22 Dhjetor 2023

Avokatja E Popullit Merr Pjesë Në Jurinë Vlerësuese Të Konkursit Për Gjyqin Imitues


Avokatja e Popullit merr pjesë në jurinë vlerësuese të konkursit për gjyqin imitues

Avokatja e Popullit, Znj. Erinda Ballanca, ishte pjesë përbërëse në jurinë e vlerësimit për Konkursin e 10-të Kombëtar "Gjyqi Simulues i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – Shqipëri".  

 

Ky konkurs, i organizuar nga Qendra Europiane dhe Civil Rights Defenders, arriti në fazën finale pas përzgjedhjes me shkrim dhe një gjysmë-finale të mbajtur më 15 dhjetor 2023. 

 

Konkursi synonte të familjarizojë studentët e së drejtës me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.  

 

Pas një konkurence të fortë dhe paraqitjeve dinjitoze nga 6 skuadrat e para, përballja në finale të këtij edicioni u bë mes Universitetit Luarasi dhe Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. 

 

Skuadra fituese e këtij konkursi i cili u zhvillua në ambientet e Gjykatës Kushtetuese u shpall ajo e studentëve të Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, të cilët me një diferencë të ngushtë pikësh, janë përzgjedhur për të vijuar pjesëmarrjen edhe në të tjera konkurse ndërkombëtare.  

 

Prezenca e znj. Ballanca në jurinë e këtij konkursi është tregues i angazhimit në forcimin e bashkëpunimit institucional midis Avokatit të Popullit, institucioneve arsimore dhe shoqërisë civile, duke ndihmuar në krijimin e një mjedisi aftësues më të pasur për zhvillimin e drejtësisë.