21 Maj 2024

Avokatja E Popullit Prezantoi Raportin Vjetor 2023 Në Komisionin Për Çështjet Ligjore, Administratën Publike Dhe Të Drejtat E Njeriut.


Avokatja e Popullit prezantoi Raportin Vjetor 2023 në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, ka prezantuar sot Raportin Vjetor për vitin 2023 në një seancë dëgjimore në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. 

Në këtë dëgjesë më shumë se katër orë u parashtruan shumë detaje përmbajtësore, referuar interesit të anëtarëve të këtij  komisionit mbi shumë çështje të trajtuara në raport.
 

Prezantimi i znj. Ballanca kishte një qasje të detajuar, përtej thjesht shifrave dhe statistikave, duke përfshirë një analizë të hollësishme mbi problematikat kryesore, rekomandimet për përmirësime dhe përpjekjet e ndërmarra për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe funksionimin e institucioneve në Shqipëri gjatë vitit 2023.

 

Gjithashtu, Avokatja e Popullit ka bërë prezent edhe qëndrimin institucional mbi disa çështje të aktualitetit, mjaft sensitive për opinionin publik, duke treguar angazhimin dhe transparencën e institucionit në adresimin e disa problemeve të rëndësishme dhe emergjente që lidhen me të drejtat e njeriut.

 

Më poshtë fjala prezantuese e Avokates së Popullit si dhe video e seancës së plotë dëgjimore ku u adresuan pyetjet dhe çështjet e parashtruara nga ana e anëtarëve të Komisionit: 

https://m.facebook.com/video.php/?video_id=373333035717472

Paraqitja e Raportit Vjetor të Avokatit të Popullit pranë Komisionit të Ligjeve, është një nga momentet më të rëndësishme të punës së këtij institucioni, pasi përmblidhet e gjithë veprimatria jonë por ka dhe një analizë të detajuar të sfidave, progresit dhe nevojave në fushën e të drejtave të njeriut. Gjithashtu në këtë Raport përmblidhen edhe të gjitha arritjet e vendit, në çështjet e të drejtave të njeriut, stanjacioni apo regresi në fusha të caktuara; një analizë gjithëpërfshirëse dhe në zbatimin e standarteve.

Ajo që Avokati i Popullit është munduar të përçojë gjatë gjithë punës së tij gjatë këtyre viteve është se çështjet e të drejtave të njeriut duhet të jenë në qendër të çdo veprimtarie shtetërore. Duhet të formësohen duke pasur në qendër dhe në bazë të drejtat e njeriut, pasi vetëm në këtë mënyrë ne mund të arrijmë progresin dhe të realizojmë qëllimin, i cili është në fakt i shpalosur edhe në Preambulën e Kushtetutës.

Në këtë raportim, Avokati i Popullit vjen me një strukturë të plotë, kur them me strukturë të plotë kam parasysh Avokatin e Popullit në detyrë dhe pesë komisionerë të cilët janë të emëruar dhe në mandat të plotë. Pozicioni i Avokatit të Popullit megjithëse është një pozicion për t’u zgjedhur prej dy vitesh, ende nuk ka arritur që të përzgjidhet përsëri titullari i institucionit. Mua më duhet ta sjell në vëmendjen tuaj pasi është dhe një nga detyrat e progres raportit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Në këtë Progres Raport, paraqitet në mënyrë të hollësishme fakti që Avokati i Popullit duhet të jetë në pozicion me detyrë të plotë dhe me mandat të plotë për të realizuar më mirë qëllimin për të cilin ky institucion është krijuar.

Unë e kam thënë në mënyrë të vazhdueshme se gjatë të gjithë vitit, ne jemi në një përpjekje të pareshtur edhe në diskutimet tona të brendshme, pasi na duket sikur ka shumë gjera për të bërë për çështjet e të drejtave të njeriut, dhe kemi një ndjesi pamjfatueshmërie të vazhdueshme në punën që kemi bërë. Por kur vjen momenti i paraqitjes së Raportit Vjetor, janë të vetmet ditë ndoshta, në të cilat ndjehemi mirë kur shikojmë se çfarë kemi bërë dhe sesi ka ecur puna e Avokatit të Popullit gjatë vitit të kaluar.

Ne kemi pasur dhe rekomandimet e lëna në Rezolutën e Kuvendit të cilat janë miratuar në korrik, kemi pasur një periudhë relativisht të shkurtër për t’i paraqitur dhe për t’i përmbushur të tëra në nivel përmbajtësor dhe në nivelin e kuptueshmërisë.

Unë ju kam paraqitur një tabelë në të cilën është Avokati i Popullit në shifra për vitin 2023, për të kuptuar se cilat kanë qënë realisht çështjet që ne jemi marrë dhe kemi trajtuar, kjo sepse puna është komplekse. Pra, në total, kemi trajtuar 7056 shqetësime të qytetarëve, pra 7056 persona të cilët i kanë rënë derës së Avokatit të Popullit dhe kanë kërkuar diçka. Një pjesë e madhe e tyre, 5426, janë këshillime dhe orientime. Pra, ne kemi këshilluar dhe orientuar qytetarët ku ta zgjidhin të drejtën e tyre dhe si ta zgjidhin të drejtën e tyre dhe çfarë të bëjnë apo ku duhet të paraqesin problematikën që ata kanë. Një numër shumë i madh i këtyre 5426 këshillimeve dhe orientimeve janë bërë në nivel lokal, pra janë bërë nga zyrat lokale të Avokatit të Popullit, të cilat në këtë vit edhe falë mbështetjes që na është dhënë nga Komisioni i Ligjeve nuk janë më zyra me kohë të pjesshme, por janë persona me kohë të plotë, janë përfshirë në strukturën e institucionit të Avokatit të Popullit.

Ne gjithashtu kemi marrë 238 raste me inciativë, pra çështje në të cilat kemi identifikuar se ka një nevojë që të veprojmë vetë pa pritur që të vijë në mënyrë klasike qytetari dhe të kërkojë adresimin e problematikës së tij nga Avokati i Popullit. Po ashtu ne kemi qënë në terren dhe kemi kryer 1138 inspektime dhe monitorime. Pjesën më të madhe të këtyre monitorimeve e zënë monitorimet e kryera në kufijtë shtetërore pikërisht për të parë flukset migratore nga Greqia. Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Shqipëria, janë në krye të institucioneve të Ballkanit për adresimin e nevojave të qytetarëve apo shtetasve të huaj të cilët janë migrantë të paligjshëm në vendin tonë.

Ne kemi trajtuar më tej në thelb dhe në themel 1317 ankesa, kemi bërë 266 rekomandime ku kemi gjetur shkelje të të drejtave të njeriut dhe në këto rekomandime kemi pasur 1275 nënrekomandime. Janë 621 institucione shtetërore të cilave u jemi drejtuar dhe kemi pasur gjithashtu një numër shumë të madh rastesh, që janë 572 raste të cilat janë zgjidhur për qytetarët pa pasur nevojë për rekomandim. Pra, vetëm me një regjistrim, me nisjen e rastit dhe me trajtimin e korrespondencën përkatëse me institucionet shtetërore ne kemi pasur një zgjidhje të hallit të qytetarit dhe kjo është gjithashtu një arritje shumë e madhe. Në zbatim të kërkesës dhe vëmendjes së Kuvendit për të pasur sa më shumë ditë të hapura në lidhje me promovimin e të drejtave të njeriut, të drejtat e grupeve të ndryshme, ne kemi organizuar 49 ditë të hapura gjatë vitit të kaluar.

Po ashtu institucioni i Avokatit të Popullit, ka marrë pjesë dhe ka dhënë kontritube në 49 raportime kombëtare dhe ndërkombëtare. Kemi zhvillluar 5 projekte me organizatat ndërkombëtare për zbatimin e çëshjeve të drejtave të njeriut në vend. Kemi marrë pjesë në 90 aktivitete ndërkombëtare, të gjithë si institucion për efekt të promovimit, trajnimit dhe sigurisht të kuptueshmërisë më të thelluar të problematikave.

Kemi paraqitur 6 opionine Amicus Curiae në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo është një arritje shumë e mirë dhe një punë shumë e madhe, dhe këtu dua realisht të theksoj rolin e Gjykatës Kushtetuese në përfshirjen e Avokatit të Popullit në çështjet e të drejtave të njeriut në mënyrë konstante, duke na kërkuar në mënyrë të vazhdueshme opinione mbi këto çështje dhe një pjesë e madhe e opinioneve të Avokatit të Popullit kanë qënë në frymën e vendimeve përfundimtare të marra nga kjo Gjykatë.

Gjithashtu dhe një nga detyrat që ka marrë më shumë kohë dhe dedikim nga institucioni i Avokatit të Popullit kanë qënë 29 procedura për verifikim të thelluar të kandidatëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një punë masive e cila është kryer nga institucioni ynë në muajt korrik – dhjetor të vitit të kaluar.

Po ashtu kemi paraqitur në mënyrë specifike për secilin prej rasteve edhe çfarë ka bërë secili prej seksioneve. Ku është përqëndruar,sa raste ka pasur, të kujt viteve kanë qënë, etj, duke sjellë një kapitull të plotë statistikash të cilat jo vetëm shërbejnë si statisikat e institucionit, por edhe si statistika për të drejtat e njeriut. Sepse me këto të dhëna ne kuptojme se për çfarë ankohen më shumë qytetarët, çfarë problematikash kanë më shumë qytetarët, cilat janë ato institucione të cilat nuk kanë bashkëpunim të mirë, ku mund të përmirësohet bashkëpunimi, etj.

Ajo ku ne kemi gjetur një bashkëpunim thelbësor dhe cilësor për vitin e dytë radhazi, është me organet ligjzbatuese. Dhe niveli më i lartë i zbatimit të rekomandimeve, lidhet pikërisht me policinë, burgjet dhe Ministrinë e Drejtësisë, që në fakt nuk është e zakonshme për institucionet simotra. Ne në këtë kuadër kemi krijuar dhe realizuar besoj një bashkëpunim thelbësor dhe shumë të mire.

Duke parë ndër vite, rekomandimet e Avokatit të Popullit kanë qenë në të njëjtën frymë me të gjithë Progres Raportet e vendit dhe janë referuar si standarde për trajtimin e tyre edhe nga institucione ndërkombëtare. Unë do të tërheq vëmendjen vetëm në dy çështje të cilat mund të jenë më konkrete dhe që kanë vëmendjen e institucionit të Avokatit të Popullit duke ruajtur gjithësesi të drejtën që t’i përgjigjem pyetjeve në lidhje me procedurën për përzgjedhjen për këshilltar gjyqësor dhe prokurorial.

Në vitin e kaluar Avokati i Popullit ka marrë një vlerësim i cili është kryer nga Bashkimi Evropian përpara se të hapej kapitulli 23. Dhe ky ka qenë një nga vlerësimet më të detajuara, deri në qelizë, të të gjithë institucionit. Unë jam shumë e lumtur që kur ka ardhur raporti nga Bashkimi Evropian për institucionin tone, i cili është paraqitur edhe pranë jush në kuvend, ka qenë një raport për të cilin kam qenë shumë e lumtur që ne kemi patur rezultate si në vijim. Institucioni është konsideruar si një institucion nga më të besueshmit në Ballkan, i strukturuar dhe ato probleme që ata kanë identifikuar janë problematika që ne i kemi identifikuar dhe që janë pjesë e procesit. Ata kërkojnë disa ndryshime ligjore të cilat duhet të bëhen në institucionin e Avokatit të Popullit për të përfshirë mandatin edhe në sektorin privat. Ne aktualisht përsa i përket sektorit të ankesave kemi vetëm sektorin publik si pjesë të veprimtarisë dhe të aktivitetit, ndaj kërkohet që mandati ynë të shtrihet edhe në sektorin privat. Kjo gjë duhet të ndryshojë edhe për Avokatin e Popullit, sikundër ka ndodhur me institucionet e tjera që janë miratuar më pas, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe të Dhënave Personale, të cilët kanë mandat edhe në sektorin privat. Ndërkohë, nga Bashkimi Evropian konsiderohet që ka vend që Avokati i Popullit ta ushtrojë mandatin e vet më fortë në dy fusha: fusha e parë lidhet me të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, duke e konsideruar si një nga elementet thelbësore të shtetit të së drejtës. Pra, Bashkimi Evropian konsideron se pavarësisht aktivizimit të Avokatit të Popullit që ka pasur për çështjen e zgjedhjeve, ka nevojë që përgjithësisht të ketë një trajtim më përmbajtësor edhe në lidhje me këtë aspekt. Dhe fusha tjetër lidhet me aktivizmin e shtuar që ata kërkojnë që Avokati i Popullit të ketë në avancimin e trajtimit të propozimeve ligjore për ndryshime në legjislacion që lidhen me të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara dhe konkretisht të komunitetit LGBTIQ. Këto janë dy problematikat që janë identifikuar nga Bashkimi Evropian ku kërkohet një vëmendje më e madhe e Avokatit të Popullit në agjendën e të drejtave të njeriut.

Çështje tjetër e cila gjithashtu ka pasur një vëmendje të shtuar nga Avokati i Popullit ka qenë paraqitja e raportit të CPT-së, Komitetit të Parandalimit të Torturës për Shqipërinë. Ky komitet vjen një herë në katër vjet në Shqipëri dhe bën një vizitë periodike. Në vizitën periodike të bërë në vitin 2023 ata paraqitën në Dhjetor të vitin të kaluar edhe raportin dhe aty ka një sërë gjetjesh përsa i përket prolematikave që lidhen me sistemin penitenciar dhe me të gjithë ambjentet ku qytetarët nuk janë të lirë për të lëvizur, pra janë të ndaluar për të dalë prej atyre institucioneve. Kjo parimisht lidhet me burgjet dhe policinë por lidhet dhe me një numër tjetër shumë të madh institucionesh të cilat në nivel tradicional ne nuk i kemi pasur institucione të përfshira apo të konsideruara si të tilla, që janë shtëpitë e të moshuarve, shtëpitë ku trajtohen personat me aftësi të kufizuara, shtëpitë e fëmijëve, pra të gjitha këto institucione ashtu si dhe spitalet psikiatrike janë institucione për të cilat CPT ka bërë një raport të plotë, ka pasur gjetje shumë të rëndësishme, në linjë me gjetjet e Avokatit të Popullit ndër vite. Shqetësimi kryesor që është në atë raport dhe duhet të adresohet besoj nga ana juaj, përveç atyre që janë strukturore, lidhet me nivelin shumë të lartë të numrit të personave të burgosur për 100 mijë banorë, që ka Shqipëria. Ne kemi një nga numrat më të lartë apo një nga përqindjet më të larta në Këshillin e Evropës për të burgosur për 100 mijë banorë dhe fatkeqësisht një numër tmerrsisht të lartë të paraburgimit. Gjithashtu në lidhje me dënimin me burgim të përjetshëm, Këshilli i Evropës e konsideron si trajtim denigrues faktin që personat e dënuar me burgim të përjetshëm nuk kanë mundësi asnjëherë të kenë një shpresë që nëse do të sillen mirë apo nëse do të rehabilitohen të kenë mundësi për të dalë nga burgu.

Këto janë çështjet kryesore që unë do doja të sillja në vëmendjen tuaj, sepse detyra kryesore besoj edhe e Avokatit të Popullit është që përveç trajtimit të rasteve individuale, të identifikojë dhe të trajtojë linjat kryesore në të cilat besohet se çështjet e të drejtave të njeriut duhet të ecin në vend dhe në këtë kuadër unë referova këto dy raportime të cilat i kam gjetur me shumë rëndësi.