10 Nëntor 2018

Avokati I Popullit Kërkon Shpjegime Nga Autoritetet Zyrtare Mbi Situatën E Krijuar Në Unazën E Madhe


Avokati i Popullit kërkon shpjegime nga autoritetet zyrtare mbi situatën e krijuar në unazën e madhe

 

Institucioni i Avokatit të Popullit u ka kërkuar autoriteteve të ALUIZN-it, Autoritetit Rrugor dhe Bashkisë së Tiranës sqarime mbi situatën e krijuar në zonën e Astirit me rastin e projektit të zgjerimit të Unazës së madhe.

Pranë Institucionit të Avokatit të Popullit kanë paraqitur ankesën tyre një grup banorësh të zonës së Astirit, të cilët kanë shprehur pretendimin dhe shqetësimin e tyre për mungesë informacioni dhe njoftimi zyrtar lidhur me projektin e zgjerimit të segmentit rrugor në zonën e Astirit, si pjesë e Unazës së Madhe të Tiranës.

Konkretisht ata shprehen se me datë 31.10.2018 e në vazhdim, grupe punonjësish të disa strukturave shtetërore, janë paraqitur pranë objekteve të banorëve të zonës së sipërcituar dhe kanë piketuar vendet ku do të ndërhyhet në kuadër të zgjerimit të këtij segmenti të Unazës së Madhe, por nuk kanë dhënë sqarime të mëtejshme mbi projektin, apo njoftime zyrtare mbi ndërhyrjen, veprimet dhe procedurat që do të ndiqen në vijim.

Banorët theksojnë edhe faktin se në këtë zonë banojnë njerëz të varfër ekonomikisht, ka persona të moshuar, një pjesë përfitojnë përkrahje sociale, si edhe ka të sëmurë paraplegjik, ndërkohë që tashmë po përballen edhe me rrezikun e prishjes së banesave të tyre për shkak të punimeve të planifikuara për zgjerimin e këtij aksi rrugor.

Në një komunikim zyrtar para media, është bërë e ditur para disa ditësh se do të ndërhyhet ndaj një numri shumë të lartë objektesh banimi apo edhe shërbimi, por sipas banorëve nuk ka patur asnjëherë konsultim publik me komunitetin e banorëve të kësaj zone, si edhe ende nuk ka një informacion të qartë dhe njoftim zyrtar mbi projektin që do të zbatohet, duke përfshirë dhe të dhënat konkrete të tij.

Sa më sipër ankuesit kanë kërkuar ndërhyrjen e institucionit të Avokatit të Popullit për shqyrtimin dhe verifikimin e kësaj çështjeje me qëllim të mbrojtjes sa më efektive të të drejtave dhe interesave të tyre të ligjshme, si dhe për tu garantuar një proces të rregullt ligjor.

Në këtë kuadër, për nevoja të shqyrtimit të mëtejshëm nga institucioni jonë të kësaj çështjeje, del e nevojshme dhënia e shpjegimeve nga ana e autoriteteve, lidhur me pretendimet e ankuesve.

Këtë kërkesë për shpjegime e bazojmë në pikën 4, të nenit 63, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku thuhet shprehimisht se: “Organet dhe funksionarët publikë janë të detyruar t’i paraqesin Avokatit të Popullit të gjithë dokumentet dhe informacionet e kërkuara prej tij”, si dhe në gërmën b të nenit 19 të ligjit nr. 8454 datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, ku përkatësisht thuhet shprehimisht se:
“Në rastet kur vendos të kryejë hetime të pavarura, Avokati i Popullit ka të drejtë: b) “të kërkojë shpjegime nga çdo organ i administratës qendrore dhe vendore,si dhe të marrë çdo dosje apo material që ka lidhje me hetimin”.
Afati për dhënien e informacionit të parashikuar nga ky nen është 10 ditë, nga dita e rregjistrimit të kërkesës përkatëse”.

Avokati u ka kërkuar autoriteteve që t’i vënë në dispozicion një informacion sa më konkret dhe gjithëpërfshirës, si edhe dokumentacionin ligjor që ka lidhje me çështjen e parashtruar sa më sipër, me qëllim të indentifikimit sa më të shpejtë të problemit të parashtruar. Ne menyre te vazhdueshme institucioni i avokatit te popullit ka theksuar se transparenca ne vendimarrje dhe veprimtatine e organeve te administrates shteterore perben nje kusht te domosdoshem te mireqeverisjes e shtetit te se drejtes. Administrata shteterore nuk ka per detyre vetem te ushtroje pergjegjesi administrative shteterore por edhe te garantoje te drejtat e qytetareve. Pikerisht per shkak se ka pasur jo pak raste te cenimit te se drejtes se pronesise ne kuader te realizimit te projekteve strukturore, avokati i popullit ka hartuar e dorezuar ne kuvend nje raport te posacem per rastin e shpronesimeve te bera me Shkoze ku kuader te nje projekti instrastrukturor duke evidentuar problematikat perkatese.

Institucioni i Avokatit të Popullit si një organ që garanton e promovon aplikimin e standarteve më të larta të të drejtave të njeriut kërkon nga gjithë organet shtetërore por edhe qytetarët që të ushtrojnë me përgjegjësi të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre.