2 Mars 2023

Avokati I Popullit Ngre Zërin Kundër Vrasjes Së Grave Në Shqipëri


AVOKATI I POPULLIT NGRE ZËRIN KUNDËR VRASJES SË GRAVE NË SHQIPËRI

Avokati i Popullit dënon aktin e urryer kriminal të vrasjes së 3 grave dhe plagosjen e 3 të tjerave. Vrasja është një akt i dënueshëm e i pafalshëm ndaj cilitdo qytetari të shoqërisë, por vrasja e kryer mbi gratë, një prej hallkave më të dobëta e vulnerabël e shndërron atë në një vepër dyfish të shëmtuar.

Gruaja mbetet ende një cak i kollajshëm i krimit e kjo është sirena më serioze e alarmit për shoqërinë dhe autoritetet tona që ende po dështojnë ta adresojnë këtë situatë.

Edhe pse autori i dyshuar i këtij seriali krimi u kap nga autoritetet brenda një kohe të shkurtër, kjo nuk e justifikon dot lehtësinë me të cilën një person me një dosje kriminale e cila e paralajmëronte qartë potencialin dhe caqet fatkeqe të brutalitetit të tij, u la të përsërisë gjithçka kishte kryer më herët.

Avokati i Popullit bën thirrje që jo vetëm të shqyrtohen nga ana e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë të gjitha problematikat apo shkeljet e mundshme në trajtimin e veprave të mëparshme penale të kryera nga ky person, por edhe marrjen urgjente të masave për ndaljen e këtij cikli të tmerrshëm feminicidi që e ka kapur për fyti shoqërinë tonë.

Qeveria dhe institucionet përgjegjëse me shpejtësi duhet të mendojnë hapa konkretë jo thjesht shtrëngimin e legjislacionit penal për krimet ndaj grave, por edhe një seri reformash të cilat do të zhdukin rrënjët ushqyese të kësaj dukurie.