23 Mars 2018

Avokatja E Popullit, Erinda Ballanca Merr Pjese Ne Forumin Mbi Grate Ne Sherbimin Publik


AVOKATJA E POPULLIT, ERINDA BALLANCA MERR PJESE NE FORUMIN MBI GRATE NE SHERBIMIN PUBLIK

 

Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit u shpreh:

"Ju falënderoj për mundësinë për të bashkëbiseduar me ju sot. Jam e sinqertë kur them se temën e këtij diskutimi: “Gratë përballë dukurisë së gjuhës së urrejtjes” e prita me shumë interes.

Pas pak ditësh, institucioni i Avokatit të Popullit, do të paraqesë përpara Kuvendit raportin vjetor per situaten e gjendjes se te drejtave te njeriut per vitin 2017. 

Ne traditen e vendeve demokratike me kete rast, ka edhe nje diskutim apo persiatje me te hollesishme te avokatit te popullit ku ai shpreh ate qe e ka shqetesuar me shume apo me fort e qe domosdoshmerisht nuk eshte nje ceshtje qe i perket ngushtesisht nje individi por karakterizon apo prek nje pjese te rendesishme te shoqerise. 

Kete vit une kam zgjedhur te shpreh qendrimin tim kritik ne lidhje me gjuhen e urrejtjes dhe mungesen e komunikimit korrekt publik te tere aktoreve ne vend, dashurine mjerane te diskurit tone politik e shoqeror per batuten dhe mungesen e pergjegjesise per te adresuar thelbin.

Po ashtu, shumicës së miqve dhe vizitorëve shqiptarë dhe të huaj të cilët gjatë këtyre muajve të drejtimit tim në Institucionit kanë qenë të interesuar të dinë cili do jetë fokusi ynë, përgjigjja që u kam dhënë ka qenë: gruaja, të drejtat e saj, lufta e saj për barazi dhe emancipim.

Me mijëra ankesa trajtohen nga institucioni i Avokatit të Popullit çdo vit. Dhe një numër i madh prej tyre vijnë nga gra e vajza, të punësuara ose jo në administratën shtetërore. 

Më besoni se është pothuajse e pamundur që në analizë të fundit, të ketë një ankesë që ato bëjnë për një padrejtësi apo shkelje që është ushtruar mbi to, që nuk ka në zanafillë gjuhen e sjelljen e konfliktit dhe/ose urrejtjes.

Gjuha e urrejtjes ndaj gruas, është fatkeqësisht shumë më e ashpër se ajo ndaj burrit në shoqërinë tonë. Të qenurit grua, ende tek ne merret si të ishte një arsye për të qenë ose e pakualifikuar mjaftueshëm, ose e paaftë mendërisht apo emocionalisht për të përballuar një detyrë me rëndësi e për të bërë karrierë.

Si rezultat i kësaj llogjike mosbesimi dhe nënvlerësimi, lind edhe gjuha e urrejtjes. Dhe urrejtja është një formë dhune.

Dhuna ndaj gruas është dhunë ndaj jetës. Mirëpo, të jemi të sinqertë, dhuna verbale nuk është vetëm fjala e ashpër apo nënçmuese ndaj gruas. Dhunë është edhe lëvdata false - terminologjia objektifikuese që e redukton gruan thjesht në një “femër” me funksione vetëm riprodhuese apo dekorative.

Më saktë, konceptimi i gruas si një send i cili meriton asgjë më tepër sesa ta përkëdhelësh dhe manipulosh me gjeste apo me fjalë. Kjo sjellje e cila e përjashton gruan nga marrja e saj seriozisht, është gjithashtu një formë e urrejtjes ndaj saj.

Secila grua që del jashtë kësaj skeme, që refuzon t’i nënshtrohet këtij objektifikimi dhe që e vë dijen, arsimin, mençurinë, këmbënguljen dhe punën e saj në dobi të avancimit të saj në shoqëri, më pas duhet të bëjë llogaritë me sharjet, me nënkuptimet për arsyet “e vërteta” të përparimit të saj, e të tjera.

Të dashura kolege, mikesha, zonja, shoqe e bashkëudhëtare. Kjo është sfida jonë më e madhe për të sotmen dhe të nesërmen. Është lufta jonë. Ne mund ta fitojmë atë vetëm së bashku.

Ju faleminderit".