13 Maj 2019

Avokati I Popullit Mikpret Përfaqësues Të Kuvendit, Zyrës Së Un, Këshillit Të Europës Dhe Shoqërisë Civile Në Ditën E Hapur Në Mbrojtje Të Të Drejtave Të Komunitetit Lgbti


AVOKATI I POPULLIT MIKPRET PËRFAQËSUES TË KUVENDIT, ZYRËS SË UN, KËSHILLIT TË EUROPËS DHE SHOQËRISË CIVILE NË DITËN E HAPUR NË MBROJTJE TË TË DREJTAVE TË KOMUNITETIT LGBTI

Në institucionin e Avokatit të Popullit u zhvillua sot dita e hapur në kuadrin e javës kundër homofobisë. Në fjalën e saj të mirëseardhjes, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca u shpreh:

“Aktivitetet që organizohen gjatë kësaj jave na krijojnë një mundësi për t’u solidarizuar me të drejtat e njeriut dhe grupeve të përjashtuara në veçanti. Ato janë një shans për të marrë më shumë informacion për të festuar faktin se një shoqëri është më e lumtur dhe më e emancipuar nëse arrin të pranojë në gjirin e saj të gjithë njerëzit pavarësisht racës, gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, bindjeve, etj.
Jam shumë e lumtur që në këtë takim sot jemi mbledhur bashkarisht përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të organizatave ndërkombëtare dhe të institucioneve që të flasim për respektimin e të drejtave të personave LGBTI, të cilët nuk kërkojnë asgjë tjetër veçse respektim të të drejtave të njeriut.
Mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut janë shtyllë kryesore për funksionimin normal të shteteve demokratike. Nga respektimi i të drejtave dhe lirive varet drejtpërdrejt zhvillimi politik, ekonomik dhe juridik i një shteti demokratik.
Shqipëria ka bërë një progres të rëndësishëm në vitet e fundit lidhur me njohjen e të drejtave të personave LGBTI.
Jo më larg se 10-15 vjet më parë, komuniteti LGBTI nuk njihej fare tek ne, pa folur që të promovoheshin të drejtat e tyre në shoqëri. Dukej sikur ky komunitet nuk ekzistonte. Nuk kishte një vend publik ku personat e komunitetit të takoheshin, komentet homofobike ishin shumë të përhapura, dhe kjo pranohej si diçka normale në shoqëri.
Situata ka ndryshuar, sot kemi një legjislacion efikas kundër diskriminimit, të drejtat e LGBTI diskutohen publikisht, ka një komunitet të konsoliduar dhe aktiv në mbrojtje të të drejtave, ka një Plan Veprimi me detyra konkrete për çdo institucion.
Në prioritetet e Avokatit të Popullit janë mbrojtja e të drejtave sidomos të grupeve vulnerabël ose grupeve të cilat gjenden në vështirësi në Republikën e Shqipërisë. Njëri nga këto grupe që, për mendimin tonë bën një jetë në kushte të vështira e që ndeshet me privimin e të drejtave është edhe komuniteti LGBTI.
Vështirësitë e këtij komuniteti ndeshen në të gjitha aktivitetet jetësore njerëzore, duke filluar që nga marrëdhëniet në familje, në punë, në shoqëri, në arsim, në kulturë, në shëndetësi. Pra, në të gjitha fushat e jetës dhe në mënyrë të veçantë ajo që ne kemi konstatuar është se ka vështirësi të mëdha perceptimi mbi komunitetin LGBTI.
Për rrjedhojë, për shkak të disa paragjykimeve ose të një kulture të prapambetur ata vazhdojnë të jenë objekt i sulmeve apo i trajtimit jo të duhur ose të dhunës ndaj tyre.
Në Shqipëri çështje që lidhen me përfshirjen dhe respektimin në shoqëri të grupeve vulnerabël si Romët dhe Egjiptianët, Personat me aftësi ndryshe, gratë e vajzat e dhunuara apo të trafikuara, personat LGBTI, kanë qenë tabu. Ato kanë qenë dhe janë çështje për të cilat ende ka nevojë që njerëzit dhe sidomos institucionet të njohin situatën e tyre, kushtet në të cilat jetojnë e punojnë dhe të shmangin diskriminimin e tyre.
Megjithatë Shqipëria, si një vend që zbaton dhe garanton demokraci dhe respektim të të drejtave të njeriut për këdo, është e angazhuar për respektimin e të drejtave të njeriut edhe për këtë komunitet.
Bashkëpunimi me organizatat e fushës, takimet e diskutimet me përfaqësues të komunitetit LGBTI, organizimi I aktiviteteve të tilla si ky I sotmi, sigurisht që shërbejnë që Avokati I Popullit, stafi i tij, të njihen me problematikat që i shqetësojnë këta qytetarë shqiptarë. Ata janë qytetarë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë në Republikën e Shqipërisë dhe jemi të sigurt se ata nuk kërkojnë asnjë të drejtë më shumë se asnjë qytetar tjetër i Republikës së Shqipërisë, por kërkojnë thjesht të drejtat e njeriut.
Ne vendin tonë tashmë ekziston një kuadër ligjor i cili garanton respektimin e të drejtave të njeriut. Që në Kushtetutë garantohen të drejtat; ndryshimet e bëra në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë me rekomandim të Avokatit të Popullit përfshinë një mbrojtje nga diskriminimi për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor në marrëdhëniet e punës. Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi gjithashtu është një ligj që siguron mbrojtje nga Diskriminimi. 
Por a ka probleme ende për këtë komunitet? Sigurisht që ka.
Dua të tërheq vëmendjen mbi dy nisma mjaft të rëndësishme, për të cilat Avokati I Popullit u ka kërkuar ministrive përgjegjëse që të ndërrmarin hapa, sicc është nisma për njohjen e identitetit gjinor në legjislacionin e gjendjes civile në Shqipëri, apo ndryshimet në Kodin e Familjes për bashkëjetesën mes partnerëve të të njëjtit seks, të cilat ende presin të miratohen. Bëhet fjalë për mungesën e një legjislacioni të përshtatshëm të plotë lidhur me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTI. Ka një numër mungesash në këtë legjislacion, të cilat ende nuk janë realizuar.
Ne do të vazhdojmë t’i nxisim këto institucione për realizimin e tyre.
Përveç përmirësimeve ligjore dhe plotësimit të tyre, do të theksoja si një faktor shumë të rëndësishëm, zbatimin e ligjeve në praktikë.
Nuk mundet që vetëm të hartohen ligje të mira apo në përputhje me standardet që kërkojnë konventat apo dokumentat e tjera ndërkombëtare që Shqipëria ka ratifikuar. 
Në të përditshmen ndodh që gjuha e urrejtjes apo diskriminimit, të gjejë vend në gazetat e përditshme, të gjejë hapësirën e saj në gojën e politikanëve të caktuar, të gjejë bartës tek ata qytetarë që bëjnë komente të ndryshme në Facebook apo në mediat sociale, çka krijon një situatë për të cilën Avokati I Popullit, si institucioni kryesor i mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri, është realisht i shqetësuar.
E përmenda edhe më parë, një shkak tjetër i cili për mendimin tim, ai më kryesori, është kultura politike, kultura në vend apo kultura e shoqërisë shqiptare.
Pavarësisht se jemi një vend që kemi jetuar për një periudhë shumë të gjatë në historinë tonë në regjime jodemokratike, apo që ende kemi nevojë për të arritur të krijojmë të gjithë atë kulturë të nevojshme demokratike që i bën njerëzit më të ndërgjegjshëm, politikanët më misionarë, institucionet më të kujdesshme, qytetarët më të ndërgjegjshëm për të drejtat e tyre, ne duhet të punojmë shumë më tepër për të bërë të njohur të drejtat e njeriut në përgjithësi.
Për këtë arsye ne si institucion I Avokatit të Popullit konsiderojmë si prioritar ndërgjegjësimin e shoqërisë për nevojat dhe trajtimin e bararabartë të këtyre kategorive, sepse thyerja e mentaliteteve e tabuve bën të mundur përmbushjen e angazhimeve, politikave e programeve me korrektësi dhe sukses.
Puna e institucionit tonë në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, por edhe me autoritetet shtetërore përgjegjëse, do të jetë për të synuar mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të personave LGBT, edhe në fusha apo për çështje të tjera.
Kam një falenderim e respekt të veçantë për përfaqësuesit e shoqërisë civile (Xhenin, Altinin, Arbrin, etj), të cilët kanë një forcë e vullnet të pandalshëm në kërkim të njohjes dhe të respektimit të të drejtave të komunitetit dhe në paraqitjen e problematikave të komunitetit në çdo institucion dhe drejtim.
I siguroj se institucioni I Avokatit të Popullit do të jetë gjithmonë në mbështetje të kauzës dhe bashkarisht do të kërkojmë promovimin e respektimin e këtyre të drejtave, në monitorimin e zbatimit të tyre, sidomos në shërbimet e ndryshme që jep shteti shqiptar: në shëndetësi, në arsim, në punësim, në formim profesional e të tjera,
Ndërsa zhvillojmë aktivitetet e javës IDAHO, kujtojmë Ditën kundër Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, dëshiroj të falënderoj të gjithë organizatat ndërkombëtare e në mënyrë të veçantë Organizatën e Kombeve të Bashkuara (Komisionerin e lartë për të drejtat e njeriut), Zyrën e Këshillit të Europës, EU OSBE, ambasadat e USA Hollandës etj , për mbështetjen e dhënë për promovimin e të drejtave të personave LGBTI dhe luftojnë diskriminimin dhe paragjykimet.
Në këtë luftë për mundësi të barabarta pavarësisht nga orientimi seksual ose identiteti gjinor, të gjithë mund të luajnë një rol, në nivelin e tyre të përgjegjësisë.
Të gjithë në pozitat respektive kemi mundësi për të treguar se pavarësisht diferencave, ne jemi të gjithë të barabartë, pavarësisht diferencave duhet të jemi të barabartë në shanse dhe mundësi dhe duhet të kemi të drejtën e shprehjes, dashurisë, mbledhjes dhe organizimit.
Duke promovuar barazinë përmes konceptit të diversitetit ne i bëjmë një apel shoqërisë shqiptare dhe publikut të gjerë që mbetet ende shumë paragjykues dhe ka ende nevojë për ndërgjegjësim për të ndryshuar dhe forcuar mbështetjen publike ndaj grupeve të marxhinalizuara.
Të drejtat LGBTI janë të drejtat e njeriut!
Së bashku mund të bëjmë më shumë për të mbrojtur të drejtat e njeriut!”