28 Shkurt 2023

Avokati I Popullit Rekomandon Avancimin E Të Drejtave Për Komunitetet Rome Dhe Egjiptiane Në Shqipëri


AVOKATI I POPULLIT REKOMANDON AVANCIMIN E TË DREJTAVE PËR KOMUNITETET ROME DHE EGJIPTIANE NË SHQIPËRI

Institucioni i Avokatit të Popullit u ka rekomanduar Bashkive mbi bazë qarku, hartimin dhe miratimin e dokumenteve strategjikë në nivel vendor (planeve vendore të zhvillimit), me qëllim përcaktimin e objektivave dhe parashikimin e marrjes së masave konkrete, në përputhje me bazën ligjore ekzistuese në fuqi, në frymën e luftës ndaj “antixhipsizmit” dhe për realizimin e procesit të integrimit real të komuniteteve Rome dhe Egjiptiane, që jetojnë në territorin administrativ të administruar nga ana ana e këtyre Bashkive.

Avokati i Popullit prej kohësh u ka kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të shtresave të cënueshme dhe komuniteteve në risk, në ushtrim të mandatit kushtetues për parandalimin e shkeljes, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

Qëllimi e vizioni ynë institucional, por dhe prioriteti i punës sonë në këtë drejtim ka qënë dhe mbetet monitorimi i gjendjes së jetesës së komuniteteve Rome dhe Egjiptiane të vendosura në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe masat e marra për plotësimin e nevojave bazike dhe përmirësimin e qëndrueshëm të jetesës së tyre.