Avokati I Popullit Nis Hetim Të Pavarur Në Lidhje Me Sjelljen E Policisë Gjatë Protestës Së Prindërve Dhe Fëmijëve Në Aksin Elbasan-Librazhd
Në mediat e shkruara, konkretisht në gazetën “Panorama”, është publikuar një artikull “Shkolla e mbyllur në Mengel, policia u kërkon banorëve të braktisin protestën”, në të cilin trajtohet problematika e mbylljes së shkollës 9-vjeçare, në Mengel, Bashkia Elbasan, me qëllim rikonstruksioni. Prindërit dhe fëmijët nuk pranojnë zhvendosjen në një shkollë tjetër. Ata kanë kërkuar shpjegime nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, por nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare.
Në vijim, prindërit dhe fëmijët e kësaj zone, kanë protestuar duke bllokuar edhe aksin nacional rrugor, Elbasan-Librazhd. Protesta e tyre është trasmetuar në media, madje është intervistuar edhe një fëmijë, i cili pretendon, se ndaj tij është ushtruar dhunë nga një punonjës i forcave speciale. Ka patur raste edhe të shoqërimit të prindërve në komisariatin e Elbasanit.
Për këtë qëllim, në mbështetje të nenit 13, të ligjit nr. 8454 datë 4.2.1999 “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, Avokati i Popullit ka filluar procedurën e shqyrtimit të çështjes, me nismën e vet, për këtë rast të bërë publik.
Për një shqyrtim sa më objektiv të kësaj ngjarje të ndodhur në Mengel, Bashkia Elbasan, si dhe për të bërë të mundur kryerjen e misionit tonë kushtetues, mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të fëmijëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme apo të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj, institucioni i Avokatit të Popullit, Seksioni për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve, në bashkëpunim me Seksionin e Veçantë kanë ndërmarrë edhe një hetim të pavarur administrativ në institucionet përgjegjëse për këtë rast.