Shqipëria Në Tryezën Evropiane Për Ombudsmanët Dhe Të Drejtat E Njeriut

Forcimi i shtetit të së drejtës, garantimi i pavarësisë së institucioneve të Ombudsmanit dhe respektimi i standardeve ndërkombëtare të përcaktuara nga Parimet e Venecias, ishin në qendër të diskutimeve të Konferencës së Nivelit të Lartë për Ombudsmanët dhe Institucionet Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (IKDNj), e mbajtur në Strasburg.
Në këtë forum të rëndësishëm, Shqipëria u përfaqësua nga Avokatja e Popullit, znj. Erinda Ballanca, e cila ndau përvojën dhe sfidat në drejtimin e institucionit, për garantimin e pavarësisë dhe efektivitetit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Konferenca, e organizuar nga Këshilli i Evropës dhe Presidenca e Luksemburgut e Komitetit të Ministrave, përfshiu një sërë sesionesh plenare dhe workshope mbi mbrojtjen e të drejtave gjatë krizave dhe rolin e Ombudsmanëve në zbatimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në të drejtat themelore.
Pjesëmarrja e Avokates së Popullit në këtë ngjarje nënvizon angazhimin e institucionit për të sjellë në Shqipëri praktikat më të mira evropiane dhe për të forcuar mekanizmat e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në nivel kombëtar.