Avokati I Popullit Në Mbrojtje Të Një Familjeje Palestineze Nga Gaza: Asistencë Për Të Garantuar Të Drejtat Themelore Dhe Procedurat Ligjore Për Azil

Institucioni i Avokatit të Popullit ka dhënë asistencë ligjore dhe institucionale për një familje me origjinë nga Gaza, e përbërë nga prindërit dhe katër fëmijët e tyre të mitur, mes të cilëve edhe një foshnje 10 muajshe. Familja, pasi ka mbërritur në Shqipëri, ka kërkuar mbrojtje ndërkombëtare në vendin tonë, në përpjekje për një jetë më të sigurt dhe më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre.
Së pari, Avokati i Popullit shpreh mirënjohjen ndaj Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) dhe Drejtorit të Përgjithshëm të saj, z. Altin Hazizaj, për referimin në kohë të rastit të kësaj familjeje, si dhe për ndjeshmërinë dhe angazhimin profesional të treguar në evidentimin dhe adresimin e tij.
Ndërkohë, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Policisë Kufitare dhe të Emigracionit, si dhe me autoritetet e tjera përkatëse, Institucioni i Avokatit të Popullit ka ndjekur nga afër dhe brenda kuadrit ligjor të gjitha procedurat për statusin e tyre si azilkërkues, duke siguruar që të drejtat e tyre të respektohen dhe të mos ndodhte asnjë formë dëbimi i parakohshëm që mund të cenonte sigurinë e familjes.
Falë bashkëpunimit ndërinstitucional, familja është akomoduar në Qendrën e Azilkërkuesve në Babrru, ku ka gjetur kushte të përshtatshme strehimi dhe mbështetje sociale. Nga verifikimi i kryer nga Seksioni për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve pranë institucionit tonë, rezulton se familja është pritur në qendër në orët e mbrëmjes së së dielës, me miratimin përkatës të autoriteteve për emigracionin dhe policisë së Tiranës.
Gjatë intervistës së zhvilluar nga punonjësit tanë, bashkëshorti – një doktor profesor në fushën e IT-së – u shpreh shumë falënderues për mikpritjen dhe gatishmërinë për t’u integruar dhe për të kontribuar në arsimin universitar në Shqipëri.
Avokati i Popullit falënderon autoritetet përgjegjëse, në veçanti Drejtorinë e Policisë Kufitare dhe të Emigracionit dhe Ministrinë e Brendshme, për bashkëpunimin dhe reagimin në përputhje me angazhimet ligjore dhe ndërkombëtare që garanton vendi ynë në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të azilkërkuesve.