Avokati I Popullit Nis Hetimin Mbi Rastin E Dënimit Të Nënës Së Një Foshnjeje Të Porsalindur
Institucioni i Avokatit te Popullit është njohur me rastin e bërë publik në media nga familjarët e shtetases me iniciale D.B., e cila është burgosur në bazë të vendimit të Gjykatës së shkallës së Parë Tiranë e vitit 2022, pas konvertimit të një dënimi me gjobë që kjo shtetase ka marrë po nga kjo gjykatë në vitin 2020 për braktisje të fëmijës së mitur.
Nga Avokati i Popullit është regjistruar rasti me iniciativë dhe menjëherë kanë filluar të kryhen veprimet e nevojshme hetimore, sikurse është administrimi i praktikës përkatëse dhe marrja takim me të dënuarën në IEVP Ali Demi 325.
Po ashtu Avokati i Popullit do t'i drejtohet me kërkesë për informacion drejtuar organit të prokurorise dhe strukturave të Policisë.
Sipas Kodit të Procedurës Penale (neni 476, gërma b), me vendim të gjykatës është e mundur të shtyhet ekzekutimi i vendimit, mbi bazën e kërkesës të të dënuarit, mbrojtësit ose të prokurorit në rastin kur e dënuara është shtatzënë ose me fëmijë nën një vjeç.
Në këtë rast ekzekutimi shtyhet gjersa fëmija të bëhet një vjeç. Me paraqitjen e kërkesës, është e drejtë e gjykatës të pezullojë ekzekutimin e vendimit gjer në shqyrtimin e saj.
Në përfundim të hetimit administrativ, institucioni i Avokatit të Popullit do të dalë me gjetjet përkatëse.