15 Shkurt 2023

Avokati I Popullit Rekomandon Respektimin E Afateve Proceduralë Të Arrestimit Në Flagrancë Të Shtetasve


AVOKATI I POPULLIT REKOMANDON RESPEKTIMIN E AFATEVE PROCEDURALË TË ARRESTIMIT NË FLAGRANCË TË SHTETASVE

Gjatë shqyrtimit të ankesës të një shtetasi ndaj Komisariatit të Policisë Durrës për arrestim të padrejtë si dhe mos pasqyrimit në procesverbalin e arrestimit në flagrancë të kohës reale, Avokati i Popullit ka konstatuar se ora e arrestimit të tij e pasqyruar në procesverbalin e arrestimit në flagrancë, i cili është një nga dokumentet që administrohet në fashikullin penal, nuk ishte e saktë, sepse ishte vendosur ora e mbajtjes/përpilimit të procesverbalit dhe jo ora faktike e arrestimit të tij në flagrancë. Diferenca kohore ndërmjet orës faktike dhe asaj të pasqyruar në procesverbalin e arrestimit në flagrancë ishte 5 orë e 30 minuta.

Duke iu referuar neneve 144 e 250 të Kodit të Procedurës Penale, shënimi në procesverbal i çastit (orës) së arrestimit në flagrancë ose të ndalimit është një element i rëndësishëm mbi bazën e të cilit fillojnë të llogariten efektet e paraburgimit. Ndërsa në bazë të nenit 258, pika 1, të K.Pr.P., nga çasti (ora) e arrestimit ose ndalimit fillon afati i 48-të orëve, brenda të cilit prokurori kërkon vleftësimin e masës së sigurimit në gjykatën e vendit ku është kryer arrestimi ose ndalimi.

Përveç sa më sipër u konstatua se materialet procedurale nga ana e Komisariatit të Policisë Durrës ishin dërguar në organin e prokurorinë tej afatit të parashikuar në nenin 255/1, të K.Pr.P. Respektimi i detyrimi ligjor për njoftimin e menjëhershëm të prokurorit është me rëndësi sepse lidhet ngushtësisht me detyrimin e prokurorit që, brenda dyzet e tetë orëve nga arrestimi ose ndalimi, kërkon vleftësimin e masës në gjykatën e vendit ku është kryer arrestimi ose ndalimi. Mosrespektimi i këtij afati bën që arrestimi ose ndalimi të humbasë fuqinë.

Për këtë arsye, Avokati i Popullit i rekomandoi Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit: Marrjen e masave të nevojshme për analizimin e këtij rasti, nxjerrjen e përgjegjësive konkrete, ndryshimin e praktikës lidhur me shënimin e orës së arrestimit në flagrancë të shtetasve, dërgimin e materialeve procedurale në organin e Prokurorisë në mënyrë të menjëhershme në të gjitha rastet e arrestimeve në flagrancë ose ndalimeve të shtetasve nga oficerët e Policisë Gjyqësore dhe përgjithësimin e këtij rasti në strukturat në varësi me qëllim që shkelje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.