Avokatja E Popullit Takon Ambasadoren E Kanadasë Në Shqipëri, Znj. Elissa Golberg
Avokatja e Popullit znj. Erinda Ballanca ka pritur sot në një takim Ambasadoren e Kanadasë në Shqipëri, znj. Elissa Golberg.
Gjatë takimit, Znj. Ballanca dhe Ambasadorja Golberg u ndalën në çështje me interes të ndërsjellë, të cilat ndër vite kanë nxitur marrëdhëniet diplomatike dhe dialogun mes dy kombeve.
Avokatja e Popullit dhe Ambasadorja Golberg diskutuan mbi perspektivat e mundshme për thellimin e bashkëpunimit, veçanërisht në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, parimeve demokratike dhe sundimit të ligjit.
Ndërsa përshëndeti angazhimin e fortë të Kanadasë në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut, Avokatja e Popullit solli në vëmendjen e bisedës se balanca mes kuadrit ligjor dhe institucioneve të dedikuara, përbëjnë çelësin e suksesit për mbrojtjen dhe promovimin e të të drejtave të njeriut.
Njëkohësisht, znj. Ballanca shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të Kanadasë në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve tona, ndërsa theksoi se në premisën e vlerave të përbashkëta, të ndërtuara në 35 vitet e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, vlen të rritet dhe promovohet edhe më tej niveli i bashkëpunimit.
Ambasadorja e Kanadasë, znj. Elissa Golberg evidentoi gjatë takimit rolin e rëndësishëm të zyrës së Avokatit të Popullit në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe shkëmbimit të eksperiencës në fusha të tilla si qeverisja, drejtësia dhe të drejtat e njeriut.