Avokati I Popullit Mori Pjesë Në Takimin Dhe Konferencën Vjetore Të Ganhri 2025
.jpeg)
Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, dhe Komisionerja e Seksionit të Përgjithshëm, znj. Vilma Shurdha, morën pjesë në Takimin dhe Konferencën Vjetore të Rrjetit Global të Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (GANHRI).
Më shumë se 250 përfaqësues nga Institucionet Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (IKDNJ), agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe shoqëria civile, morën pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme.
Ndër të tjera Konferenca Vjetore u fokusua në temën: “Të Drejtat e Grave dhe Vajzave: Promovimi i Barazisë Gjinore dhe Roli i IKDNj-ve”, duke shënjuar dhe 30-vjetorin e Deklaratës së Pekinit dhe Platformës për Veprim.
Ndërkohë, gjatë Takimit Vjetor u zhvilluan dy sesione të veçanta, ku u trajtuan:
• Roli i IKDNJ-ve në promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, përfshirë monitorimin e zbatimit të Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD) dhe strategjitë për politika më gjithëpërfshirëse.
• Procesi i akreditimit të IKDNJ-ve, duke reflektuar mbi praktikat e mira, sfidat dhe mundësitë për përmirësim, si dhe mbi mënyrat për të forcuar më tej rolin e institucioneve për të drejtat e njeriut në nivel global.
Pjesëmarrja e Avokates së Popullit në këtë forum të rëndësishëm riafirmoi angazhimin e institucionit për të drejtat e grave dhe vajzave, si dhe për forcimin e institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar.