Ap Mbështet Hapjen Dhe Zhvillimin E Klasave Të Gjuhës Rome
Avokati i Popullit, në vijim të ushtrimit të misionit të tij kushtetues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ka një konsideratë të veçantë kundrejt të drejtave të pakicës kombëtare Rome.
Respektimi i të drejtave të kësaj pakice është i domosdoshëm për progresin e mëtejshëm të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Pas njohjes me rekomandimet e grupeve të interesit lidhur me ofrimin e mësimit të gjuhës rome, mbështetjen për hapjen dhe zhvillimin e klasave të gjuhës Rome nga instruktorë të kësaj gjuhe dhe ngritjen e një programi studimi për aftësimin e mësuesve të gjuhës rome, kemi nisur me iniciativë ndjekjen e çështjes së kualifikimit dhe punësimit të mësuesve të gjuhës rome, si dhe hapjen e degëve të studimit në gjuhë shqipe dhe Rome në universitetet e vendit, në ato qytete ku banon pakica Rome. Kjo iniciativë nxit jo vetëm politika të arsimimit por edhe politika të punësimit si një nga mënyrat më efikase për integrimin e anëtarëve të pakicës kombëtare Rome në shoqëri.
Në këtë kuadër, për të promovuar përfshirjen e komuniteteve Rome dhe Egjiptiane në arsimin e lartë, janë adresuar një sërë rekomandimesh për universitetet kryesore të vendit, konkretisht:
- Universiteti i Tiranës
- Universiteti "Aleksandër Moisiu", Durrës
- Universiteti "Eqerem Çabej", Gjirokastër
- Universiteti "Fan S. Noli", Korçë
- Universiteti "Luigj Gurakuqi", Shkodër
- Universiteti "Ismail Qemali", Vlorë
Këto rekomandime synojnë vlerësimin e mundësive për hapjen e programeve të studimit në gjuhët shqipe dhe rome, fillimisht në nivelin e parë dhe më pas edhe në nivelet e tjera.
Qëllimi i këtyre rekomandimeve është mbështetja dhe përmirësimi i qasjes në arsim për komunitetet Rome dhe Egjiptiane, duke krijuar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët dhe duke rritur përfshirjen sociale dhe akademike.