Avokati I Popullit Shënon 25-Vjetorin: Një Kthesë Në Demokracinë Shqiptare!

Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi një ceremoni zyrtare me rastin e 25-vjetorit të krijimit të tij, një ngjarje e shënuar që bëri bashkë personalitete të larta të shtetit shqiptar, përfaqësues të institucioneve të pavarura dhe atyre ndërkombëtare, organizata të shoqërisë civile, krerë të institucioneve fetare, etj.
Në fjalën e saj, Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, vuri në dukje se themelimi i këtij institucioni çerek shekulli më parë përfaqësoi një moment kyç për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri. Sipas saj, Avokati i Popullit ka shërbyer gjatë 25 viteve si një mekanizëm mbrojtës për qytetarin, një urë mes tij dhe institucioneve, duke promovuar përgjegjësinë publike dhe kulturën e të drejtave të njeriut.
“Në një Shqipëri që kishte dalë nga një diktaturë e egër, u krijua për herë të parë një institucion i dedikuar që kishte në qendër individin, jo si nënshtetas ndaj pushtetit, por si qytetar me të drejta që duhen mbrojtur e garantuar prej ekzekutivit”, theksoi Avokatja e Popullit.