Avokati I Popullit Dênon Sulmin Ndaj Top Channel
Avokati i Popullit dënon sulmin e natës së 27 marsit mbi ndërtesën e televizionit kombëtar Top Channel në të cilin humbi jetën një punonjës i sigurisë pranë këtij institucioni.
Ndërsa ngushëllon të afërmit e bashkëpunëtorët e të ndjerit për këtë humbje jete, Avokati i Popullit u kërkon autoriteteve ligjzbatuese që pa vonesë e me përparësi të hedhin dritë mbi ngjarjen e të vënë para përgjegjësisë autorët.
Sulmi ndaj çdo individi e subjekti është një akt i dënueshëm e i papranueshëm, por sulmi i armatosur ndaj një institucioni mediatik është një akt dyfish i shëmtuar. Ajo është një vepër e pafalshme e me pasoja të rënda pasi cënon drejtpërdrejt një mjet të komunikimit masiv, pra infrastrukturën informative të shoqërisë.
Avokati i Popullit i inkurajon gazetarët e Top Channel dhe të çdo mediumi tjetër në vend që të mos frikësohen por të vazhdojnë punën të sigurt për mbështetjen e solidaritetin e gjithë shoqërisë.