21 Janar 2020

Rekomandim Mbi Problematika Ne Shkollen E Mesme "Sami Frasheri"


Rekomandim mbi problematika ne Shkollen e Mesme "Sami Frasheri"

Në mediat vizive janë transmetuar dy video, të realizuara në mjediset e shkollës së mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”, ndërmjet nxënësve dhe drejtuesit të këtij institucioni, znj. Teuta Dobi, me temë protestën e studentëve në muajin dhjetor 2018.

 

Në videon e parë, të publikuar në median “Balkanweb”, shfaqej drejtuesi i shkollës së mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”, që kërcënonte nxënësit e shkollës për të mos marrë pjesë në protestën e studentëve[1].

 

Në videon e dytë, të publikuar po në median “Balkanweb”, drejtuesi i shkollës së mesme të përgjithshme “Sami Frashëri” ka mbledhur sërish nxënësit e kësaj shkolle, për të gjetur “fajtorin”, i cili/e cila ka realizuar regjistrimin dhe publikimin e mbledhjes së organizuar.

 

Për këtë qëllim, në mbështetje të nenit 13, të ligjit nr. 8454 datë 4.2.1999 “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, Avokati i Popullit filloi procedurën e shqyrtimit të çështjes, me nismën e vet, për këtë rast të bërë publik.

 

Për një shqyrtim sa më objektiv të kësaj ngjarje të ndodhur, si dhe për të bërë të mundur kryerjen e misionit tonë kushtetues, mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të fëmijëve nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme apo të parregullta të organeve të administratës publike, si dhe të të tretëve që veprojnë për llogari të saj, institucioni i Avokatit të Popullit, Seksioni për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve, në bashkëpunim me Seksionin e Përgjithshëm ndërmorën edhe një hetim të pavarur administrativ në shkollën e mesme të përgjithshme “Sami Frashëri” për këtë rast.

 

Qëllimi i realizimit të hetimit administrativ ishte vlerësimi i dokumentacionit dhe procedurave administrative, të ndjekura nga mekanizmat dhe autoritetet përgjegjëse, të cilët në mbështetje të legjislacionit në fuqi garantojnë ushtrimin me efektivitet  të të drejtave, respektimin dhe promovimin e këtyre të drejtave, si dhe mbrojtjen e veçantë të fëmijës.

 

Metodologjia

 

Grupi inspektues i institucionit të Avokatit të Popullit, i përbërë nga dy juristë dhe dy punonjës socialë, ka përdorur si metodologji inspektimi si vijon:

 

Për një shqyrtim dhe gjykim korrekt dhe objektiv rreth ngjarjes së ndodhur në shkollën e mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”, grupi inspektues i institucionit të Avokatit të Popullit, i përbërë nga dy juristë dhe dy punonjës socialë, si metodologji pune ka përdorur:

 

  • zhvillimin e bisedave paraprake me znj. Teuta Dobi, drejtuesi i shkollës së mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”. Në takimin e organizuar në mjediset e shkollës, u kërkuan dokumente të tilla si: rregullorja, aktet e nënshkrimit, ndërmjet prindërve dhe mësueseve, për mënyrën e përdorimit të celularëve në shkollë, etj., (të cilat i janë vënë në dispozicion punonjësve të institucionit të Avokatit të Popullit);
  • zhvillimi i intervistave me nxënësit, pjesëmarës në takimin e realizuar nga drejtuesi i institucionit;
  • vlerësimi i zbatimit të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, që përcaktojnë të drejtat e fëmijëve, mekanizmat dhe autoritetet shtetërorë përgjegjës, që garantojnë me efektivitet ushtrimin, respektimin dhe promovimin e këtyre të drejtave dhe mbrojtjen e veçantë të fëmijëve.

 

Gjatë zhvillimit të takimit me znj. Teuta Dobi, drejtues i shkollës së mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”, ajo na shpjegoi, se nisur nga sinjalizimet e prindërve, nëse të martën, e datës 11.12.2018, do të zhvillohej mësim apo nxënësit do të merrin pjesë në protestë, kishte njoftuar presidentin e senatit të shkollës, për të mundësuar një takim me senatorët e shkollës. Gjithashtu, në rrjetet sociale ishte bërë edhe një thirrje nga nxënësit e shkollës për të mbështetur protestën e studentëve.

 

Takimi u realizua në mjediset e shkollës së mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”, në datën 10.12.2018, datë, që korespondon në kalendar, e diel, ditë pushimi zyrtar. Në takim morën pjesë 44 senatorët e klasave të këtij institucioni arsimor. Qëllimi i takimit ishte protesta e studentëve, ku gjatë bashkëbisedimit shumë nxënës kishin shprehur dëshirën për të marrë pjesë në këtë protestë. Në vazhdimësi, znj. Dobi sqaroi, se nxënësit nuk gëzojnë të drejtën kushtetuese të votës, e për rrjedhojë, nuk kanë as të drejtë për të protesuar. Në këtë kontekst, nxënësit nuk duhet t’a braktisnin mësimin, por mund të shkonin në të, ose me lejen e prindërve, ose pas orëve të mësimit.

 

Gjithashtu, në datën 10 dhjetor 2018, sipas drejtuesit të kësaj shkolle, është informuar stafi pedagogjik i shkollës, nëpërmjet postës elektronike, për të marrë masat, për të realizuar provimet e tremujorit, olimpiadat dhe këshillimin e karrirës, sipas planit mësimor.

 

Në mëngjesin e datës 11.12.2018, një pjesë e nxënësve të klasave të 11-ta dhe 12-ta ishin mbledhur para shkollës (pasi mësimi zhvillohet me dy turne) dhe, nga 1500 nxënës, vetëm 300 prej tyre ishin të pranishëm në shkollë. Për turnin e mbasdites (klasat e dhjeta), drejtuesi, znj.Dobi ka njoftuar mësuesit, që të zhvillonin orën e mësimit dhe, është konstatuar, që pjesëmarrja ishte e kënaqshme.

 

Menjëherë, pas publikimit të videos në datën 12.12.2018, ajo u shpreh, se ishte shumë e shqetësuar, për publikimin e videos në mediat e ndryshme dhe rrjetet sociale, për faktin se ishte cenuar në privatësinë e saj. Ndaj, për këtë qëllim, ajo kishte thirrur në zyrë katër nxënës, të cilët, gjatë realizimit të takimit të datës 10.12.2018, ishin ulur në anën e djathë të saj dhe, për të cilët dyshonte, se mund të kishin realizuar regjistrimin. Gjatë këtij takimi, në zbatim të urdhërit nr.493, datë 30.7.2018, të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë “Mospërdorimi i telefonit celular gjatë procesit mësimor në shkollë” dhe në mbështetje edhe të rregullores së brendshme të shkollës, u kishte kërkuar të dorëzonin celularët, pasi nuk i kishin të fikur. Celularët e nxënësve janë mbajtur nga ora 9.30-13.00 në zyrën e saj, deri në përfundim të orëve të mësimit.

 

Lidhur me prezencën e një punonjësi të Policisë së Shtetit në mjediset e shkollës, po në këtë datë, ajo theksoi se ishte rastësi, pasi ata ishin paraqitur për një incident të ndodhur në rrethinat e shkollës, por, që nuk kishte lidhje me nxënësit e kësaj shkolle.

 

 

 

 

Intervistat e realizuara me nxënës

 

Nga ana e grupit të punës të institucionit të Avokatit të Popullit, u realizuan intervista me nxënësit e shkollës, të cilët ishin thirrur nga drejtuesi i saj në datën 12.12.2018, për të dhënë shpjegime rreth publikimit të videos në media dhe rrjetet sociale. Gjatë intervistave, këta nxënës shjeguan, se kishin marrë dijeni, nëpërmjet rrjeteve sociale për thirrjen për mbështetje të protestës së studentëve, që do të zhvillohej në datën 11.12.2018.

 

Gjithashtu, në datën 10.12.2018, ata ishin njoftuar nga presidenti i qeverisë së nxënësve, se do të zhvillohej një takim, ndërmjet qeverisë së nxënësve me drejtoreshën e shkollës, në mjediset e saj, rreth orës 10.00. Takimi konsistonte në mosbraktisjen e orëve të mësimit ditën, kur do të zhvillohej protesta. Nëse nxënësit do të shfaqnin dëshirë të merrnim pjesë në protestë, duhet të merrnim leje nga prindërit ose, të shkonin pas orëve të mësimit.

 

Sipas thënieve të tyre, pas publikimit të videos, drejtoresha  i kishte thirrur në drejtori, pasi dyshonte, se mund të ishin ata që kishin kryer regjistrimin e saj. Gjatë këtij takimi, ajo u ka kërkuar që të dorëzonin celularët, sipas rregullores së shkollës. Nxënësit pohuan, se në asnjë moment, drejtoresha nuk i ka kërcënuar.

 

Gjithashtu, nga informacioni i kërkuar, nëse janë realizuar takime të tjera të ngjashme, ndërmjet qeverisë së nxënësve dhe drejtuesit të institucionit në ditë pushimi zyrtar, përgjigja ishte negative.

 

Në datën 12.12.2018, pothuajse 95% e nxënësve të shkollës së mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”, kishin braktisur orët e mësimit dhe mësuesit nuk kanë marrë mungesa.

 

Nga intervista u informuam, se ditën e mërkurë, në datë 12.12.2018, është realizuar edhe një takim, ndërmjet senatit të shkollës së mesme të përgjithshme “Sami Frashëri” dhe ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Lindita Nikolla.

 

Deklaratat e sipërpërmendura, të mbledhura nëpërmjet intervistave të realizuara dëshmojnë, se në njërën anë kemi një pjesë të konsiderueshme të nxënësve, të cilët kishin shprehur dëshirën për të mbështetur protestën e studentëve dhe, në anën tjetër, drejtuesin e institucionit arsimor, i cili kërkon mosbraktisjen e shkollës dhe mbështetjen e protestës me lejen e prindërve dhe për më tepër, pas orarit mësimor.

 

Në vazhdimësi, kronologjia e veprimeve të kryera, tregon se më shumë se 90% e nxënësve i kanë braktisur orët e mësimit, duke mbështetur protestën e studentëve.

 

Në këtë kontekst, në mbështetje të nenit 13, të ligjit nr.18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës” dhe, në mbështetje të udhëzimit nr.26, datë 2.8.2013, të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisë së nxënësve”, është garantuar një ndër të drejtat kryesore të fëmijës, e drejta për t’u dëgjuar[2]. Zëri i tyre duhet të respektohet nga autoritetet shtetërore gjatë proceseve vendimmarrëse që lidhen ngushtë edhe me një të drejtë tjetër që ata kanë, të shprehur qartë në nenin 16, të ligjit nr.18/2017, të drejtën e organizimit dhe tubimeve paqësore[3], në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

 

Gjithashtu, përveç të drejtave të fëmijëve kemi edhe detyrime, ku shprehimisht në shkronjën “d”, të nenit 61, të ligjit nr.69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nxënësit duhet të respektojnë rregulloren e institucionit arsimor, për të ndjekur rregullisht mësimin dhe të angazhohen në studim, e parashikuar kjo edhe në pikën II, të “Rregullores së brendshme të ciklit mësimor 2018-2019, të shkollës së mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”, Tiranë”.

 

Këto të drejta dhe detyrime harmonizohen edhe me nenet 18 e 28, të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës, si dhe ligjit nr.18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, ku krijimi i kushteve të përshtatshme për edukimin dhe shkollimin e nxënësve në shkolla, është përgjegjësi e një trekëndëshi institucional, të përbërë nga prindërit, shkolla nëpërmjet mësuesve dhe vetë fëmijëve. Konkretisht, në zbatim të nenit 103, të dispozitave normative “Për sistemin arsimor parauniversitar”, Këshilli i Prindërve në çdo institucion arsimor ka të drejtë të shprehë, pikëpamjet dhe mendimet për nismat e ndryshme të ndërmarra nga institucioni arsimor.

 

Në vlerësim të veprimeve të kryera (sipas deklarimeve të sipërcituara) dhe zbatimit me korrektësi të dispozitave ligjore të mësipërme, konstatojmë shkeljen e të drejtave të nxënësve, ku dëgjimi i zërit të tyre në përputhje me moshën dhe shkallën e pjekurisë është intimiduar me detyrimin për mosbraktisjen e shkollës, ku autoriteti shtetëror, në rastin konkret, drejtuesi i institucionit arsimor, shkollës së mesme të përgjithshme “Sami Frashëri” nuk ka ushtruar funksionin kryesor, informimin mbi të drejtat e fëmijëve dhe mjetet për ushtrimin e tyre[4]. Gjithashtu, në respekt të ushtrimit me efektivitet të të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe, fëmijëve në veçanti, nuk ka bërë të mundur përfshirjen e Këshillit të Prindërve, si një mekanizëm të rëndësishëm në dhënien e mendimeve, sugjerimeve a komenteve, për raste kaq delikate dhe të ndjeshme në një shoqëri si kjo e jona.

 

Për sa më sipër, drejtuesi i institucionit arsimor, në rastin konkret, drejtuesi i shkollës së mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”, në mbështetje të shkronjës “c”, të pikës 4, të nenit 103, të Dispozitave Normative, ku drejtuesi i institucionit organizon, të paktën një herë në vit, mbledhje të përbashkët të këshillit të mësuesve me këshillin e prindërve të institucionit, mund t’a ushtronte këtë funksion për të përcjellë shqetësimin e deklaruar nga vetë drejtuesi në fjalë, mosbraktisjen e shkollës nga nxënësit, si një detyrë e parashikuar në rregullore dhe, në të njëjtën kohë shqetësim i ardhur nga vetë prindërit e nxënësve, nëpërmjet telefonatave.

 

Përfundime

 

Avokati i Popullit, nisur nga analiza e fakteve, rrethanave dhe deklarimeve, të mbledhura gjatë hetimit administrativ të kryer, duke patur parasysh dhe ligjërimin e kahershëm të garantimit të të drejtave të fëmijëve, për të bërë të mundur funksionimin e sistemit demokratik të konsoliduar, nëpërmjet edukimit në vazhdimësi, në respektimin e të drejtave të tyre, së pari nga institucionet arsimore, të cilat udhëhiqen nga ky mision, si dhe për të patur një qasje të paanshme në këtë hetim administrativ, konstatoi:

 

Mosfunksionimin e të gjitha hallkave zinxhir të mekanizmave të parashikuara në legjislacionin paraunivesitar, ka passjellë shkeljen e të drejtave të fëmijëve për t’u dëgjuar e për t’u organizuar, në interesin më të lartë të tyre. Kjo, si rrjedhojë e  mosvlerësimit të aftësive dhe zërit të tyre, si dhe ushtrimit të kompetencave dhe detyrave funksionale nga ana e stafit drejtues të shkollës jo në përputhje me legjislacionin në fuqi, i cili tashmë përcakton qartazi të drejtat e fëmijëve, mekanizmat dhe autoritetet shtetërorë përgjegjës, për të garantuar me efektivitet ushtrimin, repsektimin dhe promovimin e  këtyre të drejtave dhe mbrojtjen e veçantë të fëmijëve.

 

Në mënyrë që edukimi i fëmijëve të kryhet në një mjedis të qetë, duke garantuar të drejtën e tyre për t’u arsimuar, mbështetur në interesin më të lartë të fëmijës, në zbatim të neneve 18 e 28, të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës, si dhe të ligjit nr.18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, kërkohet nga institucionet përgjegjëse ndërmarrja e hapave ligjorë e proceduralë të nevojshëm, që raste të tilla të parandalohen në kohë, minimizohen e të mos përsëriten më.

 

Referuar edhe videos së dytë të publikuar në rrjetet sociale, si dhe deklarimit të drejtuesit të shkollës së mesme të përgjithshme “Sami Frashëri”, qëllimi i organizimit të takimit me nxënësit ka konsistuar në përcjelljen e shqetësimit personal (cenimi i privatësisë së drejtoreshës, nëpërmjet publikimit të videos së parë në rrjetet sociale) dhe, aspak trajtimi profesional i çështjes nga pozitat e të qenit edukator-mësues.

Ky qëndrim, shpreh qartazi cedimin e marrëdhënies mësues-nxënës, e cila në fakt, duhet të karakterizohet nga integriteti, besimi i ndërsjellë dhe bashkëpunimi, duhet të jetë një marrëdhënie e shëndetshme dhe, që synon gjithmonë të ndërtohet mbi baza të vërteta (edhe nëse, gjatë ndërtimit të saj gabohet) dhe, jo të kërkosh nëpërmjet sjelljeve intimiduese, që fëmijët të mos jenë të vërtetë në veprimet, gjykimet dhe qëndrimet e tyre.

Për sa më sipër, institucioni i Avokatit të Popullit shpreh shqetësimin e tij, se gjatë ushtrimit të funksionit të drejtuesit të institucionit arsimor, znj.Teuta Dobi nuk ka mbajtur në konsideratë, se përmbushja e këtij funksioni duhet të udhëhiqet nga parimi kryesor, interesi i nxënësit është parësor.

Në përmbushjen e këtij parimi, drejtuesi i institucionit arsimor duhet t’u krijojë kushte dhe mundësi nxënësve, që të ndërtojnë dhe të zhvillojnë njohuri, shkathtësi, qëndrime dhe vlera, që kërkon sot një shoqëri demokratike dhe, për t’i zhvilluar ato në mënyrë të pavarur e të gjithanshme. Thënë kjo, në drejtim të përgatitjes për të kontribuar jo vetëm në ndërtimin e mirëqenies vetjake, por dhe të formimit të një individi me vlera në shoqëri, për t’u përballur nesër në mënyrë konstruktive me sfidat e jetës.

 

Mospërmbushja e këtij funksioni, rrjedhimisht sjell edukimin e tyre me modelin e gabuar.

                                                                      

Në mbështetje të pikës 3, të nenit 63 të Kushtetutës Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga organet e administratës shtetërore.

 

Ndaj, referuar parashtrimit të mësipërm, për çështjen në fjalë,

 

R E K O M A N D O J M Ë:

 

  • Forcimin e punës për përsosjen e marrëdhënieve edukatorë-fëmijë, mësues-nxënës: marrëdhënie bashkëpunimi për arritjen e realizimit të objektivave të përbashkëta, për një edukim cilësor, bashkëkohor; marrëdhënie bashkëpunëtorësh, që sigurojnë një shtrat të shëndetshëm për funksionimin e metodave aktive krijuese në edukim e arsimim; marrëdhënie të shëndetshme, që nuk i lënë shteg shfaqjes dhe veprimit të autoritarizmit në edukim si dukuri karakteristike e shoqërive jodemokratike; marrëdhënie të sinqerta, që synojnë përmirësim e jo penalizim, që ndikojnë fuqishëm në formimin e autoritetit të vërtetë të edukatorit dhe nxënësit, në konsolidimin e respektit real të ndërsjellë.

 

  • Marrjen e masave nga institucionet edukative e më gjerë, për të punuar më shumë me fëmijët, në drejtim të edukimit, ndërgjegjësimit, dhe informimit të tyre, lidhur me të drejtën e tubimit dhe organizimit dhe, të promovojnë praktika të mira pune për përmbushjen e kësaj të drejte. Si rrjedhojë, fëmijët të mos përdoren nga askush dhe kurrkush, por të shfaqin aftësitë e tyre, për zgjidhjen e problematikave, që lidhen drejtpërsëdrejti me ta, në mënyrë paqësore dhe në zbatim të rregullave të caktuara.

 

  • Marrjen e masës disiplinore, për znj. Teuta Dobi, drejtues i shkollës së mesme të përgjithshme  “Sami Frashëri”, për shkarkimin si drejtues, për paaftësi në organizimin e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me të gjithë faktorët, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe rregulloret institucionale, që burojnë prej tyre.

 

Duke Ju falënderuar për mirëkuptimin dhe, në vijim të bashkëpunimit, ndërmjet institucioneve tona, në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, për garantimin me efektivitet të ushtrimit, respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijës, lutemi shqyrtimin e këtij rekomandimi e, në vijim të na informoni për qëndrimin Tuaj ndaj tij.

K O M I S I O N E R

Nejla PEKA