Avokatja E Popullit Erinda Ballanca Adreson Kombet E Bashkuara Në Emër Të Rrjetit Europian Të Institucioneve Kombëtare Të Të Drejtave Të Njeriut (Ennhri)
![AVOKATJA E POPULLIT ERINDA BALLANCA ADRESON KOMBET E BASHKUARA NË EMËR TË RRJETIT EUROPIAN TË INSTITUCIONEVE KOMBËTARE TË TË DREJTAVE TË NJERIUT (ENNHRI)](/media/manager/website/articles/53934094_1860830900687841_6419280617640296448_n_ANiuY8i.jpg)
Duke adresuar Forumin Rajonal të UN ECE në mbyllje të punimeve, në sesionin me temë “Bashkimi i pikave: Avancimi drejt fuqizimit, përfshirjes dhe barazisë në rajon”, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca u shpreh se po sillte një mesazh në emër të të drejtave njerëzore në këtë forum duke vënë në dukje kontributin e Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut në kuadrin e Objektivave Globalë të OKB-së.
Në cilësinë e anëtares së bordit të Rrjetit Europian të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (European Network of Human Rights Institutions - ENNHRI), i cili grupon 44 institucione të tilla nga radhët e vendeve të Këshillit të Europës, Avokatja e Popullit të Shqipërisë ka folur për nevojën përherë e më të madhe që zëri i këtyre institucioneve të dëgjohet më fort nga të gjithë.
“Në kontekstin ku hapësira demokratike në Europë po pëson rrudhje, roli ndërlidhës i Institucioneve të të Drejtave të Njeriut mes shtetit dhe shoqërisë civile është i një rëndësie në rritje e sipër”, u shpreh Avokatja Ballanca.
“ENNHRI u bën thirrje autoriteteve kryesore shtetërore që t’i angazhojnë Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut më ngushtë në proceset e realizimit të Objektivave Globalë, në konsultimet dhe planet e angazhimit dhe t’i përfshijnë këto institucione në përgatitjen dhe ndjekjen e Raporteve Vullnetare Kombëtare”, u shpreh Avokatja e Popullit.