13 Janar 2023

Avokati I Popullit Shpreh Shqetesimin Mbi Pengimin E Vezhguesve Te Kshh


AVOKATI I POPULLIT SHPREH SHQETESIMIN MBI PENGIMIN E VEZHGUESVE TE KSHH

Avokati i Popullit është njohur me shqetësimin e bërë publik nga ana e Komitetit Shqiptar të Helsinkit në lidhje me pengesat që i janë ngritur kësaj organizate nga ana e institucioneve shtetërore në misionin e vëzhguesve të saj për të monitoruar praktikën mbi humbjen e jetës së të pandehurit E.Sheshi.

Avokati i Popullit vlerëson se puna e organizatave të të drejtave të njeriut sikundër është edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit janë të një rëndësie jetike në një shtet demokratik dhe bën thirrje për reflektim të menjëhershëm nga ana e strukturave përgjegjëse.

Transparenca mbi veprimet ligjore që nuk përbëjnë sekret nuk është një procedurë fakultative por një detyrim moral në kontekstin e institucioneve që operojnë konform ligjit.

Avokati i Popullit pret që raste të tilla pengimi, zvarritjeje, vonese të qëllimshme, anashkalimi apo shpërfilljeje ndaj vëzhguesve të organizatave të të drejtave të njeriut, të mos përsëriten më dhe personat përgjegjës të mbajnë përgjegjësi ligjore. Secili zyrtar shtetëror duhet ta ketë të qartë që hapësira demokratike duhet të zgjerohet më tej e tkurrja e saj cenon rëndë aspiratën europiane të vendit tonë.