Rekomandime për të garantuar të drejtën për t’u arsimuar të fëmijëve të shkollës 9-vjecare “Sulejman Rramca”, Mengel, Elbasan
KRYETARIT TË BASHKISË ELBASAN ZOTIT QAZIM SEJDINI DREJTORISË RAJONALE ARSIMORE ELBASAN DREJTORISË RAJONALE TË POLICISË SË SHTETIT ELBASAN NJËSISË ADMINISTRATIVE LABINOT FUSHË SHKOLLËS 9-VJEÇARE “SULEJMAN RRAMCA”, MENGEL ELBASAN
Në mediat e shkruara dhe vizive janë transmetuar kronika të ndryshme lidhur me protestat në vazhdimësi të prindërve dhe nxënësve të shkollës 9 vjecare “Sulejman Rramca”, në fshatin Mengel, bashkia Elbasan, për mbylljen e kësaj shkolle.
Në vijim, prindërit dhe fëmijët e kësaj zone, kanë protestuar duke bllokuar edhe aksin nacional rrugor, Elbasan-Librazhd. Protesta e tyre është trasmetuar në media, madje është intervistuar edhe një fëmijë, i cili pretendon, se ndaj tij është ushtruar dhunë nga një punonjës i forcave speciale. Ka patur raste edhe të shoqërimit të prindërve në komisariatin e Elbasanit.
Në mbështetje të nenit 13, të ligjit nr. 8454 datë 4.2.1999 “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, Avokati i Popullit filloi procedurën e shqyrtimit të çështjes, me nismën e vet, për këtë rast të bërë publik.
Për një shqyrtim sa më objektiv të kësaj ngjarje të ndodhur në Mengel, Bashkia Elbasan, si dhe për të bërë të mundur kryerjen e misionit tonë kushtetues, mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të fëmijëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme apo të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj, institucioni i Avokatit të Popullit, Seksioni për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve në bashkëpunim me Seksionin e Veçantë kanë ndërmarrë edhe një hetim të pavarur administrativ në institucionet përgjegjëse për këtë rast.
Qëllimi i realizimit të hetimit administrativ ishte vlerësimi i dokumentacionit dhe procedurave administrative, të ndjekura nga mekanizmat dhe autoritetet shtetërore përgjegjëse, të cilët në mbështetje të legjislacionit në fuqi garantojnë ushtrimin me efektivitet të të drejtave, respektimin dhe promovimin e këtyre të drejtave, si dhe mbrojtjen e veçantë të fëmijës.
Metodologjia
Grupi inspektues i institucionit të Avokatit të Popullit, i përbërë nga një jurist dhe një punonjës social, ka përdorur si metodologji inspektimi, si më poshtë vijon:
- së pari, zhvillimin e bisedave paraprake me drejtuesit e Bashkisë Elbasan, Komisariatit të Policisë Elbasan, informacion, i cili është pasqyruar në formularin standard për inspektimet të këtyre institucioneve. Në takimin e organizuar në mjediset e këtyre institucioneve, janë mbajtur edhe procesverbalet përkatës, ndërmjet punonjësve përgjegjëse dhe punonjësve të institucionit të Avokatit të Popullit.
- së dyti, kontrollin e dokumentacionit përkatës, për procedurat e ndjekura për problematikat e shfaqura në media. Një kopje e këtij dokumentacioni na është vënë në dispozicion nga autoritetet përgjegjëse.
Hetimi administrativ i realizuar në Bashkinë Elbasan
Kushtetuta e RSH-së, në nenin 13, të saj, parasheh se pushteti vendor krijohet në bazë të parimit të decentralizimit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore. Nisur nga ky përcaktim kushtetues, ligji nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore” rregullon organizimin dhe funksionimin e njësive të vetëqeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, si dhe përcakton funksionet, kompetencat, të drejtat dhe detyrat e tyre e të organeve përkatëse. Ndër misionet kryesore të vetëqeverisjes vendore janë realizimi i shërbimeve në forma të përshtatshme dhe në përputhje me standardet e kërkuara nga ligji dhe aktet të tjera normative, bazuar në nevojat e anëtarëve të bashkësisë, ushtrimi me efektiv i funksioneve, kompetencave dhe realizimi i detyrave, respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, të sanksionuara në Kushtetutë ose në ligje të tjera, etj.
Në vijim, një ndër funksionet e bashkive në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, të parashikuara nga neni 23 i ligjit të sipërpërmendur, është ndërtimi, rehabilitimi dhe mirëmbajtja e ndërtesave arsimore të sistemit shkollor parauniversitar, me përjashtim të shkollave profesionale.
Shkolla 9-vjeçare “Sulejman Rramca”, në fshatin Mengel, njësia administrative Labinot Fushë, bashkia Elbasan është ndërtuar në vitet 90-të, ku cilësia e punimeve ka qenë e dobët, si rezultat i faktorit kohë. Vazhdimisht është konstatuar, se dyshemetë nuk janë solide dhe ecja e personave mbi to, shpesh herë shkakton dridhje.
Gjatë viteve 2000, kur filloi procesi i decentralizimit, kjo shkollë ka kaluar në varësinë administrative të Komunës Labinot Fushë. Përgjatë kësaj periudhe, duke vlerësuar edhe buxhetet vendore të këtyre njësive administrative, nuk është mundësuar rikonstruksioni i kësaj godine. Me reformen e re të ndarjes territoriale-administrative, tashmë godina e shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rramca” administrohet nga Bashkia Elbasan.
Në zbatim të vendimit nr.60, datë 10.4.2018, të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, “Për shpalljen e thirrjes së parë, për vitin, për financimin e projekteve, nga granti i arsimit, programin e Fondit për Zhvillimin e Rajoneve”, nisur edhe nga kërkesat e përsëritura të drejtorisë së shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rramca”, Drejtoria e Projekteve dhe Planifikimit, në Bashkinë Elbasan, ka hartuar dhe projektuar rikonstruksionin e tre projekteve prioritare për shkollat 9-vjeçare “Jorgji Dilo”, Bardhyl Popa” dhe “Sulejman Rramca”. Në shkresën zyrtare me nr.2666.prot, datë 17.4.2018, lista e projekteve është dorëzuar pranë Këshillit të Ministrave. Nga fondet e këtij grandi është shpallur fituese shkolla 9-vjeçare “Bardhyl Popa”.
Projektpropozimi[1] për rikonstruksionin e shkollë 9-vjeçare “Sulejman Rramca”, në fshatin Mengel, përveç rikonstruksionit komplet të godinës, ka parashikuar edhe shtesë objekti me sipërfaqe prej 116,4 m2, duke mundësuar hapjen e tre klasave të reja dhe tualete të reja. Shuma totale e kërkuar për zbatimin e këtij projekti, sipas preventivit është 16 566 474 (gjashtëmbëdhjetë milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e katër) lekë.
Në datën 19.8.2018, Drejtoria e Emergjencave Civile, Bashkia Elbasan ka hartuar projektin me titull “Rehabilitimi i mjedisit ekzistues, 2 kate të shkollës 9-vjecare “Sulejman Rranci”, Mengel”, ku sipas preventivit, shuma totale e këtij projekti është 845 327 (tetëqind e dyzetë e pesë mijë e treqind e njëzetë e shtatë) lekë. Ky projekt është dërguar pranë Drejtorisë së Prokurimeve për ndjekjen e procedurave përkatëse, për fillimin e punimeve në zbatim të legjislacionit në fuqi.
Nga tabela e firmës fituese të këtij projekti, të vendosur në mjediset e shkollës në datën 3.10.2018, fillimi i punimeve është data 3.10.2018 dhe përfundimi i tyrë është parashikuar në datën 18.10.2018.
Nga bisedat e zhvillura me Kryetarin e Bashkisë, Elbasan, u informuam se punimet nuk kanë filluar më përpara në periudhën e pushimeve verore, pasi shpresonin se nga fondet e mbetura të grantit të arsimit, programi i Fondit për Zhvillimin e Rajoneve, mund të përzgjidhej fituese shkolla në fjalë (përgjigjen e kanë marrë rreth muajit shtator).
Në këto kushte, Drejtoria e Buxhetit në Bashkinë Elbasan destinoi një fond prej 800.000 (tetëqindmijë) lekësh, për të mundësuar financimin e projektit për rikonstruksionin e shkollës, i cili në mbështetje të legjislacionit në fuqi, u miratua me vendim të Këshillit Bashkiak.
Përfaqësuesit e bashkisë na informuan, se strukuturat përgjegjëse për arsimin dhe kulturën në Njësinë Administrative Labinot Fushë, kanë njoftuar prindërit e fëmijëve, për procedurat dhe masat, që janë parashikuar të ndërrmeren për të mundësuar rikonstruksionin e shkollës. Gjatë protestës së zhvilluar në datën 2 tetor 2018, ka qenë prezent edhe nënkryetari i bashkisë, për të negociuar për zhbllokimin e rrugës kombëtare Elbasan–Librazhd.
Gjithashtu, nga përfaqësuesit e bashkisë u informuam, se i është dërguar shkresë zyrtare Drejtorisë Rajonale Arsimore, Elbasan, për njoftimin e fillimit të procedurave për rikonstruksionin e shkollës, ku bashkia kishte parashikuar edhe mjediset, se ku fëmijët do të zhvillonin shkollën në qytetin e Elbasanin, si dhe mjetin e transportit që do të mundësonte lëvizjen e fëmijëve.
Nga takimi me përfaqësuesit e Drejtorisë së Shërbimeve Sociale, Bashkia Elbasan, për situatën traumatike të krijuar për fëmijët e shkollës, në datën 2 tetor 2018, u informuam se është realizuar takimi, ndërmjet strukturave përgjegjëse të arsimit dhe kulturës të njësisë administrative Labinot Fushë dhe Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijës për të bërë vlerësimin e situatës së krijuar, si dhe masat që do të ndërrmeren për zgjidhjen e saj në interesin më të lartë të fëmijëve.
Hetimi administrativ i kryer nga seksioni i Veçantë, në Komisariatin e Policisë, Elbasan
Një ndër institucionet e inspektuara ishte edhe Komisariati i Policisë, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, me qëllim:
- verifikimin në vend të situatës së shtetasve të shoqëruar për marrje në pyetje;
- verifikimin në vend të regjistrave të shtetasve të shoqëruar në komisariat, në datat 29.9.2018 – 3.10.2018;
- mbledhjen në vend të informacionit dhe dokumentacionit përkatës, sa i takon deklaratës së fëmijës me inicilaet A.S, i cili ka deklaruar publikisht se është dhunuar, si edhe deklaratave të shtetasve të tjerë të shoqëruar në Komisariat, për organizimin e tubimit, që çoi në bllokimin e aksit rrugor kombëtar, Elbasan-Librazhd, më datë 2.10.2018.
Në zbatim të standardeve ndërkombëtare të inspektimit të institucioneve të ruajtes së rendit dhe qetësisë publike, konkretisht Komisariati i Policisë Elbasan, u zhvillua takimi me drejtuesin e këtij institucioni, ku u informuam me qëllimin dhe metodologjinë e inspektimit. Gjatë takimit me shefin e Komisariatit, z. Emiljan Pashaj, u informuam se tubimi i organizuar nuk ishte në përputhje me legjislacionin në fuqi, pasi ky komisariat nuk kishte patur asnjë njoftim mbi organizimin e tij. Nga diskutimi me drejtuesin e komisariatit rezultoi, se tubimi ka qenë një organizim i momentit dhe i pa njoftuar më parë, në mënyrë që edhe strukturat e policisë të mund të merrnin masat përkatëse për të siguruar ruajtjen e rendit.
Lidhur me gjendjen faktike gjatë momentit të inspektimit, nëse kishte apo jo persona të shoqëruar në Komisariat, për protestën e datës 2.10.2018, u informuam, se në atë moment nuk kishte asnjë person të shoqëruar në komisariat për të bërë deklarime. Gjithashtu, shefi i komisariatit theksoi, se nga protesta e paligjshme e datës 2.10.2018, ka patur vetëm një të shoqëruar, dhe 5 (pesë) persona të tjerë janë thirrur për të deklaruar pranë oficierit të policisë gjyqësore në datën 3.10.2018. Ndërkohë, ishte thirrur edhe gjyshi i fëmijës me incialet A.S, shtetasi Kujtim Samurri, pasi prindërit e fëmijës jetojnë në emigracion.
Gjatë kontrollit dhe vlerësimit të mjediseve të shoqërimit, regjistrit të personave të shoqëruar, si edhe regjistrit të zyrës së informacionit (hyrje-daljet) u konstatuan si vijon:
Në regjistrin e personave të shoqëruar u evidentuan të dhënat për personat e shoqëruar në datat 29.9.2018–3.10.2018. Ky instrument ishte i plotësuar rregullisht me të gjithë të dhënat përkatëse (emër atësi mbiemër, datëlindje dhe vendlindje, adresë, puna që kryen, përshkrim i pamjes së jashtme, arsyet e shoqërimit, ora dhe data e shoqërimit, vendi/zyra ku është shoqëruar, punonjësi i policisë që ka kryer shoqërimin, të dhëna për njoftimin e të afërmve, punonjësi që ka punuar për zgjidhjen e çshtjes, ora dhe data e lënies të lirë, pretendimet dhe nënshkrimi i të shoqëruarit). Një fotokopje e të gjithë të dhënave të regjisturara për datat e mësipërme është administruar edhe në dosje.
Nga regjistri i evidentimit të dhënave për personat e shoqëruar për datat e mësipërme, rezultuan gjithsej 24 shtetas të shoqëruar, për vepra të ndryshme penale. Ndër ta, figuronte i shoqëruar më datë 2.10.2018, shtetasi Kujtim Ali Gjata, i cili kishte hyrë në komisariat në orën 14:00 dhe ishte liruar në orën 18:50, si dhe ishte marrë në pyetje nga oficeri i policisë gjyqësore me inicialet K. C.
Nga verifikimi i regjistrit të mjedisit të komisariatit që përdoret si zyrë informacioni dhe bllokut të hyrje-daljeve në këtë zyrë, rezultoi se ky regjistër përdoret vetëm për regjistrimet e personave që realizojnë hyrje – dalje në komisariat. Si rezultat, ky regjistër është përdorur për t’u regjistruar vetëm kur kanë mbaruar fletët e hyrjes, sipas deklarimeve të punonjëses se informacionit, shtetases me inicialet O. L (shënuar në procesverbalin e nënshkruar nga të dy palët).
Në bllokun me fletë – hyrjet për datën 3.10.2018 rezultojnë të jenë paraqitur në mjediset e Komisariatit të Policisë Elbasan 6 shtetas, me fletëhyrjet përkatëse, si më poshtë vijon:
- Luçiano Boçi, datë hyrje 3.10.2018, ora 9:54, deklarim, takohet me K.Çela;
- Ymer Balliu, datë hyrje 3.10.2018, ora 9:56, deklarim, takohet me K.Çela;
- Enver Salla, datë hyrje 3.10.2018, ora 9:55, deklarim, takohet me K.Çela;
- Amez Salla, datë hyrje 3.10.2018, ora 9:56, deklarim, takohet me K.Çela;
- Armand Murati, datë hyrje 3.10.2018, ora 10:00, deklarim, takohet me K.Çela;
- Altin Meçja, datë hyrje 3.10.2018, ora 11:57, deklarim, takohet me K.Çela;
Gjatë takimeve me oficerin e policisë gjyqësore, shtetasin Kreshnik Çela, ai sqaron se z. Gjata është shoqëruar në komisariat direkt nga protesta, për arsye të përleshjes me policinë dhe, pasi ka bërë deklarimin e tij, është lejuar të largohet. Oficeri vendosi në dispozicion të institucionit të Avokatit të Popullit një kopje të deklaratës së lëshuar nga z. Gjata, në të cilën ai deklaron se ka qenë pjesëmarrës në protestë njësoj si gjithë protestuesit e tjerë, si dhe thekson se “…nuk ka sharë dhe as ka goditur punonjës policie…”.
Ndërkohë, në lidhje me 6 shtetasit e tjerë të paraqitur për të dhënë deklarimet përkatëse, na u vunë në dispozicion nga oficerët e policisë gjyqësore deklarimet e katër shtetasve, nga të cilat rezultoi, se shtetasit pohojnë se, në asnjë moment nuk janë shtyrë apo konfliktuar fizikisht me forcat e policisë, përveç shtetasve Luçiano Boçi dhe Azem Salla.
Po kështu, në dispozicion të institucionit të Avokatit të Popullit u vendos edhe deklarata e fëmijës 9 vjeçar, me inicialet A.S, i cili nuk është shoqëruar në ambjentet e komisariatit, sipas procesverbalit është marrë në pyetje në prani të psikologes dhe të nënës së tij, më datë 3.10.2018, ora 12.00. Në deklaratë fëmija pohon se “…nuk më ka goditur askush për asnjë moment, më pas dua të deklaroj se më afrohet një gazetare dhe një kameraman dhe më pyesin në lidhje me situatën dhe, unë për shkak, se isha i ngarkuar emocionalisht dhe nuk po e kuptoja se çfarë po ndodhte, i kam thënë se më goditi policia. Por theksoj, se kjo gjë nuk ishte e vërtetë…”.
Në lidhje me çështjen e dhunimit të fëmijës Algert Samurri, përfaqësuesit e institucionit të Avokatit të Popullit, kanë administruar edhe deklaratën e gjyshit të fëmijës, i cili gjithashtu, deklaron se nipi i tij nuk është dhunuar dhe nuk e kupton arsyet përse ka reaguar ashtu në media.
Po kështu, nga procesverbali “Mbi kqyrjen e jashtme të shtetasit Algert Samurri”, i mbajtur nga eksperti kriminalis Tefta Xhepi dhe oficeri Erion Çekrezi rezulton, se “…gjatë kqyrjes nuk konstatohet ndonjë dëmtim fizik i këtij shtetasi…”.
Nga takimi i realizuar me shefin e krimeve të Komisariatit të Elbasanit, u informuam dhe na u dorëzuan kopje të shkresave, në të cilat përshkruhen të gjitha hapat proceduralë që ka ndërmarrë Komisariati i Policisë Elbasan Konkretisht, referimi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan (shkresat nr.6397, datë 2.10.2018, nr.6349, datë 1.10.2018 dhe nr.6366, datë 1.10.2018), informacioni dhe materialet përkatëse për ngjarjet e ndodhura në datat 24 dhe 25 shtator, përkatësisht për veprat penale “Shkatërrim i pronës publike”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal dhe “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, parashikuar nga neni 262 i Kodit Penal.
Gjatë inspektimit të mjediseve të dhomave të shoqërimit (gjithsej 2 dhoma) rezultoi, se nuk kishte shtetas të shoqëruar për protestën e datës 2.10.2018. Në një nga dhomat e shoqërimit ishte vetëm një shtetas i ndaluar nga forcat e policisë rrugore për mosrespektim të rregullave të qarkullimit, i cili depozitoi një ankesë pranë institucionit të Avokatit të Popullit kundër ndalimit që i ishte bërë.
Nga verifikimi i mjediseve të Komisariatit rezultoi, se oborri i komisariatit ishte i pajisur me kamera sigurie, nga të cilat mund të sigurohen në çdo kohë pamje filmike për të verifikuar procesin e shoqërimit dhe marrjes në pyetje të shtetasve.
Përfundimet
Nga informacioni i lartpërmendur, institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson punën e Bashkisë Elbasan, për të mundësuar garantimin e edukimit të fëmijëve në mjedise të sigurta, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Në vlerësim të përmbushjes së detyrimeve ligjore të parashikuara në legjislacionin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, ajo çka vërehet është mungesa e bashkëpunimit, bashkërendimit dhe koordinimit të punës, ndërmjet mekanizmave dhe autoriteteve shtetërore përgjegjëse për garantimin e të drejtave të fëmijëve, konkretisht strukturave përgjegjëse për arsimin, mbrojtjen e fëmijës, Njësisë Administrative Labinot Fushë, drejtorisë së shkollës në Mengel dhe Drejtorisë Arsimore Rajonale Elbasan.
Gjatë zhvillimit të këtij procesi për rikonstruksionin e shkollës, i cili daton që nga muaji prill i vitit 2018, kemi evidentuar mungesën e plotë të transparencës me komunitetin dhe fëmijët, përfituesit e drejpërdrejtë të shërbimit, që do të kryhet. Njësia Administrative Labinot Fushë, në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës dhe qeverinë e nxënësve, duhet të konsultohej me komunitetin si dhe të mundësohej garantimi i një ndër të drejtave kryesore të fëmijëve, e drejta për t’u dëgjuar[2]. Zëri i tyre duhet të respektohet nga autoritetet shtetërore përgjegjëse gjatë proceseve vendimmarrëse, që lidhen me hartimin e zbatimin e politikave për të drejtat e fëmijës dhe mbrojtjen e tyre. Në këtë kontekst, gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak duhet të njoftoheshin edhe përfaqësues të qeverisë së nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rramca”, për t’u informuar mbi miratimin e vendimit të këshillit bashkiak për rikonstruksionin e shkollës dhe masave konkrete, që ishin marrë nga Bashkia Elbasan.
Në vazhdimësi sqarojmë, se fëmijët kanë të drejtën e organizimit dhe tubimeve paqësore[3] në përputhje me procedurat ligjore në fuqi. Strukturat e mbrojtjes së fëmijës pranë organeve të vetëqeverisjes vendore, institucionet arsimore duhet të punojnë më shumë me fëmijët për të ndërgjegjësuar, edukuar dhe informuar ata lidhur me këtë të drejtë, si dhe të promovojnë praktika të mira pune për përmbushjen e kësaj të drejte, ku si rrjedhojë fëmijët të mos përdoren nga askush dhe kurrkush, por të kenë aftësitë e tyre për zgjidhjen e problematikave, që lidhen drejtpërsëdrejti me ta, në mënyrë paqësore dhe në zbatim të rregullave të përcaktuara.
Nga vlerësimi i dokumentacionit përkatës, autoritetet shtetërore përgjegjëse nuk kishin ndërmarrë një vendim të arsyetuar, pse nuk ishin përmbushur ose refuzuar këto të drejta.
Mungesa e repsektimit të të drejtave të sipërpërmendura passjell organizimin e tubimit të paligjshëm, duke bllokur aksin rrugor kombëtar Tiranë-Librazhd, ku dukshëm nga transmetimi në media, u evidentuan traumat dhe gjendja emocionale e fëmijëve, shkaktuar nga situata e krijuar.
Me qëllimin dhe dëshirën e mirë, që situata të tilla të mos përsëriten dhe, në funksion të garantimit të interesit më të lartë të fëmijës, i cili nënkupton të drejtën e fëmijës për të pasur një zhvillim të shëndetshëm fizik, mendor, moral, shpirtëror e social, si dhe në respektim të legjislacionit në fuqi, institucioni i Avokatit të Popullit, në mbështetje të nenit 21, të ligjit nr.8454, datë 4.2.1999, ”Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar,
R E K O M A N D O N:
- Vlerësimin e dëmeve të shkatura nga ngjarjet e ndodhura ndaj fëmijëve, nga Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve, së bashku me strukturat përgjegjëse, drejtorinë e shkollës 9-vjeçare Mengel, Elbasan, Njësinë Administrative Labinot Fushë, Drejtorinë Rajonale Arsimore Elbasan etj, dhe hartimin e planit të masave për të garantuar mbrojtjen e tyre.
- Koordinimin, bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës, ndërmjet autoriteteve shtetërore përgjegjëse e mekanizmave mbrojtës në nivel vendor, për të garantuar të drejtat e fëmijëve.
- Garantimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në vendimmarrje, nëpërmjet qeverive të nxënësve, gjatë marrjes së vendimeve që adresojnë çështje, të cilat, në mënyrë të drejtëpërdrejt ose jo, lidhen me ushtrimin e të drejtave prej tyre.
Në përputhje me nenin 22, të ligjit nr. 8454 datë 4. 2.1999 “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, organet, të cilave Avokati i Popullit u ka drejtuar rekomandime, duhet t’i shqyrtojnë ato dhe të kthejnë përgjigje brenda 30 ditësh nga data e dërgimit.
Duke Ju falënderuar për miëkuptimin dhe, në vijim të bashkëpunimit, ndërmjet institucioneve tona, në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, për garantimin me efektivitet të ushtrimit, respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijës, lutemi shqyrtimin e këtyre rekomandimeve.
K O M I S I O N E R
Nejla PEKA