7 Mars 2018

Avokati I Popullit Uron Për 7 Marsin Dhe Apelon Për Më Shumë Përpjekje Shoqërore Për Ta Zhvilluar Arsimin


AVOKATI I POPULLIT URON PËR 7 MARSIN DHE APELON PËR MË SHUMË PËRPJEKJE SHOQËRORE PËR TA ZHVILLUAR ARSIMIN

 

Me rastin e 7 marsit, 131 vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe, Institucioni i Avokatit të Popullit apelon për të rritur përpjekjet për ta bërë arsimin sa më të aksesueshëm, sa më masiv dhe sa më të efektshëm.

Vetëm një shoqëri e cila kujdeset që çdo anëtar i saj të ketë mundësinë të përfitojë pa pengesë nga dija e akumuluar kolektive, është një shoqëri që zhvillon mendimin dhe përparimin e saj shpirtëror e material.

Një shoqëri e ndriçuar përmes arsimit është gjithashtu një shoqëri e aftë të asgjësojë çdo lloj tendence për ta dorëzuar demokracinë në duart e rrezikshme të despotizmit, autokracisë apo diktaturës.

Avokati i Popullit e nxit qeverinë që të gjejë mekanizmat për ta çuar arsimin, dijen dhe edukimin tek çdo qytetar shqiptar që ka dëshirë dhe nevojë për ta marrë atë.

Financimet për shkolla të reja, të pajisura dhe me stafe të bollshme jo vetëm që e shpëtojnë arsimin tonë nga pamundësia për të kryer me cilësi misionin e vet, por edhe u japin mundësinë politikëbërësve që të dëshmojnë vizionin, kulturën dhe atdhetarinë e tyre.

Përmirësimi i pagave dhe stafeve të arsimtarëve u rikthen atyre dinjitetin dhe respektin si autoritete të rëndësishme morale në shoqëri.

Çlirimi i arsimit nga marketizimi që e shndërron atë në mall në dispozicion të disave të privilegjuar dhe të paarritshëm nga shumica e disavantazhuar, duhet të kthehet në një sfidë të viteve që vijnë.

Duke u uruar përzemërsisht 7 marsin mësuesve dhe nxënësve shqiptarë, Institucioni i Avokatit të Popullit mbetet i angazhuar për të çuar përpara betejën për arsim e cila është njëherazi edhe një betejë për dinjitetin e njeriut.