeten nën hetim aktiv.
Në përfundim, u ritheksuan tre objektivat thelbësore të mandatit të tij kushtetues:
1. Shkurtimi i kohës së përgjigjes ndaj qytetarëve.
2. Rritja e zbatueshmërisë së rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
3. Konsolidimi i besimit të publikut tek institucioni.
Ndiqni intervistën e plotë me gazetarin Ilir Kazaferi: https://www.youtube.com/watch?v=oGFTeJFWKAI