10 Nëntor 2018

Avokati I Popullit Harton Raport Mbi Shfrytëzimin E Punës Së Fëmijëve Në Bulqizë


AVOKATI I POPULLIT HARTON RAPORT MBI SHFRYTËZIMIN E PUNËS SË FËMIJËVE NË BULQIZË

Institucioni i Avokatit të Popullit në mbështetje të nenit 37 , të ligjit nr. 8454 datë 4.2.1999 “Për Avokatin e Popullit” të ndryshuar, me nismën e tij, ka përfunduar hartimin e raportit të veçantë “Puna e fëmijëve në Bashkinë Bulqizë”, për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi ekonomik. Raporti është dërguar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për shqyrtim të mëtejshëm.

Qëllimi i këtij raporti përfshin jo vetëm konstatimin e gjendjes aktuale për të cilën është raportuar gjerësisht në opinionin publik. Raporti konkretisht hedh një vështrim të thelluar mbi performancën në kuadrin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e fëmijëve nga ana e institucioneve përgjegjëse si ai i Prefektit, Bashkisë Bulqizë, Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijës, Drejtorisë Rajonale Arsimore, Drejtorisë Rajonale të Punësimit, Drejtorisë Rajonale të Inspektoratit të Punës, Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Komisariatit të Policisë Bulqizë.

Gjithashtu, qëllimi i këtij raporti është edhe dhënia e rekomandimeve për këto institucione përgjegjëse.

Mbështetur në detyrat funksionale dhe kompetencat që u njeh ligji, në drejtim të mbrojtjes dhe garantimit të të drejtave të fëmijëve, janë pikërisht këto struktura, të cilat duhet të identifikojnë në mënyrë aktive, rastet e shfrytëzimit të fëmijëve përpunë, kudo që kjo dukuri haset.

Gjithashtu edhe trajtimi me prioritet i çdo rasti të raportuar të fëmijës së shfrytëzuar dhe, ndërmarrja e veprimeve konkrete, për largimin e fëmijës nga situata e shfrytëzimit ekonomik, duhet të përbëjë një nga sfidat kryesore në përmbushjen e detyrimeve ligjore për zbatimin e interesit më të lartë të fëmijës.

Në mbështetje të legjislacionit ndërkombëtar dhe atij të brendshëm si dhe të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane e të Drejtave të Njeriut, shtetet kanë detyrimin pozitiv sipas nenit 4, të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, që të parandalojnë punën e detyruar dhe trafikimin, të mbrojnë viktimat dhe të ndëshkojnë shfrytëzuesit dhe trafikantët.

Institucioni i Avokatit të Popullit në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore ndërmori veprimet sipërpërmendura për garantimin me efektivitet të ushtrimit, respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.