Avokatit Të Popullit Mban Konferencën “Strukturat Kombëtare Dhe Ndërkombëtare Për Mbrojtjen E Të Drejtave Të Njeriut: Praktikat E Mira Dhe Përvojat E Fituara”.

Në kuadër të aktiviteteve me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, u zhvillua Konferenca e nivelit të lartë me temë: “Strukturat Kombëtare dhe Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut: Praktikat e Mira dhe Përvojat e Fituara”.
Konferenca mblodhi së bashku personalitete të larta të institucioneve shqiptare, përfaqësues të institucioneve evropiane e organizatave ndërkombëtare, Avokatë të Popullit aktualë dhe ish-Avokatë të Popullit të Shqipërisë. Diskutimet u përqendruan në sfidat aktuale dhe forcimin e partneriteteve mes aktorëve vendas dhe të huaj për të garantuar standarde të larta demokratike.
Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, theksoi se: “Jemi këtu për të reflektuar mbi të drejtat e njeriut dhe për të analizuar sfidat e thella që po has mbrojtja e tyre – me shumë “vatra” të hapura edhe në Evropë, ku mendonim se këto të drejta ishin të konsoliduara dhe se standardet ndërkombëtare nuk po ja dalin gjithmonë të respektohen. Por Shqipëria ka mundësinë të jetë një faktor pozitiv në ruajtjen e këtyre të drejtave, sidomos në prag të anëtarësimit në BE. Ne i kemi kërkuar Kuvendit të miratojë Kartën Themelore të të Drejtave të Njeriut para se të hyjmë në Bashkimin Evropian, duke treguar kështu një model pozitiv.
Znj. Ballanca solli në vëmendje edhe një shqetësim të përsëritur shpesh në debatin publik: “Proceset e përzgjedhjes së Avokatit të Popullit po bëhen gjithnjë e më të politizuara dhe të vështira. Kjo ndodh sepse roli i institucionit po forcohet vazhdimisht dhe, rrjedhimisht, aktorët politikë tregohen gjithnjë e më të kujdesshëm për të ruajtur ekuilibrin përballë autoritetit në rritje që merr Avokati i Popullit. Kjo sfidë kërkon menaxhim të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm. Por mbi të gjitha, ne duhet të mbajmë në konsideratë një parim thelbësor: Kemi detyrimin për të mos i qenë mirënjohës atyre që na emërojnë, por për t’i shërbyer vetëm misionit që na ngarkon Kushtetuta. Ky duhet të jetë thelbi i punës sonë”, u shpreh znj. Ballanca.
Me këtë mesazh, Avokatja e Popullit theksoi se forca e institucionit qëndron te pavarësia e tij e patjetërsueshme dhe te përkushtimi i palëkundur ndaj qytetarëve dhe të drejtave të tyre.
Ndër të tjera, Avokatja e Popullit shprehu mirënjohjen për punën e bërë gjatë këtyre 25 viteve dhe vlerësoi kontributin e paraardhësve të saj, z. Dobjani dhe z. Totozani.