10 Tetor 2018

Hetimin Administrativ Rreth Shkrimit Në Gazetën Shqiptare, Me Titull “Mjekja Refuzon Punën Me Infermieren Me Shami”.


Institucioni i Avokatit të Popullit ka filluar hetimin administrativ për një shkrim në Gazetën Shqiptare, me titull “Mjekja refuzon punën me infermieren me shami…”. Në këtë shkrim bëhej fjalë për një incident ndodhur ndërmjet mjekes endokrinologe F. Gj, me të cilën është caktuar të punojë infermiere I. H. Znj. H. është besimtare myslimane dhe mban shami, e për këtë shkak, mjekja i është drejtuar duke i thënë se institucioni është laik dhe se nuk pranohen femrat e mbuluara me shami. Më pas kjo ngjarje ka degjeneruar në konflikt fizik mes drejtorit të spitalit dhe një të afërmi të mjekes në fjalë, ku palët kanë përfunduar në komisariat. Më tej shkrimi citon se incidenti është mbyllur dhe zj.Irma Haka vazhdon punën normalisht. Në analizë të situatës më sipër, ju bëjmë me dije se: Ne nenin 10/2 te Kushtetutës parashihet se “Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jeten publike”. Gjithashtu edhe në nenin 24 te Kushtetutes përcaktohet se: “ Secili është i lirë të zgjedhë, ose të ndryshojë fene, ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes se riteve. Në morinë e akteve ndërkombetare, mund të përmendet neni 18 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut ku thuhet se: “Çdo njeri ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë, kjo e drejtë nënkupton lirinë për të ndryshuar fenë ose bindjet, vetëm për vetëm apo bashkarisht si në publik ashtu edhe privatisht, nepermjet arsimimit, praktikave, kultit dhe kryerjes se riteve”, Ne i rekomanduam Ministrit te Shendetesise: Marrjen e masës disiplinore ndaj mjekes endokrinologe të spitalit Burrel zj. F. Gj. Angazhimin dhe ndërgjegjësimin e të gjitha strukturave shëndetësore, për mospërsëritjen e rasteve të diskriminimit jo vetëm ndërmjet personelit mjekësor, por edhe ndaj pacientëve që këto struktura trajtojnë. Ministria e Shendetesise e zbatoi Rekomandimin e Avokatit të Popullit me sukses.