Avokati I Popullit I Rekomandon Policisë Që Të Thjeshtojë Dhe Qartësojë Për Qytetarët Procedurat E Njoftimit Për Zhvillime Tubimesh
AVOKATI I POPULLIT I REKOMANDON POLICISË QË TË THJESHTOJË DHE QARTËSOJË PËR QYTETARËT PROCEDURAT E NJOFTIMIT PËR ZHVILLIME TUBIMESH
Në një Rekomandim që Institucioni i Avokatit të Popullit i dërgoi Policisë së Shtetit, kërkohet që qytetarëve t’u vihen në dispozicion modelarë tip për të kryer online procedurën e njoftimit të Policisë për organizime tubimesh. Avokati i Popullit ka konstatuar se ka paqartësi në disa raste nga ana e qytetarëve si dhe pengesa nga ana e autoriteteve policore në disa raste të tjera, në lidhje me këto procedura. Ajo që duhet të jetë thjesht procedura e një njoftimi të thjeshtë, perceptohet gabimisht nga qytetarët si kërkesë për leje të posaçme e po ashtu trajtohet gabimisht nga policia në disa raste si e drejtë për të lejuar apo mos lejuar ushtrimin e kësaj të drejte bazë të qytetarëve siç është ajo për tubime paqësore.
Në Rekomandimin që Institucioni i Avokatit të Popullit i dërgon Policisë së Shtetit, ndër të tjera vihet në dukje se:
Në vijimësi në institucionin e Avokatit të Popullit kanë ardhur për shqyrtim ankesa nga subjekte të ndryshme, si persona fizik dhe juridik (OJQ, sindikata, grupime qytetarësh, etj.) të cilët kanë pasur pretendime ndaj organeve të Policisë së Shtetit për mos lejimin e ushtrimit të të drejtës për tubim të kërkuara prej tyre. Sipas subjekteve ankuese, pengesat e organeve të policisë kanë qënë për shkaqe nga më të ndryshme, si për mos bërjen e njoftimit organeve të policisë brenda afatit të parashikuar nga ligji, për mungesë të identitetit ose të adresës së organizatorit apo të drejtuesit të tubimit, për mos pasqyrimin në njoftim të qëllimit të tubimit, të datës, vendit, orës së fillimit dhe të përfundimit të tubimit apo të itinerarit të tij (nëse ka të tillë), të numrit të përafërt të pjesëmarrësve dhe numrit e personave ndihmës në mbarëvajtjen e tubimit, të identitetit të personave që do të flasin në tubim, etj.
Nga shqyrtimi i këtyre rasteve nga institucioni ynë ka rezultuar se, në pjesën më të madhe të tyre, organet e policisë me të drejtë u kanë kthyer përgjigje njoftuesve se njoftimet e tyre nuk plotësonin kriteret ligjore të parashikuara në ligjin “Për tubimet. Ndërsa në disa raste njoftimet e subjekteve për tubim janë refuzuar për arsye se vendi i kërkuar për tubim nuk ka qënë i përshtatshëm, pasi bëhej pengesë për lëvizjen normale të shtetasve dhe të automjeteve. Gjithashtu ka pasur edhe raste që përgjigjet e organeve të policisë për plotësim të dhënash, apo për refuzimin e tubimit nuk kanë qënë korrekte, por janë gjetur shkaqe të paqënësishme për të refuzuar njoftimet apo kthyer përgjigje se gjoja ato nuk plotësonin kriteret ligjore. Ndërkohë kemi konstatuar që drejtuesit e organeve të policisë (Shefat e Komisariateve), të cilëve iu drejtohen këto njoftime, nuk nxjerrin vendime të arsyetuara për komunikim me organizatorin ose drejtuesin e tubimit për ndalimet dhe kufizimet e mundshme ose kushtet e tjera, duke përshirë edhe numrin e personave që do të ndihmojnë në mbarëvajtjen e tij, sipas nenit 6/1/a të ligjit “Për Tubimet” , apo për ndalimin e tubimit në sheshe ose vendkalime publike, apo për përcaktimin e kohës dhe vendit të zhvillimit të tubimit, sipas nenit 8 të këtij ligji .
Mos nxjerrja e një vendimi të arsyetuar mbi kërkesën (njoftimin) për tubim nga ana e Shefit të Komisariatit të Policisë, jo vetëm që nuk është qëndrim korrekt me ligjin, por në të njëjtën kohë bëhet shkak për cënimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor, pasi i mohon të drejtën ligjore kërkuesve për ankim ndaj vendimit të pritshëm të Shefit të Komisariatit të Policisë, të parashikuar në nenin 25 të ligjit “Për tubimet”.
Në rastet kur përgjigjet e organeve të policisë (Shefave të Komisariateve) nuk kanë qënë të bazuara në ligj apo nuk kanë qënë korrekte, policia është bërë shkak për shkeljen e një të drejte kushtetuese dhe ligjore të shtetasve për të tubuar lirisht. Ndërkohë ka pasur edhe raste që ndonëse policia ka refuzuar njoftimet, tubimet janë zhvilluar dhe pas kësaj policia ka bërë shpërndarjen me forcë të tubuesve dhe/ose ka bërë referime në organin e prokurorisë për fillimin e hetimeve ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve në tubim për veprën penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”, parashikuar nga nene 262 i Kodit Penal.
Theksojmë se, qëndrimet jo ligjore të mbajtuara në këto raste nga organet e policisë cënojnë rëndë imazhin e Policisë së Shtetit dhe besimin e publikut tek ky organ, të cilat janë të domosdoshme në kryerjen me sukses të misionit ligjor të saj për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike.
Njëri nga rastet e trajtuara nga institucioni ynë kohët e fundit është ai të cilin e kemi filluar me iniciativë pas bërjes publike nga disa media, i cili bënte fjalë për refuzimin nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë të kërkesës së Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome për të zhvilluar një tubim para Ministrisë së Brendshme në datën 22.05.2018, ora 11:00, për të protestuar për vdekjen në datën 17.05.2018 të shtetasit Enea Ftoj në dhomat e izolimit të Komisariatit të Policisë Korçë. Sipas mediave, refuzimi i tubimit të subjektit të mësipërm është në kundërshtim me të drejtën kushtetuese e ligjore të shtetasve për të tubuar dhe ndërkohë përbën diskriminim ndaj komuniteteve romë dhe egjiptian nga Polica e Shtetit.
Për të bërë të mundur shqyrtimin e këtij rasti, me shkresën e datës 04.06.2018 i kemi kërkuar shpjegime Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Kjo drejtori, me shkresën nr. 5406/1 prot., datë 13.06.2018 na ka informuar se, shtetasi E.Ç. në datën 22.05.2018, ora 09:50 (pothuajse një orë para tubimit), ka dorëzuar një kërkesë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për organizimin e një manifestimi në datën 22.05.2019, në orën 11:00-14:00, përpara godinës së Ministrisë së Brendshme në lidhje me vdekjen e të riut Enea Ftoj në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Korçë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë menjëherë pas marrjes së kërkesës, bazuar në pikën 3, të nenit 5 të ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, me shkresën nr. E-95/1 prot., datë 22.05.2018, i ka kthyer përgjigje organizatorit për plotësimin e njoftimit pasi ai nuk përmbante elementët e parashikuar në pikën 1 e 2 të nenit 5 të ligjit “Për tubimet” duke arsyetuar se:
“Për tubimet që zhvillohen në vende publike organizatori dhe drejtuesi i tubimit detyrohet të njoftojnë me shkrim, jo më vonë se tre ditë para datës së zhvillimit të tubimit.
Njoftimi me shkrim duhet të përmbante, identitetin dhe adresën e drejtuesit dhe të organizatorit të tubimit, si dhe personat që do të flasin në tubim.
Gjithashtu Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në shkresën drejtuar organizatorit ka shprehur angazhimin e saj për garantimin e zhvillimit normal të tubimit, pas plotësimit me shkrim të kërkesave të përcaktuara në ligjin “Për tubimet”.
Nga përgjigjia e Drejtorisë Vendore e Policisë Tiranë rezulton se, ky organ ka mbajtur këtë qëndrim ndaj njoftimit për tubimin të subjektit në fjalë sepse njoftimi i shtetasit E. Ç. nuk është bërë konform kërkesave të parashikuara në ligjin “Për tubimet”, si për afatin e bërjes së saj, për identitetin dhe adresën e drejtuesit apo organizatorit të tubimit, ashtu edhe për personat që do të flasin në tubim.
Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome, na ka dërguar një deftesë pranimi të objekteve postare me nr. 1001, datë 19.05.2018. Nga ky dokument rezulton se të paktën për datën e dërgimit të njoftimit informacioni i dërguar institucionit tonë nga DVP Tiranë nuk është korrekt, sepse ai i është dërguar tre ditë para dhe jo gati një orë para sikurse shprehet ky organ. Sipas akteve normative në fuqi, në rastet kur një dokument i dërgohet organeve shtetërore nëpërmjet zyrave postare, afati fillon në datën e dorëzimit të tij në postë dhe jo në datën kur dokumenti mbërrin në organ.
Avokati i Popullit shpreh qëndrimin e tij në lidhje me ushtrimin e të drejtës/lirisë së tubimit nga qytetarët si një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Sjellim në vëmëndje se liria e tubimeve është parashikuar dhe garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Pjesa e II-të “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, Kreu III “Liritë dhe të drejtat politike”, respektivisht në nenin 47 ku parashikohet se:
“1. Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar.
2. Tubimet paqësore në sheshe dhe në vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurave të parashikuara me ligj”.
Rregullat procedurale që disiplinojnë apo kushtëzojnë ushtrimin e kësaj të drejte janë të përcaktuara në mënyrë të shprehur në ligjin nr. 8773, datë 23.4.2001 “Për tubimet”, ku parashikohen edhe kufizimet apo ndalimet shteruese të cilat nuk mund të tejkalohen në ushtrimin e së drejtës së tubimit. Ky ligj pasi përcakton se, çdo person ka të drejtë të organizojë dhe të marrë pjesë në një tubim paqësor dhe pa armë, parashikon gjithashtu se Policia e Shtetit garanton dhe mbron të drejtën e çdo personi për të organizuar e marrë pjesë në tubime paqësore dhe pa armë. Ndalimi dhe shpërndarja e një tubimi lejohet vetëm në rastet e parashikuara me ligj. Nga referimi në përmbajtjen e dispozitave të këtij ligji rezulton në mënyrë të qartë se, detyrat e Policisë së Shtetit në lidhje me tubimet janë:
Së pari, veprime për garantim e ushtrimit të kësaj të lirie themelore kushtetuese të shtetasve dhe;
Së dyti, ndalimi i ushtrimit të kësaj të lirie/të drejte bëhet vetëm për raste të kufizuara dhe të përcaktuara qartë në ligj.
Theksojmë se e drejta e tubimit, që prej vitit 2001, vit në të cilin është miratuar ligji në fuqi, nuk i nënshtrohet asnjë formaliteti për miratim nga organet e policisë, sikurse parashikohej në ligjin e mëparshëm nr. 8145, datë 11.9.1996 "Për të drejtën e tubimeve", i cili është shfuqizuar tashmë. Për ushtrimin e kësaj të drejte kërkohet vetëm bërja e njoftimit në një kohë të përcaktuar i organeve të policisë ku të pasqyrohen disa të dhëna që lidhen me zbatimin e detyrës së saj si garantuese e ushtrimit të kësaj të drejte duke i dhënë kohe për të marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e tubimit. Madje ligji aktual në nenin 7 parashikon edhe të drejtën e shtetasve për zhvillimin e tubimeve urgjente në rastet kur ka rrethana urgjente, i cili mund të zhvillohet pa respektuar afatin e parashikuar në nenin 5 të këtij ligji, por detyrimisht duhet të bëhet njoftimi me shkrim i cili përmban elementët e përcaktuar në nenin 5, pika 2 të këtij ligji, si dhe arsyen e urgjencës. Në këto raste njoftimi duhet të bëhet menjëherë, po jo më vonë së 3 orë përpara kohës së zhvillimit të tubimit. Fakti që në ligjin aktual përdoret termi njoftim drejtuar Komisariatit të Policisë për zhvillimin tubimit dhe jo kërkesë është me shumë rëndësi dhe domethënës në favor të ushtrimit dhe garantimit të kësaj të drejte/lirie nga shtetasit. Nëse në këtë ligj do të parashikohej termi kërkesë për zhvillimin e tubimit, kuptohet në mënyrë të qartë se për të bërë të mundur ushtrimin e kësaj të drejte/lirie do të duhej miratimi i organit të policisë, sikurse ishte në ligjin e mëparshëm. Ndërsa përdorimi në ligj i termin njoftim, do të thotë që “vendimin” për ushtrimin e të drejtës e ka marrë vetë subjekti njoftues dhe nuk kërkohet miratimi i organit të policisë. Pikërisht këtu qëndron ndryshimi thelbësor që ka sjellë ligji i ri “Për tubimet” për të garantuar ushtrimin real të kësaj të drejte/lirie themelore kushtetuese të shtetasve në një vend demokratik sikurse është edhe vendi ynë. Nëse njoftuesit nuk e bëjnë njoftimin me të dhënat e parashikuara dhe kërkuara nga ligji, Shefi i Komisariatit të Policisë ka të drejtën ligjore të komunikojë me organizatorin për plotësimin e të dhënave ose të marrë vendim të arsyetuar për ndalimin e tubimit në sheshe ose vendkalime publike, apo ndryshimin e vendit dhe të kohës së zhvillimit të tij. Është me rëndësi që të sjellim në vëmëndje se, fryma pozitive e ligjit aktual reflektohet në mënyrë të qartë edhe në nenin 12 të tij ku parashikohet zhvillimi i tubimeve në vendet e hapura për publikun pa bërë njoftimin paraprak të policisë sipas nenit 5 të tij.
Përveç dispozitave të cituara më sipër, duke i referuar nenit 15/2 të Kushtetutës ku parashikohet se: “Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre”, si dhe nenit 2 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” ku parashikohet se: “Policia e Shtetit ka për mision ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut”, Avokati i Popullit gjykon se nga Policia e Shtetit kërkohet që, jo vetëm të mos bëhet pengesë për ushtrimin e lirisë së tubimeve të shtetasve, por përkundrazi duhet të kontribuojë në realizimin e saj. Në vijim të këtij detyrimi dhe për t’u krijuar lehtësi shtetasve për realizimin e të drejtave të tyre kushtetuese e ligjore, por edhe për të unifikuar qëndrimin e policisë në të tilla raste, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit duhet të përgatisë modelar tip të njoftimit që i bëjnë subjektet organit të policisë për ushtrimin e lirisë së tubimit në sheshe ose vendkalime publike dhe për rastet e njoftimit për tubimet urgjente. Në këto modelar duhet të përfshihen të gjitha rubrikat me qëllim që njoftuesit të plotësojnë të dhënat e nevojshme të parashikuara në nenin 5, pika 2 dhe nenin 7 të ligjit “Për tubimet”. Këto modelar të publikohen në Website-n e Policisë së Shtetit dhe të jenë të aksesueshëm për shtetasit duke krijuar edhe mundësinë e aplikimit on-line prej tyre. Gjithashtu për të qënë korrekt me ligjin dhe për unifikimin e qëndrimit të organeve të Policisë së Shtetit ndaj njoftimeve të subjeketeve për tubim, të përgatiten modelar tip për nxjerrjen vendimit administrativ të arsyetuar nga Shefi i Komisariatit të Policisë, si “Vendim administrativ për komunikim me organizatorin ose drejtuesin e tubimit për ndalimet dhe kufizimet e mundshme ose kushtet e tjera, duke përfshirë edhe numrin e personave që do të ndihmojnë në mbarëvajtjen e tij”, sipas nenit 6/1/a të ligjit “Për Tubimet” dhe “Vendim administrativ për ndalimin e tubimit në sheshe ose vendkalime publike, apo për përcaktimin e kohës dhe vendit të zhvillimit të tubimit”, sipas nenit 8 të këtij ligji dhe të mos vazhdojë më praktika e deritanishme duke iu kthyer përgjigje njoftuesve. Kemi bindjen e plotë se përgatitja dhe publikimi i këtyre modelarëve do të garantojë ushtrimin e të drejtës së tubimit në mënyrë efektive nga qytetarët siç ia njeh ligji dhe pa pengesa administrative.
Për sa më sipër dhe me qëllim rritjen e performancës dhe imazhit të Policisë së Shtetit, si dhe rritjen e besimit të publikut tek ky organ, bazuar në pikën 3 të nenit 63 të Kushtetutës ku thuhet se: “Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga administrata publike” dhe në gërmën “b” të nenit 21 të ligjit nr. 8454, datë 04.02.1999, i ndryshuar, ku parashikohet se: “Pas përfundimit të hetimit, Avokati i Popullit paraqet rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ, që, sipas tij ka shkaktuar shkelje të të drejtave dhe lirive”,
R E K O M A N D O J M Ë
1. Marrjen e masave të nevojshme për përgatitjen e modelarëve tip, si “Njoftim drejtuar Komisariatit të Policisë për zhvillimin e tubimit në sheshe ose vendkalime publike” dhe “Njoftim drejtuar Komisariatit të Policisë për zhvillimin e tubimit urgjent në sheshe ose vendkalime publike” nga subjektet njoftuese, publikimin e tij në Website-n e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me qëllim që të jetë i aksesueshëm për shtetasit dhe të krijojë mundësinë e aplikimit on-line prej tyre.
2. Marrjen e masave të nevojshme për përgatitjen e modelarëve tip, si “Vendim administrativ për komunikim me organizatorin ose drejtuesin e tubimit për ndalimet dhe kufizimet e mundshme ose kushtet e tjera, duke përfshirë edhe numrin e personave që do të ndihmojnë në mbarëvajtjen e tij”, sipas nenit 6/1/a të ligjit “Për Tubimet” dhe “Vendim administrativ për ndalimin e zhvillimit të tubimit në sheshe ose vendkalime publike, apo për përcaktimin e kohës dhe vendit të zhvillimit të tubimit”, sipas nenit 8 të këtij ligji.
Për qëndrimin që do të mbani dhe masat që do të merrni në zbatim të këtij rekomandimi lutemi të na njoftoni brenda afatit ligjor perj 30 ditësh të parashikuar në nenin 22 të ligjit “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar.