Avokati I Popullit Nga Berlini: Vetëm 25% E Vendimeve Të Strasburgut Zbatohen Në Kohë
Avokati i Popullit, Endrit Shabani, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të organizuar në Berlin nga Ministrja e Drejtësisë, znj. Stefanie Hubig dhe rrjeti ENNHRI, mbi një nga sfidat më kritike për të drejtat e njeriut sot: ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Gjatë diskutimeve, z. Shabani solli në vëmendje një tregues shqetësues për vendin tonë.
“Vetëm 25% e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut arrijnë të ekzekutohen në kohë. Ky ngadalësim institucional cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve te drejtësia dhe te shteti i së drejtës. Një vendim gjyqësor e përmbush qëllimin e tij vetëm kur kthehet në përmirësim konkret të jetës së qytetarëve, duke ndryshuar ligjet dhe duke parandaluar shkeljet e ardhshme”,-tha Shabani.
Çdo vendim i pa-ekzekutuar është një qytetar që ka fituar të drejtën në Strasburg, por ende pret drejtësi në Shqipëri.
Si mekanizëm i pavarur, Avokati i Popullit do t’i paraqesë gjetjet e veta nga monitorimi në terren drejtpërdrejt tek Komiteti i Ministrave, organ i Këshillit të Evropës që mbikëqyr nëse shtetet po u binden vendimeve detyruese. Llogaridhënia e institucioneve ekzekutive dhe bashkëpunimi me Parlamentin janë hapat që e kthejnë këtë koordinim nga letra në zbatim.