Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Tryezën E Diskutimit Mbi Ndikimin E Covid-19 Në Demokraci
Avokatja e Popullit Erinda Ballanca mori pjesë sot në Tryezën e Diskutimit “Menaxhimi i Pandemisë Covid-19: Ndikimi i tij në demokracinë dhe prokurimet publike në Shqipëri”.
Tryeza u organizua nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, me mbështetjen e Rockefeller Brothers Fund, e në të merrnin pjesë zyrtarë të institucioneve publike dhe atyre të pavarura, organizata të shoqërisë civile e përfaqësues të medias në vendin tonë.
Në parashtresën e saj, Avokatja e Popullit u përqendrua te nevoja që kufizimet e diktuara nga menaxhimi i pandemisë të shërbejnë për të nxjerrë mësime e vlerësuar rëndësinë e lirive e të drejtave të njeriut.
“Ne duhet të sigurojmë që institucionet tona demokratike të mbeten të forta, edhe pas kësaj pandemie. Që qytetarët tanë të mos ngurrojnë prej inercisë së kufizimeve për të ushtruar të drejtat e tyre si ajo e tubimit paqësor, e fjalës, apo mendimit kritik”, u shpreh Avokatja e Popullit.